Në morinë e sondazheve të kryera prej medias për të zbuluar politikanin e vitit, femrën më të suksesshme apo edhe për të parë se si anon opinioni i lexuesve mbi një çështje të caktuar të ditës, Monitor ofroi për herë të parë në vitin 2003 një sondazh të veçantë: zbulimin e bankës më të mirë të vitit në Shqipëri. Qëllimi i një vlerësimi të tillë nuk ishte të shpallej banka më e mirë dhe të tjerat automatikisht të konsiderohen si banka të këqija. Qëllimi është t i ofrohet lexuesit më shumë infomacion mbi ecurinë e sistemit bankar dhe të bankave në vend. Sot, kur funksionojnë jo pak banka dhe kur mundësitë e klientëve për të zgjedhur janë më të shumta se dje, gjithmonë e më tepër merr rëndësi informacioni që mundëson edhe vendimmarrje të mirë. I takonte revistës Monitor, si e vetmja revistë në vend që trajton çështjet e ekonomisë dhe të financës, të kryente edhe këtë shërbim për lexuesit e saj. Mbi të gjitha vlerësimi kryhet në mënyrë profesionale, jo mbi bazë opinionesh, prandaj konkluzionet që ai ofron janë të pranueshme dhe të dobishme. Së pari, burimi i informacionit janë pasqyrat financiare të bankave të përfshira në vlerësim. Kjo siguron një burim të saktë dhe standard informacioni. Së dyti, kriteret (treguesit) mbi bazën e të cilëve bëhet vlerësimi, mbulojnë pothuaj krejt aktivitetin e një banke, duke evidentuar ecurinë e një banke gjatë një viti. Së treti, banka analizohet jo vetëm sipas madhësisë, që ka në treg (totali i aktiveve, totali i kapitalit bazë, totali i fitimeve), por edhe sipas tendencës (ritmet e rritjes) apo treguesve të rentabilitetit dhe cilësisë së investimit. Nëse do të bazoheshim vetëm në treguesit e madhësisë, siç ka vlerësime të tilla nga revista ekonomike në Botë, do të përftonim një rezultat të pandryshueshëm. Në çdo vit Banka e Kursimeve do të shpallej më e mira, sepse dihet tashmë se kjo bankë dominon tregun bankar. Duke përfshirë në vlerësim treguesit e dinamikës, mund të evidentojmë bankën, që jo vetëm ka një peshë të konsiderueshme në treg, por që e ka zgjeruar në masë të konsiderueshme aktivitetin e saj, duke u kujdesur njëkohësisht për rritjen e rentabilitetit e të efikasitetit. Me pak fjalë gjejmë bankën më të mirë të vitit. Duhet të theksojmë se ky vlerësim bëhet vetëm mbi bazën e informacionit që raportohet prej bankave, jo mbi bazën e hulumtimeve apo të kontrolleve të dokumentacionit dhe informacionit bankar. Këtë e bëjnë autoritete të tjera më të specializuara.Në këtë numër zbuluam bankën më të mirë të vitit 2003. Të shohim se cila do të jetë banka më e mirë vitin e ardhshëm…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.