Flet Ervin Bushati, deputet, Partia Socialiste
Programi ekonomik i Partisë Socialiste parashikon që gjatë katër viteve të ardhshme të garantohet një rritje ekonomike mesatare 4.5%, për të arritur në 5.5% në fund të mandatit të dytë. Ervin Bushati, ekspert për ekonominë nga kjo Parti pohoi se pritet hapja e 220 mijë vendeve të reja të punës.
Sa parashikohet të jetë niveli i taksave kryesore në programin për katër vitet e ardhshme të Partisë Socialiste dhe mbi ç’bazë parashikohen këto nivele?
Rruga drejt qëndrueshmërisë ekonomike dhe konsolidimit fiskal, në përputhje me objektivat e integrimit të Bashkimit Europian dhe me kërkesat për rritje të qëndrueshme, i ka dhënë formë modelit ekonomik dhe reformave të marra përsipër nga qeveria e Shqipërisë gjatë 4 viteve të fundit. Shqipëria ka bërë përpjekje drejt krijimit të një ekonomie tregu të mirëstrukturuar, e aftë për të përballuar presionet e konkurrueshmërisë dhe forcave të tregut.
Në vitin 2013 gjetëm një shtet të falimentuar. Kur erdhëm në pushtet, gjetëm një borxh publik prej 70.4%, sipas FMN. Nëse kjo qeveri nuk do të kishte bërë asgjë, atëherë nuk do të kishim ndërmarrë as ne reformat, siç janë pagat e policisë dhe jo vetëm, shëndetësia apo pensionet.
Kjo qeveri i qëndron politikave fiskale që ka aplikuar gjatë këtyre viteve. Ne i qëndrojmë aplikimit të taksës progresive. Falë taksimit të ndershëm, ne kemi kthyer në xhepat e 97% të qytetarëve më shumë se 360 milionë euro. Me taksimin e ndershëm që, kush fiton më pak, jep më pak, dhe kush fiton më shumë jep më shumë, kemi rritur me më shumë se 7.5% pagën reale për 97% të të punësuarve. Përmes politikave të zbatuara është bërë e mundur që të ardhurat e disponueshme për banor të jenë 580 mijë lekë, ose më shumë se 16% më të larta se sa në vitin 2013.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë më shumë për qytetarët tanë, të cilët kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë në modelin tonë qeverisës dhe modelin tonë të progresit. Me punë të madhe dhe dëshirë për progres gjatë katër viteve të ardhshme ne garantojmë një rritje ekonomike mesatare 4.5%, për të arritur në 5.5% në fund të mandatit të dytë.
Aktualisht, të ardhurat buxhetore janë rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe shpenzimet rreth 27-28% të PBB-së. Me planin tuaj të ri fiskal, sa pritet të jenë të ardhurat dhe shpenzimet për 4 vitet e ardhshme, si dhe niveli i investimeve kapitale?
Ne si mazhorancë i kemi bërë të gjitha detyrat në konceptet ekonomike se çfarë duhet bërë. Reformat strukturore, parametrat makroekonomikë janë mbajtur shumë mirë dhe rezultatet janë dhënë. Në këto vite qeverisjeje, unë nuk mendoja që do të kishim këto rezultate që kemi arritur. Deficiti është shumë i ulët, borxhi është nën kontroll, reformat strukturore janë shumë të thella, si dhe mbeten reforma e pensioneve, reforma në energji, reformat në financat publike.
Në një ekonomi maten tre parametra kryesorë, ku kryesori është rritja në raport me GDP-në, dhe për sa kohë rritja është pozitive dhe është e
kënaqshme, atëherë nuk duhet humbur durimi.
Gjatë mandatit të kaluar, pavarësisht rritjes së disa taksave (tatimfitimit, dividendit, akcizave), të ardhurat tatimore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2015 shënuan rënie të lehtë (nga 24% në 23.9%) dhe në 2016 u rritën në 24.6%, por duke qenë nën nivelin e vitit 2008. Si e shpjegoni që rritja e taksave nuk solli të ardhurat e pritshme në buxhet?
Ne nuk kërkojmë nga askush që të çohet dhe të brohorasë qeverinë. Ne nuk i themi askujt që sot, Shqipëria është një vend që po konkurron me fuqitë e mëdha ekonomike, për shkak të sukseseve tona. Absolutisht jo! Por ne nuk mund të mos jemi krenarë për faktin se reformat tona, sado të vështira, sado të dhimbshme, sado me kosto, në fund të ditës kthehen në të ardhura që shkojnë te njerëzit në nevojë.
