Promovimi, “Risi Turistike”, gjashtë projekte fitojnë në Gjirokastër

26/02/2016 3:52 PM 0 komente

Paketa inovative dhe tërheqëse konkurruan për disa çmime në Gjirokastër ku i pranishëm ishte edhe ambasadori zviceran Christoph Graf.
“Turizmi është një forcë premtuese për rritjen ekonomike në të gjithë Shqipërinë dhe gjithashtu në Gjirokastër. ‘RisiTuristike’ organizohet për herën e tretë dhe erdhi në Gjirokastër për të shpallur disa nga idetë dhe shërbimet më të mira të propozuara nga organizata dhe biznese locale. Shpresojmë që këto shërbime të reja turistike të nxisin turizmin dhe ta bëjnë qytetin akoma edhe më tërheqës. Gjithashtu shpresoj që këto shërbime të rezultojnë në më shumë të ardhura për ju, bizneset dhe qytetarët e Gjirokastrës”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf. Ai përmendi se çmimet synojnë të inkurajojnë punën e operatorëve turistikë dhe bizneseve të tjera të lidhura me turizmin.
Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër Zamira Rami u bëri thirrje donatorëve dhe bizneseve që të mbështesin idetë e reja që synojnë rijetësimin e turizmit ne Gjirokastër dhe promovimit të punësimit për të rinj. “Ne jemi në një vit të rëndësishëm për historinë e këtij qyteti të deklaruar si Viti Kulturor i Ismail Kadares në nderim të shkrimtarit tonë të madh Gjirokastrit, në 80 vjetorin e lindjes. Ne dëshirojmë që Gjirokastra të shndërrohet ne atraksionin turistik të Jugut. Unë uroj që produktet e reja të paraqitura sot këtu të krijojnë itinerare të reja dhe të shtojnë vlerë në përvojën e pasur dhe autentike që rajoni ynë ka trashëguar“, tha kryebashkiakja Rami.
Nga dhjetë propozimet e dërguara nga operatorë turistikë, kompani private dhe OJQ, gjashtë u njoftuan si fituese të çmimeve ‘RiSi Turistike’, një konkurs i përvitshëm i ngritur për të promovuar produkte e shërbime të reja në fushën e turizmit. Çmimi i parë dhe i dytë u ndoqën nga çmimet për krijimtari, inovacion, dhe biznese të reja. Shërbimet e propozuara përfshijnë marketingun e destinacionit online dhe promovimin në mediat sociale të Gjirokastrës, që i mundëson turistëve dhe vizitorëve të mundshëm të marrin informacion në kohë reale dhe të rregullt mbi qytetin, si dhe atraksionet dhe ngjarjet e tij.
Një tjetër projekt ide sjell konceptin e ‘tureve përjetuese’ për qytetin dhe zonat përreth përmes vizitave dhe veprimtarive tematike. Të gjashtë projektet do të marrin financim nga programi zviceran RiSiAlbania dhe Agjensia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe do të zhvillohen edhe më tej derisa të mund të ofrohen në tregun turistik. Qëllimi është të shtohet vlera, të përmirsohet përvoja dhe të sillen paketa dhe teknologji të reja në ofertat e tanishme turistike për qytetin e Gjirokastrës.
RiSiAlbania e ka zhvilluar konkursin ‘Risi Turistike’ në Shkodër dhe Berat gjatë 2015 dhe arriti të mbështesë disa nisma innovative nga agjensi turistike locale dhe biznese të tjera në ato dy qytete. Synimi përfundimtar është të tërhiqen më shumë turistë, të zgjaten qëndrimet, të rriten të ardhurat për bizneset dhe komunitetet, dhe të sigurohet punësim sidomos midis të rinjve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of