Pse kemi surpriza, kur dalin rezultatet reale të zgjedhjeve

19/02/2021 10:10 PM 0 komente

Intervistë me Edmond Çera, drejtor i Departamentit të Hulumtimit tek IDRA

 

Në një intervistë për revistën “Monitor”, Edmond Çera, drejtor i Departamentit të Hulumtimit në kompaninë e kërkimeve IDRA, shpjegon standardet që duhet të ndiqen për të kryer një sondazh të besueshëm. Sipas tij, anketat e lidhura me bindjet apo opinionet politike janë më sensitive, sepse njerëzit nuk ndihen gjithmonë komodë për të shprehur lirisht mendimet për këto tema.

Në këto raste, është e rëndësishme sesi hartohet instrumenti i kërkimit, pyetësori, është i rëndësishëm dhe duhet aftësia e kërkuesit për ta bërë pyetësorin sa më të natyrshëm e të qartë. Sipas tij, nëse e gjithë metodologjia e ndjekur është korrekte, rezultatet e sondazheve që kryhen afërsisht në të njëjtën kohë nuk duhet të jenë shumë të ndryshme, ose të kundërta nga njëri-tjetri. Si shpjegon se pse ndodh që kemi surpriza në fund të sondazheve.

 

Çfarë kriteresh duhet të përmbushë një sondazh për të qenë i besueshëm ose të paktën korrekt nga pikëpamja teknike?

Një nga elementet që i shton besueshmëri një ankete të caktuar është madhësia e kampionit apo numri i të intervistave. Sa më i madh kampioni, aq më i afërt është rezultati me realitetin. Është si me një hartë, ku sa më e vogël të jetë shkalla e konvertimit, aq më e detajuar është pamja që jep. Për një kampion solid në të gjithë Shqipërinë, ne veprojmë me 800-1000 intervista e sipër.

Ne duhet të synojmë një marzh gabimi sa më të vogël të mundshëm. Marzhi i gabimit për një sondazh me 1000 të intervistuar është +/- 3.1%. Kjo është një e dhënë që gjithmonë duhet bërë e qartë në prezantimin e rezultateve të sondazhit. Rritja e kampionit e ul marzhin e gabimit, megjithatë përfitimi që merr përtej 1000 intervistave nuk është edhe aq i madh. Kjo do të thotë që, nëse ndjek metodologjinë e duhur, me 1000 intervista, ti mund të nxjerrësh një rezultat përfaqësues. Por, sigurisht që nuk mjafton vetëm kampioni.

Një rol të rëndësishëm luan edhe shpërndarja, ku ka disa teknika që duhen zbatuar. Më e rëndësishmja është që përzgjedhja e të intervistuarve të jetë rastësore. Nëse përzgjedhja bëhet e qëllimshme, rezultatet do të devijonin nga ato përfaqësuese. Për të siguruar përzgjedhjen e rastit, ka disa metoda që mund të ndiqen.

Rastësi të përkryer nuk ka, por, nëse aplikohen metodat e duhura, shkon shumë afër asaj që mund ta quajmë rastësi optimale. Rezultatet, për rrjedhojë janë solide. Procesi i intervistimit kërkon edhe kryerjen e kontrolleve, për t’u siguruar që përzgjedhja e të intervistuarve dhe kryerja e intervistave është bërë sipas kritereve të përcaktuara.

Në rastin e intervistave në terren, intervistuesi merr udhëzime të qarta për vendin ku do të kryejë intervistat, mënyrën sesi do të përzgjedhë dyert ku do të trokasë, etj. Respektimi i këtyre rregullave garanton shpërndarjen e kampionit sipas parimit të rastësisë, ku secili ka probabilitet apo shans për t’u bërë pjesë e anketës. Tani teknologjia ka avancuar, ndaj kontrollet dhe monitorimet janë edhe më të lehta. Shumica e kompanive i bëjnë intervistat me tableta.

