Më shumë se 1 milion njerëz demonstruan në të gjithë Francën ditën e enjte, kundër reformave të pensioneve.
Dhuna shpërtheu në disa vende, pasi sindikatat bënë thirrje për greva dhe protesta të reja mbarëkombëtare javën e ardhshme, që përkon me vizitën e planifikuar të mbretit Charles III në Francë.
Ministria e Brendshme tha se marshimi në Paris, përfshiu 119,000 njerëz, një rekord për kryeqytetin. Sondazhet thonë se shumica e francezëve e kundërshtojnë projektligjin e presidentit Emmanuel Macron, për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç, gjë që ai thotë se është e nevojshme për të mbajtur sistemin në këmbë.
Duke u mbështetur në pjesëmarrjen e madhe, sindikatat kërkuan me shpejtësi protesta dhe greva të reja të martën, kur mbreti britanik është planifikuar të vizitojë Bordo-në, në ditën e dytë të udhëtimit të tij në Francë. Dera e rëndë prej druri e bashkisë elegante të Bordeaux u dogj dhe u shkatërrua të enjten në mbrëmje, nga një pjesëtar i një demonstrate të paautorizuar.
Në mbarë vendin, më shumë se një milion njerëz iu bashkuan marshimeve protestuese, të mbajtura në qytete dhe qyteza anembanë vendit, tha ministria.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, duke vizituar selinë e policisë të enjten mbrëma, ndërsa zjarret ende digjeshin në disa lagje të Parisit, dha garanci se siguria “nuk përbën problem” dhe monarku britanik do të mirëpritet.
“Ka ngatërrestarë, shpesh të majtë ekstremë, që duan të rrëzojnë shtetin dhe të policinë dhe në fund të marrin në dorë institucionet,” tha ministri.
Demonstratat u mbajtën një ditë pasi Macron zemëroi më tej kritikët e tij, duke qëndruar i patundur në projektligjin e pensionit, që qeveria e tij detyroi miratimin në parlament pa votim.
“Ndërsa presidenti përpiqet të kthejë faqen, kjo lëvizje sociale dhe sindikaliste konfirmon vendosmërinë e botës së punëtorëve dhe të rinjve, për të tërhequr reformën,” thanë në një deklaratë tetë sindikatat që organizojnë protesta. Ai bëri thirrje për veprime të lokalizuara këtë fundjavë dhe greva dhe protesta të reja mbarëkombëtare të martën.
Grevat ndërprenë udhëtimet ndërsa protestuesit bllokuan stacionet e trenave, aeroportin Charles de Gaulle në Paris, rafineritë dhe portet.
Në Paris, betejat në rrugë mes policisë dhe grupeve të maskuara me të zeza, të cilët sulmuan të paktën dy restorante, një supermarket dhe një bankë, pasqyruan dhunën dhe tërhoqën vëmendjen nga dhjetëra mijëra marshues paqësorë.
Policia, e goditur nga kokteje molotovi, objekte dhe fishekzjarre, sulmoi disa herë dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Një mjegull gazi lotsjellës mbuloi një pjesë të Place de l’Opera, ku demonstruesit u mblodhën në fund të marshimit. Darmanin tha se radikalët ishin rreth 1500.
Dhuna dëmtoi marshime të tjera, veçanërisht në qytetet perëndimore të Nantes, Rennes dhe Lorient – ku një ndërtesë administrative u sulmua dhe oborrit të komisariatit iu vu zjarri dhe u thyen dritaret.
Protestat mbarëkombëtare të së enjtes, ishin demonstratat e nënta të organizuara nga sindikata që nga janari, kur kundërshtarët ende shpresonin se parlamenti do të refuzonte masën e Macron për të rritur moshën e daljes në pension. Por qeveria detyroi miratimin e saj, duke përdorur një masë të veçantë kushtetuese.
Në një intervistë të mërkurën, Macron refuzoi të tërhiqej nga pozicioni i tij, duke thënë se një ligj i ri është i nevojshëm, për të financuar fondet e pensionit. Kundërshtarët propozuan zgjidhje të tjera, duke përfshirë taksa më të larta për të pasurit ose kompanitë, të cilat Macron thotë se do të dëmtonin ekonominë. Ai këmbënguli se projektligji i qeverisë për rritjen e moshës së pensionit, duhet të zbatohet deri në fund të vitit.
Këshilli Kushtetues duhet të miratojë masën.
Trenat e shpejë dhe rajonalë, metroja e Parisit dhe sistemet e transportit publik në qytete të tjera të mëdha, u ndërprenë. Rreth 30% e fluturimeve në aeroportin Orly të Parisit, u anuluan.
Kulla Eifel dhe Pallati i Versajës, ku monarku britanik do të darkojë me Macron, u mbyllën të enjten për shkak të grevave. / Associated Press