Teksa turistët e parë që hapin sezonin veror kanë mbërritur në fillim të majit Agjencia Kombëtare e Turizmit ka vendosur që vetëm tani në qershor të promovojë vendin si destinacion përmes printimit të materialeve të nevojshme.
Së fundmi kjo Agjenci ka kërkuar që të konceptohen disa broshura për destinacione të veçanta duke nisur së pari me sitet e njohura nga UNESCO. Të tilla janë Butrinti, Berati dheGjirokastra të përmbledhura në një të vetme me 3000 kopje. Gjuhët të në cilat do të jetë e disponueshme është anglishtja, italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja dhe vetëm 100 kopje në shqip.
Së dyti është kërkuar promovimi i Alpeve përmes fletpalosjeve të dedikuara e cila do të jetë e printuar gjithashtu në 3 mijë njësi ku pjesa më e madhe do të jenë sërish të përkthyera në anglisht.
Së treti vëmendja është fokusuar tek bregdeti dhe më pas tek revista Discover Albania që do të ketë në fokus natyrën, kulturën dhe kulinarinë.
Në njoftimin e bërë pranë APP, Agjencia Kombëtare e Turizmit ka kërkuar që të bëhet edhe printimi i hartave turistike dhe hartave të kampingjeve respektivisht në 20 mijë dhe 10 mijë kopje.
Në specifikimet e saj Agjencia nënvizon se duhet që fotot që do të përdoren për broshurat të jenë të viteve 2018 dhe 2019 ku të paraqitet nga Shqipëria turistike (peisazhe), kulinaria si dhe foto artistike ku të jenë të përfshirë turistë , pushues nëpër destinacionet përkatëse.
Shqipëria po merr viteve të fundit një vëmendje të gjerë nga vizitorët e huaj. Të dhënat e fundit për lëvizjen e shtetasve të publikuar në prill tregonin se numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në katër mujorin e parë 2019 ishte 1.105.087, duke u rritur me 7,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Me përjashtim të Malit të Zi dhe Kosovës që kanë pasur rënie të numrit të shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri pjesa tjetër si Gjermani, Zvicër, Poloni, kanë pasur rritje dyshifrore në raport me 4 mujorin 2018. Rritje ka pasur edhe numri i shtetasve që kanë ardhur nga vende si Italia, Spanja, Greqia, Maqedonia.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.