Dhomat e Tregtisë, shoqatat e biznesit dhe sipërmarrës të industrive prodhuese kanë kundërshtuar ndryshimet fiskale 2022 të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi sipas tyre shtrenjtojnë kostot e prodhimit dhe pritet të rrisin produktet e importit.
Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë z. Nikolin Jaka tha për Monitor se nga ndryshimet fiskale jo vetëm që do të rriten kostot prodhuese, por taksat e larta do të ndikojnë negativisht në të gjithë sektorët e ekonomisë.
DHTIT rekomandon se në ndihmë të sipërmarrjes do të ishte e nevojshme krijimi i fondeve për të mbështetur prodhimin vendas dhe eksportet, por edhe të lehtësuar kreditimin.
Paketa e re fiskale, sipas kreut të DHTIT do të frenonte investimet në teknologji dhe se shtimi i kostove do të përkeqësojë të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Duke marrë në konsideratë faktin se po përjetojmë një situatë të përshkallëzimit të frikshëm të rritjes se çmimeve ne tregun global, për shumë lëndë të para, qeveria në vend që të ndihmojë dhe lehtësojë sipërmarrjen, bën qe me këto projektligje të ndikojë negativisht dhe të shtojë barrën e kostove të prodhimit dhe me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për sipërmarrjen vendase dhe ekonominë në tërësi. Një rritje e paparashikuar e këtyre taksave pa dyshim që do të ndikojë edhe në përkeqësimin e treguesit të eksporteve, të produkteve të këtyre industrive, sidomos agroindustria, përpunimi i qumështit, industria e materialeve të ndërtimit, e çimentos etj. Një tjetër ndikim tepër negativ dhe frenues do të ketë për investimet në teknologji, që aq shumë ka nevojë industria prodhuese dhe në këto kushte do të thellojmë akoma më shumë hendekun në konkurrueshmëri me vendet e rajonit”, nënvizon Jaka.
Në këtë periudhë kur sipërmarrja po vuan rritjen e kostove nga shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës nga Covid-19, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë rekomandon masa, si zbatimi i politikave nxitëse dhe subvencionuese dhe 5% TVSH për produktet ushqimore. DHTIT në ndihmë të sipërmarrjes propozon:
“-Hartimi dhe zbatimin e një strategjie kombëtare për promovimin e produkteve vendase;
-Të identifikojmë dhe të nxisim prodhimin e produkteve unike shqiptare të tilla me cikël të mbyllur duke krijuar një lloj shporte të produkteve me të cilat mund të konkurrohet në tregjet rajonale;
-Politika nxitëse dhe subvencionuese për fermat bujqësore dhe blegtorale nga skemat kombëtare;
-Aplikimi i një normë të TVSH-së prej 5% duke u afruar me vendet e rajonit për produktet bazë ushqimore, përfshirë sektorin e qumështit.
-Për të paraprirë “cunamin” e produkteve të importit, sidomos me funksionimin e zonës së lirë tregtare në rajon, qeveria shqiptare ka dy zgjidhje: E para duhet të jetë vendosja e barrierave doganore për ato produkte që konkurrojnë në mënyrë jo të drejtë prodhimin vendas (subvencione) dhe së dyti duhen marrë masat që kanë të bëjnë me lehtësimin e kostove për prodhimet shqiptare, me qëllim bërjen konkurruese në tregun rajonal
-Kërkohet thellimi i masave dhe mbështetje financiare, duke u përqendruar në sektorët e industrive prodhuese, sektorin e turizmit, bujqësisë, agropërpunimit, dhe transportit me synimin për t’u përballur me krizën e rritjes se çmimeve në tregun botëror dhe masa afatgjata që synojnë rimëkëmbjen ekonomike në tërësi;
-Me kontributin e buxhetit të shtetit dhe te donatorëve lind e nevojshme krijimi i një fondi prej 100 milion euro për mbështetjen e industrive prodhuese dhe tregun për eksport;
-Krijimi një fondi garancie prej 500 milion euro, për të lehtësuar aksesin për kredi për bizneset që operojnë në industritë prodhuese, agroindustri transportin etj”.
Projektligjet e paketës fiskale janë kundërshtuar edhe Qendra e Eksporteve Shqiptare. Alban Zusi drejtuesi i saj pohoi më herët se ndryshimet e propozuara pritet të rrisin kostot e prodhimit për të gjithë agroindustrinë bujqësore dhe çmimet e produkteve ushqimore do të rriten rreth 30% nga 1 janari 2022.
Lexo edhe këtë: Prodhuesit kundërshtojnë paketën fiskale, Zusi: Ndryshimet godasin rëndë prodhimin vendas; Miratimi i tyre do rrisë 30% çmimet
Me shqetësim ndryshimet u pritën edhe nga përpunuesit e qumështit. Sipërmarrës të sektorit thanë se nëse këto ndryshime miratohen nuk do të ketë vetëm shtim të kostove, por edhe mbyllja fabrikash dhe rritje të çmimeve të produkteve të bulmetit me të paktën 30%. /D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.