Kjo teknologji ka sjellë shumë përfitime në botën e kërkimit, sepse mënjanon shumë gabime. Tableta raporton me GPS vendndodhjen e saktë të të intervistuarve, kohëzgjatjen e intervistës, zhvillimin e të gjitha pyetjeve, etj. Por, sigurisht që kjo nuk mjafton. Ne si kompani kryejmë telefonata konfirmimi dhe verifikimi për 10-15% të intervistave të suksesshme. Këto janë elemente që i shtojnë besueshmërinë një ankete.

 

Sa bie marzhi i gabimit me zgjerimin e kampionit të të intervistuarve sipër bazës prej rreth 1000 intervistash?

Nuk bie shumë. Për shembull, nëse bëjmë 1600 intervista, marzhi i gabimit mund të ulet në 2.5-2.6%. Kjo gjithmonë nëse metodologjia e ndjekur në shpërndarjen e kampionit është korrekte. Sidoqoftë, madhësia e kampionit gjykohet edhe në raport me incidencën totale. Për shembull, në rastin e zgjedhjeve, kampioni duhet të përfaqësojë popullatën mbi 18 vjeç.

Por, mund të ketë studime specifike që targetojnë një segment më të kufizuar të popullsisë. Për shembull, nëse bëjmë një studim për sjelljen e shoferëve në drejtimin e automjeteve, atëherë incidenca për të gjetur një shofer në 1000 banorë nuk është e njëjtë me gjetjen e një votuesi. Por, te rasti i sondazhit për zgjedhjet është më e thjeshtë, sepse çdo qytetar mbi 18 vjeç është i kualifikuar për t’u bërë pjesë e intervistës.

 

Si garantohet shpërndarja e kampionit sipas kritereve gjeografike, por edhe atyre që lidhen me statusin arsimor, social apo ekonomik të të intervistuarve?

Shpërndarja duhet të jetë përfaqësuese për të gjithë vendin. Kontributi i intervistave nga një zonë e caktuar duhet të jetë proporcional me pjesën që zë kjo zonë kundrejt popullsisë së përgjithshme të vendit. Kriter tjetër i rëndësishëm është shpërndarja mes zonave urbane dhe rurale. Ne këtë e bëjmë nëpërmjet një teknike që quhet randomizim i zonave ku e dërgojmë anketuesin. Për sa u takon kompozimit të parametrave demografikë, si arsimi, niveli i jetesës, gjinia, etj., në parim, teknika e përzgjedhjes rastësore, e mundëson një gjë të tillë. Ka teknika për përzgjedhjen e të intervistuarve.

Për shembull, nëse intervistuesi shkon në një familje, ai nuk duhet të intervistojë patjetër atë që i hap derën ose kryefamiljarin. Përzgjedhja ka teknika. Për shembull, pjesëtarët e familjes listohen dhe algoritmi i tabletës tregon personin që duhet marrë në intervistë. Nëse aplikohen këto teknika të përzgjedhjes rastësore, në parim, parametrat demografikë duhet të mbulohen. Për të garantuar që kjo arrihet, është shumë e rëndësishme që të kryhet monitorimi dhe validimi i intervistave.

 

Një pyetje në veçanti për sondazhet që tentojnë të fotografojnë votën apo preferencat politike. A ka elemente specifike të natyrës teknike që duhen ndjekur në këto sondazhe, apo teknikat e përdorura janë të njëjta, pavarësisht se cili mund të jetë qëllimi?

Ideja është që anketat e lidhura me bindjet apo opinionet politike janë më sensitive sesa anketat e tjera, sepse njerëzit nuk ndihen gjithmonë komodë për të shprehur lirisht mendimet e tyre për këto tema. Në parim, metodologjia nuk duhet të ndryshojë. Çështja sesi e menaxhon sondazhin dhe sesi hartohet instrumenti i kërkimit, pyetësori, është i rëndësishëm dhe duhet aftësia e kërkuesit për ta bërë pyetësorin sa më të natyrshëm e të qartë. Pyetjet duhet të jenë sa më të qarta dhe asnjanëse.

