Pse duan t’i bashkohen Eurozonës Bullgaria dhe Kroacia

14/08/2020 10:02 PM 0 komente

Të dyja vendet kanë hyrë në “Dhomën e pritjes” së euros, por ekonomitë më të mëdha mbeten rezistente ndaj monedhës së përbashkët.

Gjatë dy dekadave të mbizotëruara nga kriza, shumë persona menduan se euro nuk kishte rrugë tjetër veç tërheqjes.
Në fillim Greqia dhe së fundmi Italia, flirtuan me idenë e shkëputjes së lidhjeve me bashkimin monetar të 19 anëtarëve të Eurozonës. Diferencat e mëdha midis tyre dolën sërish në pah këtë vit. Por tani, zgjerimi i bllokut është një skenar më i mundshëm sesa largimi i një shteti.

Bullgaria dhe Kroacia iu bashkuan “Dhomës së pritjes” të monedhës së përbashkët javën e kaluar, të patrazuara nga tensionet brenda Eurozonës mbi përgjigjen e saj ekonomike ndaj Covid-19.

“Duke kundërshtuar valën e tanishme në politikën europiane për të ngadalësuar zgjerimin e BE-së, Bullgaria dhe Kroacia po dëshmojnë se integrimi në BE është i mundur”, thotë Valentin Tataru, ekonomist i ING-së.
Të dyja vendet ndërmorën atë që presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, e quajti një “hap të madh” drejt anëtarësimit, duke u pranuar në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit II.

Sidoqoftë, ndërkohë, Polonia, ekonomia më e madhe e BE-së jashtë Eurozonës, duket se është tërhequr edhe më larg Eurozonës në zgjedhjet e saj të fundit presidenciale, dhe shtetet e tjera mbeten rezistente. A është e parakohshme frika për fundin e bllokut?

Covid-19 ka ekspozuar dallime të thella midis anëtarëve të bllokut verior dhe jugor, dhe disa drejtues kanë paralajmëruar gjatë tensioneve se virusi mund ta copëtojë lidhjen. Bullgaria dhe Kroacia janë dy ekonomi që megjithatë shohin një mundësi në anëtarësim.

“Zakonisht kur vendet bashkohen me një monedhë të fortë dhe të qëndrueshme, ata përpiqen të importojnë stabilitetin makroekonomik dhe të importojnë besueshmërinë e vendeve më të mëdha”, shpjegon Christian Odendahl, kryeekonomist në Qendrën për Reformën Europiane.

Ai thotë se ekonomitë më të vogla, si Bullgaria dhe Kroacia, mund të gëzojnë më shumë stabilitet, të intensifikojnë lidhjet tregtare dhe të fitojnë ndikim politik, duke zënë një vend në tryezën e euros.
Claus Vistesen, ekonomist i Eurozonës në Pantheon Macro, shpjegon se këto ekonomi të vogla rreth Eurozonës “pak a shumë ndjekin modelin e BQE-së” mbi politikën.

“Nëse Bullgaria ose Rumania kanë një politikë monetare mjaft të ndryshme se BQE-ja, tregu monetar do ta reflektonte këtë dhe ato ndoshta do të detyroheshin të hynin në linjë”, shpjegon ai.
“Avantazhet ekonomike janë mjaft të dukshme në një plan të afërt. Shtetet do të humbnin paksa autonomi ekonomike, por këtë autonomi gjithsesi ata nuk e kanë tashmë”.

Të dyja vendet ende përballen me pengesa përpara se të mund të bëhen anëtarë të Eurozonës. Përpara pranimit në ERM-2, duhet që monedha vendase të qëndrojë brenda një intervali të caktuar për dy vjet, për të lehtësuar hyrjen në bllok. Por Tataru paralajmëron se Bullgaria dhe Kroacia ende nuk kanë plotësuar disa kërkesa të tjera për të hyrë në Eurozonë.

“Kriteret e inflacionit për Bullgarinë mund të jenë më të ndërlikuara sesa duket, ndërsa raporti relativisht i lartë borxh-PBB në Kroaci do të jetë problemi i saj kryesor”, shpjegon ai.
Për më tepër, ata pritet të kenë një ndikim të papërfillshëm në bllok, qoftë ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Madhësia e kombinuar e ekonomive të tyre është më pak se 5% e PBB-së së Mbretërisë së Bashkuar dhe të dyja vendet kanë një prodhim më të ulët se Etiopia, Guatemala dhe qytet-shteti i Luksemburgut. Kjo zvogëlon rrezikun e ndonjë katastrofe të stilit grek, por pranimi i tyre në klub shton pak vlerë.

Më e rëndësishmja, mungesa e vendeve shumë më të mëdha të BE-së në Eurozonë, është mjaft e dukshme. Rajoni është i rrethuar nga disa ekonomi të mëdha që janë rezistente ndaj bashkimit, përfshirë Suedinë, Danimarkën, Hungarinë dhe Poloninë.
“Për Poloninë përfitimet ekonomike mund të mos jenë aq të mëdha, po ashtu edhe për Danimarkën dhe Suedinë, të cilat kanë monedha të qëndrueshme dhe sigurisht që nuk kanë probleme me besueshmërinë”, shpjegon Odendahl.
“Polonia tashmë është integruar mjaft thellë në zinxhirët e furnizimit të Europës, pavarësisht se ka një monedhë të ndryshme”.

Udhëheqësit në Poloni, ekonomia e 21-të më e madhe në botë, e kanë sulmuar euron dhe vendi nuk ka gjasa t’i bashkohet Eurozonës së shpejti. Kreu i bankës qendrore dhe partia qeverisëse, Ligji dhe Drejtësia (PiS), kanë folur haptazi kundër adoptimit të euros, dhe fushatat pro-europiane në Poloni pësuan një goditje javën e kaluar.

Marrëdhëniet me BE-në ishin një çështje thelbësore në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Poloni, të cilat u fituan ngushtë nga kryeministri aktual Andrzej Duda, i cili është me partinë PiS. Ndërkohë, qeveria dhe banka qendrore e Hungarisë gjithashtu e kanë përjashtuar anëtarësimin në Eurozonë.

“Unë nuk e shoh domosdoshmërisht si destinacionin përfundimtar për Republikën Çeke dhe Poloninë, por për Bullgarinë dhe Kroacinë, është një hap i madh politik”, thotë Odendahl. Megjithëse qëllimi i Bullgarisë dhe Kroacisë për t’iu bashkuar Eurozonës është mirëpritur në Frankfurt, çmimet më të mëdha mbeten ende të pakapshme për bllokun.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of