Regjistrimi i patentave si një formë për të mbrojtur të drejtën e pronësisë është bërë më evident vit pas viti. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale konfirmojnë se në vitin 2018 aplikimet për patenta ishin 13.2 për qind më të larta sesa një vit më parë. Kështu Sektori i Patentave pranë DPPI ka pranuar në vitin e shkuar 921 aplikime për patenta krahasuar me 813 aplikime të depozituara në vitin 2017.
Nga këto aplikime, 15 aplikime janë aplikime kombëtare me aplikantë nënshtetas Shqiptarë, dhe 906 aplikime për patenta, janë patenta të lëshuara nga Zyra Evropiane e Patentave të cilat kërkojnë mbrojtje në Shqipëri. Një element që bie në sy është rritja e interesit të zotëruesve të patentave europiane për t’i regjistruar ato edhe në vendin tonë. Numri i patentave Evropiane të cilat kërkojnë mbrojtje në vendin tonë, është dyfishuar në krahasim me vitin 2015.
I njëjti institucion raporton se në vitin 2018 sektori i patentave ka lëshuar 4710 akte administrative brenda afateve të parashikuara në ligj dhe në rregulloren e patentave. “Janë ripërtërirë 3338 patenta dhe janë bërë ndryshime në regjistër për 89 patenta” thuhet në dokumentin e DPPI.
Çfarë ka ndodhur me markat?
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale raportoi se numri i aplikimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për marka gjatë vitit 2018 ka arritur në 4171 aplikime. “ Në përgjithësi ka një trend në rritje të aplikimeve për marka, sidomos të aplikimeve shqiptare. Funksioni thelbësor i një marke tregtare është të identifikojë ekskluzivisht burimin tregtar ose origjinën e produkteve ose shërbimeve. Gjatë vitit 2018, në DPPI janë pranuar 1294 aplikime në total, në krahasim me 1161 aplikime të pranuara në vitin 2017, duke u rritur numri I tyre me 10.3%” thuhet në dokument.
Sipas DPPI Në vitin 2018 numri i aplikimeve për marka është rritur me 24.4% në krahasim me vitin 2017.
Lidhur me vendin e origjinës vihet re se nga totali i aplikimeve kombëtare për marka në vitin 2018, SHBA e ndjekur nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Serbia, Kosova, kanë numrin më të madh të aplikimeve kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.