Ky është një element shumë i rëndësishëm për të gjitha sondazhet. Jo vetëm që pyetjet duhet të jenë sa më të qarta dhe të kuptueshme nga i intervistuari, por ato nuk duhet të tentojnë ta orientojnë të intervistuarin në një drejtim të caktuar, ose ta shtyjnë të japë një përgjigje të caktuar. Një element tjetër i rëndësishëm kur flasim për pyetësorin është që ai të mos jetë shumë i gjatë. Me zgjatjen e intervistës, i intervistuari mund të lodhet dhe të humbasë përqendrimin apo durimin. Kjo bën që ai të japë përgjigje të pamenduara shumë, për ta mbyllur sa më parë intervistën.

 

Sidomos kur flasim për sondazhe sensitive, si ato që lidhen me votën, a është faktor me rëndësi teknika e intervistimit?

Ne nuk mendojmë se ky është një element me shumë rëndësi. Madje, ka tema për të cilat ti mund ta mbledhësh më mirë informacionin duke mos e pasur përballë të intervistuarin. Gjithashtu, një nga avantazhet e intervistave me telefon është që, nëse metodologjia e përzgjedhjes së numrit është rastësore, ne jemi më pranë parimit të randomizimit sesa kur e kryejmë intervistën ballë për ballë. Ne kemi një platformë që numrat telefonikë i gjeneron në mënyrë rastësore. Nga ana tjetër, disavantazhi është se në telefon nuk mund të bësh intervista shumë të gjata. Sidoqoftë, ne si IDRA i përdorim të tria teknikat.

 

Sidoqoftë, për tema delikate si vota, në mjedisin shqiptar intervistat telefonike mund të ngjallin dyshim apo mosbesim tek të të intervistuarit…

Ky është një rrezik që duhet ta llogaritësh, kur zgjedh të përdorësh teknikën e telefonatave. Në këto raste, përqindja e refuzimeve për t’u përgjigjur mund të jetë më e lartë. Sidoqoftë, intervistuesit në këto raste duhet t’ua bëjnë të qartë të intervistuarit se përgjigjet janë konfidenciale dhe se emri i tij nuk do të dalë në asnjë vend dhe përgjigjet do të analizohen të grupuara.

Një element tjetër që rrit besueshmërinë e sondazhit është kryerja e testimeve ose pilotimeve të pyetësorit. Kjo bëhet për të kuptuar nëse pyetjet janë ndërtuar siç duhet dhe nëse përmes tyre do të merren ato informacione që kërkohen për qëllimet e sondazhit. Testimi dhe pilotimi i pyetësorit të lejon të kuptosh nëse ai është ndërtuar në mënyrën e duhur. Doja të shtoja edhe një gjë tjetër lidhur me interpretimin e rezultateve të sondazhit.

Mund të ndodhë shpesh që vetëm nga intervistat ti nuk arrin të kuptosh pse ka dalë ai rezultat dhe pse njerëzit janë përgjigjur në një mënyrë të caktuar. Për këto lloje situatash mund të zgjidhen disa grupe diskutimi. Kjo konsiston në mbledhjen e një grupi të caktuar dhe shtrimin për diskutim të pyetjeve që mund të kenë dalë të paqarta nga rezultatet e anketës. Ky diskutim mund të qartësojë shumë gjëra.

 

Vërejmë që sondazhet parazgjedhore në Shqipëri shpesh kanë rezultate shumë të ndryshme dhe ndonjëherë të kundërta nga njëri-tjetri. Pse mund të ndodhë një gjë e tillë, për mendimin tuaj?

Kjo nuk duhet të ndodhë, për sa kohë që metodologjia e përdorur në anketim është korrekte dhe rastësore. Nëse ndodh, ka pasaktësi në mbledhjen e të dhënave. Puna mund të çalojë në përzgjedhjen e kampionit, në mënyrën sesi bëhen pyetjet, etj. Pra, unë do të thoja: a është ndjekur një metodologji e saktë? A reflekton përfaqësueshmëri si kampion? Ajo që ne si ekspertë mund të bëjmë në këtë rast është të gërmojmë në metodologjinë e sondazheve, për të kuptuar pse mund të ndodhin këto ndryshime.

