Drejtuesit e automjeteve në Itali patën një ditë të vështirë kur operatorët e pikave të karburantit mbyllën aktivitetin e tyre në shenjë proteste ndaj asaj që e konsiderojnë si përpjekje të kryeministres Giorgia Meloni për t’i fajësuar ata lidhur me rritjen e çmimeve të karburantit.
Qeveria e djathtë e Italisë i ka akuzuar pronarët e pikave të karburantit për spekulime dhe rritje të çmimeve pasi drejtuesit e automjeteve u ankuan për çmimet e larta, të cilat u rritën pasi subvencionet e përkohshme për karburantin përfunduan në fund të vitit të kaluar.
Subvencionet kishin ndihmuar për të mbrojtur drejtuesit e automjeteve nga rritja e çmimeve të energjisë që erdhi si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Këtë muaj, qeveria nxori një urdhër që u kërkon pikave të karburantit të shfaqin çmimet mesatare për benzinën dhe naftën, së bashku me çmimet e pikës së tyre. Kryeministrja tha se kjo masë nevojitej për të luftuar “sjelljen e gabuar” nga disa pronarë të këtyre pikave.
Megjithatë, operatorët u indinjuan nga kjo kërkesë “e rëndë” dhe nga kërcënimet me gjoba nëse nuk e zbatojnë këtë urdhër. Ata e akuzuan Melonin se po përpiqej t’u hidhte fajin atyre për një problem që nuk varej fare nga ata. Ditët e negociatave nuk arritën që të shmangnin grevën, e cila filloi të martën në mbrëmje.
“Interesi i pronarëve të pikave të karburantit është që të mos hyjnë në grevë,” tha Giuseppe Sperduto, president i Federatës së Pronarëve Autonomë të Pikave të Karburantit në Itali. “Ne nuk duam të etiketohemi si spekulatorë. Ne nuk vendosim për çmimet e karburantit, të cilat përcaktohen nga kompanitë e naftës”.
Sidoqoftë, dita e dytë e planifikuar e grevës u anulua të mërkurën pasi zyrtarët e qeverisë mbajtën disa takime urgjente me shoqatat e pronarëve të pikave të karburantit.
Analistët thanë se konfrontimi me pronarët e pikave të karburantit dhe shqetësimi që solli kjo situatë për të gjithë konsumatorët, dëmtuan imazhin e Melonit përpara votuesve italianë.
“Më duket sikur ajo nuk i ka bërë llogaritë mirë. Ky ishte një gabim shumë i madh,” tha Daniele Albertazzi, një profesor i politikës në universitetin Surrey në Angli. “Kjo tregon instinktin e së djathtës radikale për të luftuar organizatat dhe individët, të cilët fajësohen për probleme komplekse.”
Tabelat e vendosura në pikat e mbyllura të karburantit të mërkurën shkruanin se bizneset u mbyllën në “shenjë proteste kundër fushatës së turpshme, shpifëse”, duke u ankuar se atyre u ishte “hedhur baltë” pas përfundimit të afatit të uljes së përkohshme të taksave.
Në njoftimin e anulimit të ditës së dytë të grevës, pronarët e pikave të karburantit përmendën dëshirën për të shmangur shqetësimet e mëtejshme për drejtuesit e automjeteve. Megjithatë, ata thanë se do të vazhdojnë të lobojnë kundër rregullit të ri, i cili tashmë po shqyrtohet nga parlamenti./ FT