Gjergji Gjika, kryetari i Dhomës së Fasonistëve të Shqipërisë
1. Shfuqizimi i nenit 25/6, të ligjit nr. 7928, datë 27.5.1995 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.
Sipas nenit 25/6, të ligjit nr. 7928, datë 27.5.1995 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, kryerja nga nënkontraktorët e furnizimit të shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare,
të destinuara për t’u rieksportuar për personat e tatueshëm të autorizuar mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacione nën regjimin e përpunimit aktiv, është furnizim i përjashtuar.
Zbatimi i këtij neni ka evidentuar probleme qoftë për administratën, edhe për tatimpaguesit.
-Është një përjashtim që në fakt është vendosur më vonë se miratimi i ligjit, nisur nga një situatë aspak favorizuese të rimbursimit të TVSH-së për kontraktorët e regjimit të përpunimit aktiv, rreth 7-8 vjet më parë.
Në fakt, ne në atë kohë, kur pengesat administrative për rimbursimin e TVSH-së ishin në maksimumin e mundshëm, i propozuam Ministrisë së Financave një lehtësim për të dyja palët.
Të gjitha blerjet brenda vendit nga kontraktorët të jenë pa TVSH. Kjo eksperiencë është e njohur nga disa vende të tjera europiane, midis të cilave edhe në Itali, partneri ynë më i ngushtë tregtar.
Por në atë kohë, u miratua vetëm një pjesë e propozimit, ajo që është edhe sot në fuqi: përjashtim nga TVSH vetëm i nënkontraktorëve të përpunuesve kryesorë.
Ky amendim, jo vetëm nuk lehtësoi, por ndërlikoi më tepër si marrëdhëniet kontraktor-nënkontraktor, edhe ato që kanë të bëjnë me detyrime kundrejt administratës të nënkontraktorëve.
Këta të fundit nuk janë të interesuar për të furnizuar jashtë TVSH-së kontraktorët, pasi do të duhet të bëjnë rregullime të mëtejshme për çdo muaj të TVSH-së që kanë paguar në blerje, duke qenë se shitjet i kanë të përjashtuara.
Kjo sjell edhe ndërlikim, edhe kosto shtesë të mbajtjes së të dhënave. Por kosto e madhe është edhe për administratën gjatë kryerjes së kontrollit në vend, pasi do të duhet të rikalkulojë të gjitha veprimet, e përfundimi përgjithnjë është pa efekte.
Më tej akoma, ministri i Financave përcakton me udhëzim dokumentacionin e nevojshëm, për zbatimin e përjashtimit. Midis një zinxhiri veprimesh që janë të kushtueshme kërkohet edhe një autorizim i lëshuar nga drejtoritë tatimore rajonale.
Ka zgjatje deri në 20 ditë për marrjen e tij. Por nuk është vetëm kostoja e faktorit kohë. Kosto ka për administratën, por më tepër barrë e rëndë administrative bie mbi tatimpaguesit.
Mendojmë se duhet parë leverdia ekonomike sidomos në rritje të punësimit nga heqja e përjashtimit. Nisur nga përmirësimet e fundit për sa i takon procedurës së rimbursimit brenda 30 ditëve të fasonistëve,
por edhe masave më shtrënguese ndaj administratës tatimore kur nuk respekton afatin e rimbursimit mendojmë e sugjerojmë që të shfuqizohet neni në fjalë.
Konkluzion alternativ:
Propozojmë që furnizimi me punë për nënkontraktorët tanë të konsiderohet si furnizim i tatueshëm, me të drejtë rimbursimi. Ky është standard i të gjitha vendeve të BE,
por edhe më tej, dhe që nuk zbatohet në ligjin aktual te TVSH, por që ne propozojmë të shtohet te Ligji i Ri!
2. Qartësim i procedurave që kanë të bëjnë me zbatimin e nenit 75/1, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”.
Sipas këtij neni, nëse personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH, rezultojnë me tepricë kreditore dhe paraqesin, pranë drejtorisë rajonale tatimore,
kërkesën për rimbursimin e TVSH-së së paguar tepër, administrata tatimore, brenda 30 ditëve kalendarike, verifikon saktësinë e pretendimit,
njofton tatimpaguesin dhe realizon rimbursimin, kur plotësohen kushtet. Në rast të kundërt, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore, në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.
Në udhëzimin nr. 24, datë 2.9.2008 në zbatim të ligjit në fjalë, në pikën 75/1 në mënyrë të hollësishme përshkruhet e gjithë procedura që duhet ndjekur si nga administrata tatimore edhe nga tatimpaguesit.
Por koha ka treguar se ka paqartësi. Konkretisht nga drejtoritë lokale të tatimeve paraqiten pengesa referuar fjalës së përgjithshme “detyrime të tjera tatimore”.
