Kryeqyteti i Argjentinës, Buenos Aires, është qyteti me më shumë librari në botë, përveçse ka një numër të konsiderueshëm baresh dhe klubesh letrare.
Kryeqyteti i Argjentinës ka një pasuri të madhe letrare, përveçse një histori të pasur kulturore dhe artistike. Sipas të dhënave të World Cities Culture Forum, Buenos Aires është qyteti me numrin më të madh të librarive për frymë. Në muajin prill të çdo viti (këtë vit nga data 25 prill deri më 13 maj), qyteti mirëpret Panairin më të madh Ndërkombëtar të Librit, me botues, koleksionistë dhe adhurues të librave që vijnë në qytet për të zbuluar të rejat dhe për t’u zhytur në atmosferën letrare që ofron qyteti.
Në Buenos Aires, adhuruesit e librit nuk duhet të lënë pa vizituar kurrsesi disa vende, ndër ta Avenida Corrientes, me një numër të madh dyqanesh ku mund të gjeni libra të rinj dhe të përdorur, që arrijnë të mbijetojnë falë një ligji që përcakton një lloj çmimi fiks për librat, që shiten në zinxhirët e dyqaneve e mëdha apo të pavarura.
Në këtë zonë ka edhe ndërtesa të ndryshme me vlerë të madhe arkitekturore, ndër të cilat libraria më e madhe e vendit, një hostel kushtuar Kafkës dhe lokale të shumta që frekuentohen nga lexuesit.
Numri i madh i këtyre bizneseve ka kontribuar në rritjen e numrit të aktiviteteve kulturore që organizohen, duke përfshirë prezantimin dhe leximin e librave të autorëve të publikuar, workshope të ndryshme, të shoqëruara thuajse gjithnjë nga muzike live.
Në Buenos Aires ndodhet edhe libraria më e bukur në botë, El Ateneo Grand Splendid, në Avenida Corrente, dikur një teatër i vjetër, e cila këtë vit feston 100-vjetorin me më shumë se 180 mijë libra, 30 mijë disqe dhe 20 mijë filma në shitje.
Në anën tjetër, libraria Falena është më e fshehur dhe më e vogël, në zonën Palermo – një tip oazi me linja të pastra, dritë natyrore dhe një përzgjedhje librash të zgjedhur me kujdes – që mund të lexohen mes orendive moderne dhe një bari në tarracë, ku mund të shijoni edhe një kafe apo një gotë verë, pasi të keni shfletuar librat në raste. Turistët që nuk flasin spanjisht mund të ndalen në Walrus Books, një librari angleze ku mund të gjeni gjithë llojet e artikujve.
Një tjetër vend për të mos u humbur është Jardin del Invierno, vendi ideal për të lexuar një libër pranë Suites Hotel, që shumë njerëz e pëlqejnë për hapësirën e qetë dhe ideale për të lexuar një libër apo për të marrë një sy gjumë.
Duke qenë se banorët vendas dhe turistët janë mjaft të interesuar ndaj pasurisë artistike të qytetit, në Buenos Aires ka edhe shumë bare të cilat janë shndërruar në një pikëtakimi për adhuruesit e librit si Café La Poesia, e hapur në lagjen boheme të San Telmo nga shkrimtari Rubén Derlis, një vend i frekuentuar dikur nga shkrimtarë si Federico García Lorca dhe Julio Cortázar.
Për adhuruesit e këtyre autorëve, të cilët kanë lindur apo kanë jetuar në një periudhë të caktuar në Buenos Aires, ndër të cilët Jorge Luis Borges, Julio Cortázar dhe Alejandra Pizarnik e cila i dha fund jetës së saj të shkurtër pikërisht në qytetin argjentinas, zhvillohen edhe disa ture letrare kushtuar atyre.