Pronat, i hapet rruga krijimit të një harte unike

11/07/2014 11:49 AM 0 komente

Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë përfunduar ndërtimin e 16 stacioneve marrëse satelitor për përditësimin e hartave. Ato janë vendosur pranë zyrave lokale të regjistrimit. Zbatimi i këtij sistemi zgjidh përfundimisht mospërputhjen e të dhënave të pozicionimit gjeografik të pronave, problemet hartografike të ndeshura deri tani dhe i paraprin krijimit të një harte unike për gjithë teritorrin. Ky sistem do të ndihmojë në përcaktimin e saktë me koordinata të kufijve administrativë të njësive vendore.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço tha se : “sistemi “ALBPOS” (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global) është një projekt me rëndësi kombëtare, i dizenjuar dhe realizuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me asistencën teknike të Agjencisë Suedeze të Hartografisë, Kadastrës dhe Regjistrimit të Pasurive. Qëllimi i ndërtimit të këtij sistemi është kalimi i sistemit koordinativ nga referenca tokësore në atë hapësinore, në përputhje me sistemin aktual Europian të referencës koordinative”.

Aplikimet e këtij sistemi do të jenë të shumëllojshme :
• Përmirësimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme,
• Përdorimin e tij në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave,
• Përdorimin e tij në përcaktimin e pronave publike (shtetërore),
• Rritje të efikasistetit dhe cilësisë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale,
• Unifikimin dhe saktësimin e hartave topografike,
• Realizimin e projekteve shkencore sizmiologjike dhe ambientale.
Ky sistem, gjithashtu, do të shërbejë edhe për mbështetjen e projektit të ri që ne kemi në realizim me Bankën Botërore, për përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme. Implementimi i kësaj metode moderne mundëson:
– një saktësi shumë të lartë,
– rendiment të madh në volumin e punës,
– realizim brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u siguruar përdoruesve të dhënat e kërkuara në kohë reale.
Të gjitha këto procese, të cilat tashmë do të kryhen me saktësi të madhe dhe brenda një kohe edhe më të shkurtër, përkthehen automatikisht në një të mirë publike, e cila si përfitues ka jo vetëm përdoruesin e sistemit, por drejtpërdrejtë edhe vetë qytetarin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of