Sipas rastit, mendimi i tyre është që në këtë term nuk përfshihen detyrimet që kanë të bëjnë me kontributet e sigurimeve.
Mbështetur në nenin 4 të këtij ligji, kontributet paraqiten si pjesë organike e llojit të tatimeve në tërësi, pavarësisht faktit që ato llogariten me ligjin specifik.
Aq më tepër që mbledhja e tyre bëhet e unifikuar me të gjitha llojet e tatimeve në përgjithësi, përfshirë kamatëvonesat e gjobat.
Për këtë propozojmë që të riformulohet si më poshtë pika 75/1/3 e udhëzimit të Ministrisë së Financave, nr. 24, datë 2.9.2008:
“75/1.3 Në rastin kur tatimpaguesi e kërkon, radha e kompensimit të detyrimeve (tatim, taksë, kontribut i sigurimeve shoqërore e shëndetësore) duhet të përcaktohet nga personi i tatueshëm,
si dhe përparësia e kompensimit do të bëhet sipas plotësimit (radhitjes) së rubrikave për llojin e detyrimit në formularin ‘Kërkesë për rimbursim’, i cili plotësohet në momentin kur tatimpaguesi kërkon rimbursimin e shumës së TVSH-së”.
3. Ndryshimi i skemës së shtyrjes së pagesës së TVSH-së në doganë dhe shikimi i mundësisë së heqjes së TVSH-së për makineri e pajisje të reja
Veprimtaritë e tatimpaguesve të destinuar për regjimin e përpunimit aktiv, krahas kërkesave për punë të gjallë dhe me çmim konkurrues, po karakterizohen nga kërkesa në rritje e ndryshimeve cilësore në teknologji bashkëkohore.
Vlera e investimeve (pothuaj tërësisht e huaj) vetëm është në rritje.
Skema ekzistuese e taksimit të TVSH-së në doganë vetëm se zgjat kohën e pagesës por nuk është aspak lehtësuese. Barra fiskale e importit është e lartë për këtë kategori,
kur ndërkohë me të drejtë ligji nga ana tjetër i ka përjashtuar nga pagesa e importit të lëndëve të para (neni 26/1, germa c, në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për TVSH-në”.
Kjo situatë kontradiktore, (lëndë të para të përjashtuara, por investime të taksueshme) mendojmë që duhet rishikuar. Vetëm për kategoritë e eksportuesve ka një logjikë të fortë ekonomike për të bërë ndryshime përmirësuese.
Për këtë do të sugjeronim një ndryshim ligjor.
Konkretisht në nenin 26, “Importimi i mallrave”, të ligjit ekzistues të TVSH-së, pas pikës 2.2, të shtohet pika 2.3 e formuluar si më poshtë:
“2.3. Për makineritë dhe pajisjet që importohen për t’u investuar nga personat e tatueshëm të autorizuar mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacione nën regjimin e përpunimit aktiv,
zbatohet sistemi i shtyrjes së pagesës së TVSH-së. Sipas këtij sistemi, TVSH-ja nuk paguhet në doganë në çastin e importit por shtyhet deri në dy vjet.
Për makineritë dhe pajisjet e reja që importohen për t’u investuar nga personat e tatueshëm të autorizuar mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacione nën regjimin e përpunimit aktiv,
zbatohet sistemi i përjashtimit nga pagesa e TVSH-së”
Ndërkohë që në vijim, do të duhej që VKM në fjalë të formulohej ashtu siç ka qenë më parë, për investimet në tërësi, pra vetëm me sistemim e brendshëm të rubrikave që lidhen me shitjet dhe blerjet.
4. Të kthehet në ligj trajtimi financiar për punëtorët e rinj deri në tre muaj
Hasim në një kontradiktë të madhe midis VKM përkatëse dhe zbatimit të saj nga zyrat e punës dhe inspektorati, me interpretime subjektive, të cilat lënë vend për korrupsion.
Gjithashtu të rregullohet me ligj i gjithë cikli punëdhënës-punëmarrës, që të mos i lihet vend interpretimeve subjektive të zyrave e inspektorateve të punës.
Kur themi gjithë cikli, nënkuptojmë që nga moment i rekrutimit në punë të një punëtori të ri, regjistrimin e tij, fillimin e punës në bazë të kushteve rigorozisht të përcaktuara, e deri në largimin e tij nga puna me apo pa dëshirën e tij.
5. Shkallët tatimore normale dhe të reduktuara
Fasonistët kanë një propozim konkret për këto nene dhe që është përjashtimi nga TVSH në doganë për rieksportet, për t’i shpëtuar kompleksit të rimbursimit që ka shumë probleme në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.