Akti i Reduktimit të Inflacionit lë disa boshllëqe, që do të thotë se norma për taksimin e biznesit prej 15% nuk është në përputhje me marrëveshjen globale.
SHBA luajti një rol të rëndësishëm në inkurajimin e 136 vendeve për të nënshkruar një marrëveshje globale për taksat, të prezantuar nga OECD tetorin e kaluar dhe të cilësuar si reforma më e rëndësishme e taksave në më shumë se një shekull.
Por, gjatë ditëve të fundit, është bërë e qartë se mënyra se si Uashingtoni synon të zbatojë një nga dy pjesët e propozimeve – tatimin minimal prej 15 për qind për korporatat – është në kundërshtim me mënyrën se si marrëveshja mund të funksionojë në vendet e tjera.
Versioni i thjeshtëzuar i planit të Joe Biden për taksat, që është pjesë e Aktit të Reduktimit të Inflacionit, legjislacioni kryesor ekonomik i Shtëpisë së Bardhë i cili javën e kaluar mezi mundi të kalojë në Senat dhe pritet të marrë dritën jeshile nga Dhoma e Përfaqësuesve këtë javë, nuk merr në konsideratë disa elemente kryesore të marrëveshjes së nënshkruar në Paris.
Kjo ka ngritur shqetësimin se kompanitë shumëkombëshe do të përballen me një sërë kompleksitetesh, të cilat do t’ua bëjnë atyre më të vështirë që të respektojnë një mori rregullash të cilat synojnë të sigurojnë që ato të paguajnë një shumë më të drejtë taksash. “Të gjitha kompanitë duan zbatimin e marrëveshjes, për të cilën kanë qenë duke punuar deri më tani, por duket se gjërat nuk do të jenë ashtu siҫ mendonin ato,” tha Kate Barton, nënkryetare për taksat në firmën e kontabilitetit EY. “A do të fillojnë të gjitha vendet tani duke vepruar sipas dëshirës?”
Cilat janë mangësitë e Aktit për Reduktimin e Inflacionit?
Rregullat për taksën minimale globale, siç përcaktohet nga OECD, kërkojnë që kompanitë shumëkombëshe me të ardhura vjetore prej më shumë se 750 milionë euro të paguajnë një taksë shtesë, me një normë efektive prej 15 për qind, në çdo vend në të cilin ato operojnë.
Kjo pjesë e marrëveshjes, e njohur në qarqet tatimore si “Shtylla e Dytë”, është projektuar për të “ndaluar atë që ka qenë prej dekadash një garë e shteteve për të arritur avantazh krahasues në lidhje me taksimin e korporatave”, siç e ka cilësuar këtë nismë sekretarja e Thesarit e SHBA, Janet Yellen, kur u nënshkrua marrëveshja.
Për të bërë që SHBA të ishte në përputhje me Shtyllën e Dytë, administrata Biden fillimisht propozoi reforma për regjimin global të SHBA-së për të ardhurat jomateriale të ulëta – ose Gilti. Nën regjimin Gilti, një taksë shtesë prej rreth 10.5 përqind aplikohet aktualisht për fitimet e filialeve të kompanive amerikane, të cilat janë vendosur në juridiksione me taksa të ulëta.
Gilti u prezantua në SHBA në vitin 2017 për të ndaluar fenomenin e zhvendosjes së fitimeve të kompanive amerikane jashtë shtetit dhe propozimi fillestar i Biden ishte rritja e normës së regjimit Gilti në 15 për qind, për të bërë që SHBA të ishte në përputhje me marrëveshjen e OECD.
Këto propozime nuk arritën të miratoheshin në Senat, pasi Joe Manchin, demokrati nga Virxhinia Perëndimore, i cili ishte vendimtar për miratimin e këtij Akti, kërkoi rrëzimin e tyre.
Në vend të kësaj, një taksë korporate minimale prej 15 përqind do të aplikohet vetëm për “të ardhurat kontabël” – shumën e raportuar në llogaritë financiare – të kompanive me të ardhura mbi 1 miliard dollarë. Gjithashtu, kjo taksë do të aplikohet vetëm në nivel grupi, dhe jo në bazë të vendit – duke devijuar kështu nga qëllimi i marrëveshjes për të eliminuar praktikën e krijimit të filialeve në parajsat fiskale.
