Mposhtje pa gol. Kjo lojë e bukur është përfshirë në një situatë të shëmtuar financiare
Nëse një ndeshje futbolli nuk ndiqet nga asnjë tifoz, as në tribuna dhe as në televizion, a ka ndodhur vërtet? Kjo dilemë dikur mund ta kishte argëtuar Albert Kamynë, një portier i shkëlqyer i cili u mor edhe me filozofi.
Është gjithashtu një pyetje ekzistenciale, edhe për klubet franceze të futbollit. Së pari, COVID-19 i privoi ata nga tifozët në stadiume. Më pas, partneri kryesor i transmetimit të kampionatit nuk pagoi detyrimin. Ekipet që dikur kishin frikë nga rënia, tani shqetësohen për falimentim, shkruan The Economist.
Këtë vit, Liga 1 e Francës shpresonte të niste udhëtimin e saj drejt elitës europiane. Megjithëse ekipi kombëtar fitoi Kupën e Botës, kampionati i brendshëm ku luajnë shumë nga yjet e tij, nga ana financiare, nuk është në nivelin e ligave më të pasura në Angli, Gjermani, Itali dhe Spanjë. Një marrëveshje e madhe transmetimi që nis këtë sezon, me vlerë mbi 1 miliard euro (1.2 miliardë dollarë) në vit, 60% më shumë se marrëveshja e mëparshme, do ta ndihmonte pa dyshim të dilte nga gjendja e vështirë.
Marrëveshja ishte tepër e madhe edhe për Mediapro, grupin spanjoll të transmetimit me mbështetës kinezë, që blenë shumicën e ndeshjeve. Kanali që do të shfaqte ndeshjet e Ligue 1 tërhoqi pak shikues. Duke u ndodhur ngushtë për para, kompania pagoi vetëm një këst tremujor në gusht, pastaj i ndaloi fare pagesat. Në dhjetor, kontrata u anulua.
Më 1 shkurt, u zhvillua një ankand për të zëvendësuar Mediapro. Por nuk u gjet asnjë blerës i besueshëm. Canal +, një grup televiziv me pagesë i kontrolluar nga Vincent Bolloré, një manjat i mediave, për habi nuk bëri ndonjë ofertë. Pasi humbi disa të drejta ekskluzive të futbollit në vitin 2018, Canal + thotë se mund të jetojë pa Ligue 1 (megjithëse ende transmeton disa ndeshje).
Shumë mendojnë se grupi televiziv mund të ndryshojë mendje, por ai ofron shumë më pak sesa Mediapro. Amazon gjithashtu ka treguar interes për të drejtat e transmetimit, por ka ofruar kushte më të ashpra se transmetuesit tradicionalë. Kanalet televizive mund të bëjnë oferta vetëm për një ndeshje çdo herë, jo disa njëkohësisht.
Tani për tani, futbolli francez nuk ka arritur asnjë marrëveshje transmetimi për shumicën e ndeshjeve – një katastrofë për klube që mbështeten në të drejta të tilla për një të tretën e të ardhurave të tyre (edhe më tepër për ekipet më të vogla). Ata tashmë ndodhen përballë një sezoni të tërë pa marrë fatura pagese. Sponsorët e goditur nga pandemia kanë më pak para për të ofruar.
Transferimet e lojtarëve, një burim tradicional parash, janë të ndërlikuara në një treg të rënduar. Klubet në gjendje të vështirë kanë qenë në gjendje të përdorin bankat për kredi të mbështetura nga shteti. Por një ndihmë publike për një industri që i shpërblen yjet e saj me kontrata multimilionere duket paksa e papërshtatshme.
Ligat e tjera europiane janë gjithashtu në gjendje të vështirë. Disa, si Premier League angleze, ofruan ulje për transmetuesit gjatë krizës COVID-19. Një ankand në janar për të drejtat e Serisë A të Italisë nuk arriti të mbahej. Një grup klubesh europiane vlerëson se 360 skuadra do të kenë nevojë për ndihmë financiare për të mbijetuar. Futbolli francez dëshironte të shihej si më konkurrenti në Europë. Tani do të ishte i lumtur vetëm të shihej.
Burimi: The Economist