As ne nuk jemi plotësisht të kënaqur me ritmin e ndryshimeve. Ne kemi nevojë të ecim më shpejt përpara. Çdo shqiptar që ndihet i lodhur sot, pas gjithë kësaj pune, duhet të ngrihet dhe të përpiqet të nxisë e të përkrahë edhe më tej përpjekjet që kemi nisur tashmë, sepse nëse qëndrojmë të gjithë të bashkuar, do të ecim edhe më shpejt drejt Shqipërisë që duam. Kemi bërë shumë. Më shumë mbetet për të bërë. Po ka edhe shumë për të humbur nëse kthehemi pas në të shkuarën.
Por ajo që vlen të theksoj, dhe e theksoj fort, është se Shqipëria ku ne jetojmë sot ka ndryshuar dhe vijon të ndryshojë. Shqipëria e vitit 2017 është shumë më e mirë, më e fortë dhe më e sigurt se Shqipëria e vitit 2013. Ne ndalëm krizën, rënien, kaosin, dëshpërimin dhe nisëm rimëkëmbjen, ndërtimin, rimodelimin ekonomik, konsolidimin e parametrave makroekonomikë e fiskalë dhe trajektoren pozitive të rritjes.
Si e prisni treguesin e borxhit publik, që sot është rreth 71% e PBB-së?
Borxhi i lartë publik është një kërcënim serioz ndaj rritjes ekonomike afatgjatë. Ne jemi tërësisht të ndërgjegjshëm se çmimin më të lartë të një borxhi publik të lartë e kërcënues, e paguajnë shtresat me të ardhura të mesme dhe të ulëta, veçanërisht shtresat në nevojë.
Po të kemi parasysh krizën globale, atë në Europë dhe mbi të gjitha në optikën tonë, ashtu si ne e morëm ekonominë nuk kishte premisa për të pasur një zhvillim, pra kishte një rritje tre herë më të vogël se kjo që kemi sot, kishim një deficit buxhetor 2-3 herë më të madh se ky që kemi sot. Ajo që dua të theksoj është se ne kemi punuar shumë për të ulur borxhin kombëtar dhe jemi i vetmi vend mesa di unë sot, të paktën në Europë, që ka një deficit buxhetor më të ulët sesa rritja ekonomike. Deficiti ynë buxhetor është 2%, ndërsa rritja 3.4%, pra të kesh një deficit buxhetor gati dy herë më të vogël se rritja ekonomike, është një super konsolidim fiskal. Me politikat tona të kujdesshme, ne garantojmë një deficit buxhetor nën nivelin 2% dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 60%. Ne premtuam kontrollin mbi borxhin publik, e mbajtëm, ndërsa në mandatin tonë të dytë borxhi do të bjerë nën 60% nga 70.4% e PBB-së.
Ajo që vërtet është e rëndësishme të nënvizoj është se ne i kemi mbajtur pjesërisht premtimet tona. Them pjesërisht, sepse në katër vite është e vështirë ta bëjmë Shqipërinë një vend ideal dhe të lulëzuar ekonomikisht, sepse ne e morëm Shqipërinë në themele dhe nëse themelet nuk ndërtohen të forta, ne nuk mund të hedhim bazat për të bërë çatinë e shtëpisë. Ne nuk kemi thënë asnjëherë na përgëzoni, sepse ne jemi më të mirët, kemi bërë çdo gjë të premtuar. Ne dimë të themi që kemi bërë shumë gjëra të mira për Shqipërinë dhe ekonominë e vendit. Këtë e tregojnë edhe vlerësimet e agjencive të rankimit dhe institucioneve ndërkombëtare për borxhin e Shqipërisë nga niveli B në B+.
Sa vende pune të reja parashikoni të hapni në mandatin e ardhshëm dhe konkretisht përmes cilëve sektorë do të vijë kjo rritje dhe si do ta nxisni ju?
Për ne, punësimi është një e drejtë e patjetërsueshme e çdo qytetari të aftë për punë. Ne e konsiderojmë punën dhe punësimin si mjetin e parë e të patjetërsueshëm në luftën kundër varfërisë dhe uljen e pabarazisë. Gjatë mandatit tonë të parë, ne rritëm punësimin e të rinjve me 4.5% dhe ulëm papunësinë me 3.2% krahasuar me vitin 2013.
Përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, zbatimi i reformës në drejtësi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, aplikimi i politikave nxitëse në sektorët prioritarë, si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës, do të jenë faktorët kryesorë që do të bëjnë të mundur krijimin e 220 mijë vendeve të reja të punës në mandatin tonë të dytë.
Si do të bëhet e mundur kjo, është pyetja e çdo skeptiku. Është shumë e thjeshtë. Gjatë katër viteve të ardhshme, ne do të bëjmë të mundur punësimin e të rinjve nëpërmjet mbështetjes së programeve “start-up”, shkollimit dhe formimit profesional, do të rrisim pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrjet politike, do të ruajmë dhe do të mbrojmë shëndetin e të rinjve përmes politikave të integruara shëndetësore dhe masivizimit të kulturës sportive.
Fokusi ynë është dhe do të vijojë të jetë punësimi i të rinjve me formimin e duhur profesional. Gjatë katër viteve të ardhshme, ekonomia jonë do të krijojë mundësi që norma e papunësisë të ulet për herë të parë nën nivelin 8.2% pas më shumë se dy dekadash.
Sot, në Shqipëri, rreth 30% e të punësuarve janë të vetëpunësuar në biznese mikro, niveli më i lartë i vetëpunësimit në Europë, pas Greqisë. Ky model nuk po funksionon më, për shkak të zgjerimit të qendrave tregtare dhe rrjetit të supermarketeve dhe njësive të tjera të mëdha tregtare. Kjo po çon në mbylljen masive të bizneseve të vogla, pavarësisht se taksat që paguajnë ata janë pothuajse zero. Si parashikoni që të zgjidhet ky handikap në ekonominë vendase?
Rilindja Urbane krijoi shumë vende të reja pune. Kështu që kur PD-ja kritikon Rilindjen Urbane tregon sërish se sa të paditur dhe të paaftë janë ata për sa i përket menaxhimit të ekonomisë. Çdo Euro e investuar në rrugët dhe hapësirat tona publike është një Euro e investuar për punësimin e shqiptarëve.
Partia Socialiste, sot është me gojën plot, kur troket në derën e një biznesi të vogël, ku ka një familje të vetëpunësuar, sepse mund t’i thotë se pas shumë vitesh, taksa jote është zero dhe taksa jote u bë zero. E them edhe një herë, ka ende shumë për të bërë, natyrisht, sepse po të mos kishte, do të shkonim të gjithë në shtëpi. Unë po ju flas me shifra. Nga tatimi i biznesit të vogël 0%, përfituan 83 mijë familje, ndërsa nga tatimi i fitimit vetëm 5% për bizneset e mesme, përfituan 17 mijë biznese.
Sot 93% të bizneseve të vogla, 100 mijë biznese, i kemi lehtësuar nga barra tatimore, si dhe kemi krijuar 60 lehtësi fiskale për sipërmarrjen.
Unë e kuptoj që shpeshherë të zhgënjyer nga politika apo nga premtimet shumë të mëdha apo nga shifrat shpeshherë të rreme, qytetarët mund ta kenë humbur durimin me politikëbërjen apo edhe me zhvillimin ekonomik. Megjithatë, duhet ta kuptojmë të gjithë që sot jemi shumë më mirë sesa 10 vite më parë, sot jemi më mirë sesa tre vite më parë, dhe nesër unë kam shumë shpresë dhe besim profesional që do të kemi një ekonomi më të aftë të performojë dhe ta përçojë te qytetarët këtë mirëqënie, e cila vërtet vonon por nuk harron, do të vijë patjetër dhe ka filluar të ndihet. Por nuk duhet humbur besimi, pasi fakti që nuk bëjmë dot gjithçka brenda natës, nuk duhet të na dëshpërojë.
Cilët janë sektorët që ju konsideroni prioritarë dhe si do t’i nxisni konkretisht ata?