Mbetet “i dyshimtë” fakti nëse ky Akt do të konsiderohet në përputhje me taksën minimale globale, tha Ross Robertson, partner ndërkombëtar për taksat në firmën e kontabilitetit BDO.
“Në fund të fundit, mund të ketë një rritje të kompleksitetit për bizneset ndërkombëtare në zbatimin e rregullave pasi ato të hyjnë në fuqi, ose, më keq akoma, këto rregulla mund të shtojnë rrezikun e tatimit të dyfishtë,” shtoi Robertson.
Si mund të përgjigjen nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes?
Peter Barnes, një specialist i taksave në firmën ligjore Caplin & Drysdale në Uashington, e cilësoi “zhgënjyes” ndryshimin e Kongresit për propozimet e Biden për taksat, por “sigurisht jo fatal” për marrëveshjen.
Një nga arsyet është se, nëse SHBA aplikon normën minimale prej 15 për qind në formën që parashikohet në këtë akt dhe jo ashtu siҫ thuhet në marrëveshje, atëherë autoritetet e tjera tatimore mund të mbledhin potencialisht më shumë të ardhura nga kompanitë amerikane për veten e tyre. Kjo për shkak se marrëveshja përmban një mekanizëm kompleks që lejon vendet e tjera të vendosin në mënyrë efektive një taksë deri në 15 për qind mbi të ardhurat e një filiali që ndodhet atje, nëse – siç është rasti i SHBA-së – vendi i origjinës së korporatës mëmë nuk aplikon një taksë shtesë.
“Diferenca prej 4,5 pikë përqindjeje midis normës 10,5 për qind të Gilti dhe asaj 15 për qind të marrëveshjes, do të identifikohet nga juridiksionet e tjera,” shpjegon Reuven Avi-Yonah, profesor i së drejtës në Universitetin e Miçiganit.
Pascal Saint-Amans, drejtor i administratës tatimore në OECD, tha: “Nëse shikoni me vëmendje mënyrën si është projektuar Shtylla e Dytë, mund të kuptoni se kjo gjë do të ndodhë gjithsesi.”
Barnes pajtohet me këtë fakt dhe mendon se kompanitë shumëkombëshe amerikane mund ta shtyjnë Kongresin që të zbatojë Shtyllën e Dytë në një formë më të afërt me atë që është rënë dakord në OECD.
Megjithatë, progresi për zbatimin e taksës minimale globale është vonuar në të gjitha vendet, pasi asnjëri prej tyre nuk e ka miratuar ende legjislacionin për të filluar me zbatimin e saj, pavarësisht se fillimisht u ra dakord për ta bërë këtë deri në fund të vitit 2022.
Çfarë po i shkakton vonesat në vendet e tjera?
BE publikoi një projekt-direktivë për zbatimin e Shtyllës së Dytë në muajin dhjetor, por ndarjet politike e kanë bërë të pamundur miratimin unanim nga vendet anëtare. Hungaria, një shtet anëtar që e kundërshton shpesh Brukselin, aktualisht po bllokon përparimin e zbatimit të marrëveshjes.
Pjesa tjetër e 26 vendeve europiane mund të jetë në gjendje ta zbatojnë Shtyllën e Dytë edhe pa Hungarinë, duke e përfshirë këtë nismë në legjislacionin e tyre të brendshëm.
“Ekziston një vullnet i madh politik në Europë për të ecur përpara me marrëveshjen,” tha Robertson, duke shtuar se ai priste që shumica e Europës të fillonin zbatimin e Shtyllës së Dytë që nga janari i vitit 2024.
Sapo BE-ja të fillojë zbatimin, vendet e tjera do të ndjekin të njëjtin shembull për të parandaluar humbjen e taksave shtesë.
Pjesa tjetër e marrëveshjes, Shtylla e Parë, e cila synon të bëjë të mundur që shumëkombëshet më të mëdha në botë të paguajnë më shumë taksa në vendet ku kanë më shumë shitje, është akoma më mbrapa afatit të dakordësuar për fillimin e zbatimit.
Megjithëse vonesat dhe pengesat kanë rezultuar zhgënjyese për ata që mezi presin të shohin kompanitë që të paguajnë pjesën e tyre të taksave, ekspertët theksojnë se sa thelbësore është marrëveshja.
“Ne kemi nevojë për të projektuar një bazë tatimore globale krejtësisht të re,” tha Heydon Wardell-Burrus, një studiues në Qendrën e Oksfordit për Tatimin e Biznesit./ Financial Times