Kemi shumë për të bërë shtet, por shtetin që duam nuk e kemi bërë ende. Në këto katër vite, kemi dhënë vetëm provën që vetëm ne mund të bëjmë shtet. Një çerekshekulli, shteti ka qenë në punë të vet, njerëzit në punë të tyre dhe të gjithë kush t’ia hedhë tjetrit. Gjysma paguante energjinë, gjysma e vidhte. Të gjithë pensionistët, më të varfrit e pagunin rregullisht energjinë, ndërsa ata që bënin të fortin dhe nuk njihnin as ngjyrat e semaforëve dhe i trajtonin policët e shtetit sikur i kishin shërbëtorë, jo vetëm që nuk e paguanin, por e vidhnin energjinë. Kështu ka ndodhur me taksat, me kontributet, kush i paguante e kush jo. Në gjithë këto vite, mijëra njerëz punonin në të zezë si skllevër, pa sigurime shëndetësore, pa sigurime shoqërore. Ne nuk e duam këtë shtet për fëmijët tanë, ne duam një vend më të mirë për të ardhmen e tyre nesër. Ndaj them me bindje që ne jemi alternativa më e mirë për të arritur këtë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë dhe të ngjashëm me fqinjët tanë.
Që në fillimet e qeverisjes sonë, ne kemi pasur një program të qartë se çfarë duhet bërë dhe ku duhet të shkojmë për të pasur një qeverisje sa më të mirë dhe sa më produktive për qytetarët. Shtyllat kryesore të kësaj qeverisjeje janë disa, pasi në vendin tonë ka mjaft për të bërë, por tre mbeten fushat kryesore – arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Këto janë tre fusha ku asnjëherë nuk mjafton investimi, si dhe janë sfida për çdo shtet të zhvilluar. Gjithashtu, një nga reformat më të vlerësuara dhe më të rëndësishme për ekonominë në Shqipëri është reforma në sektorin energjetik. Por nuk duhet të harrojmë që janë marrë shumë reforma për të stabilizuar dhe për të rritur performancën ekonomike, si ulja e ekonomisë informale, tregtia e jashtme, lehtësimi i investimeve, reduktimi i barrierave për biznesin, punësimi etj.
Socialistët shqiptarë janë të vendosur që me përgjegjshmërinë dhe modestinë, këmbënguljen, qartësinë dhe moralin e forcës sonë politike të arrijnë objektivat që i kanë vendosur vetes për Shqipërinë që duan.
Çfarë modeli ekonomik propozoni për Shqipërinë dhe si do t’i orientoni bizneset drejt sektorëve prioritarë, teksa sot po shihet që sërish kapitali i lirë po derdhet në ndërtime masive?
Programi i Reformave Ekonomike 2017-2019 përmban disa reforma, si: menaxhimi i financave publike, energjia, transporti dhe tregjet e telekomit, zhvillimet sektoriale, klima e biznesit dhe ulja e ekonomisë informale, kërkim dhe inovacion, tregtia e jashtme dhe lehtësimi i investimeve, arsimi dhe aftësimi, punësimi dhe tregu i punës, përfshirja sociale, ulja e varfërisë dhe shanset e barabarta. Ndërkaq, në fushën e klimës së biznesit dhe uljes së ekonomisë informale, dy reformat kryesore janë: reduktimi i barrierave për biznesin dhe implementimi efektiv i planit kombëtar për reduktimin e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar.
Modeli ekonomik që po ndërtojmë synon rritjen e vlerës së shtuar të prodhimeve vendase. Rritja e prodhimit vendas, rritja e punësimit, rritja e produktivitetit të punës, si dhe lufta kundër informalitetit, do të mundësojnë që njerëzit të fitojnë më shumë dhe të përfitojnë paga më të larta. Beteja jonë me informalitetin do të vazhdojë, në emër të mbrojtjes së punës dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët, por edhe të garancisë se merita dhe profesionalizmi do të marrin shpërblimin e duhur. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër pabarazisë dhe kundër varfërisë.
Ne duam një Shqipëri ku të mbizotërojë rregulli dhe shteti i së drejtës. Nuk duam një Shqipëri Kaosi, ajo që Republika e re na ka prezantuar këto kohë. Janë qytetarët ata të cilët më 25 qershor do të vendosin nëse do të ecim përpara së bashku dhe me PS-në drejt Shqipërisë që duam, me shtet, punë dhe mirëqenie, ose do të kthehemi pas me njerëz që nuk janë ende gati për të udhëhequr, si Basha, në kaos, destabilitet, në një sistem me borxhe dhe fatura të papaguara, ndërtime të paligjshme dhe gjyqtarë të korruptuar, në të shkuarën e papunësisë dhe me një ekonomi të rrënuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.