Të mos harrojmë se edhe koha kur zhvillohen anketat përcakton ndikimin e saj në rezultate. Me fjalë të tjera, nuk mund të pritet i njëjti rezultat i anketës, edhe pse zbatohet e njëjta anketë, por në momente të ndryshme kohore. Koha dhe ngjarjet që ndodhin në harkun kohor mes dy anketave bëjnë që të ketë edhe ndryshime në vlerësimin që shprehin individët.

 

Megjithatë, ka pasur raste edhe jashtë Shqipërisë ku sondazhet nuk kanë rezultuar gjithmonë të besueshëm. Një nga shembujt më të njohur kanë qenë zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, ku në asnjë moment sondazhet nuk e parashikuan fitoren e Donald Trump. Si mund të shpjegohet ky precedent?

Ka disa arsye. Më lejoni të sjell një kuriozitet: një nga gjërat që i favorizon sondazhet në Shqipëri është se, në përgjithësi, individët pranojnë të intervistohen dhe kemi shkallë të ulët të refuzimit. Te ne mesatarisht duhet të bësh dy tentativa për një intervistë të suksesshme.

Ndërkohë në SHBA, intervistimi është më i vështirë dhe njerëzit refuzojnë më shumë, sepse kanë më shumë prioritete, jeta është më aktive, dilema ka qenë më e madhe për të shprehur lirisht mendimin etj. Përqindja e lartë e refuzimit për të marrë pjesë në anketë mund të sjellë devijim të përfaqësueshmërisë.

Pastaj, ka edhe momente apo ngjarje që mund të ndikojnë shumë votën. Për shembull, momentet e fundit para zgjedhjeve mund të sjellin ndryshime të ndjeshme në vendimmarrjen e zgjedhësve. Për më shumë, një lajm apo zhvillim që ndodh tre muaj para zgjedhjeve nuk ka të njëjtin efekt si ai që ndodh dy apo tre ditë para zgjedhjeve. Kjo është një nga arsyet kryesore pse kishim këtë rezultat në SHBA.

 

Nga kjo që thatë, mund të arrijmë në përfundimin se në Shqipëri ka më pak mundësi që të kemi rezultate surprizë, gjithmonë nëse sondazhet kanë ndjekur teknika dhe metodologji korrekte?

Po, është e vërtetë. Surprizat në fund mund të ndodhin kryesisht për shkak të ngjarjeve të ditëve të fundit, që mund të ndikojnë votën e qytetarëve. Por, nëse anketa, pyetësori, metodologjia janë ndërtuar dhe zbatuar siç duhet, rezultatet nuk duhet të jenë befasuese jashtë marzhit të gabimit.

Dua të nënvizoj, megjithatë, se rezultatet mund të ndikohen shumë nga zhvillime apo ngjarje sensitive. Për shembull, nëse do të kryenim një sondazh pas ngjarjes fatkeqe të vitit të kaluar, kur një i ri u vra nga një punonjës policie, mendoj se efekti që shkaktoi ngjarja do të pasqyrohej edhe në rezultatet e sondazheve.

 

Një element që mund të ndikojë në korrektësinë e sondazheve është edhe çmimi që porositësi është i gatshëm të paguajë. Sa kushton një sondazh profesional, i kryer sipas të gjitha kritereve shkencore të kërkuara?

Në kostot e sondazhit përfshihen shumë elemente dhe një pjesë, i përmenda gjatë intervistës. Anketuesit duhet të jenë të trajnuar, të moshave, profileve dhe gjinive të ndryshëm. Intervistat nuk duhen bërë vetëm me studentë, sepse edhe profili i intervistuesit e ndikon të intervistuarin. Ndonjëherë, intervistuesi student mund të jetë më i nxituar se intervistuesi në moshë më të pjekur. Ose, për shembull, për anketa që hulumtojnë sjellje të gjinisë femërore mund të jenë më të përshtatshme anketuese femra.

Një shpërndarje dhe trajnim i mirë amortizon gabimet në intervistim. Anketuesin duhet ta trajnosh; duhet ta pajisësh me mjetet e nevojshme për anketimin, por edhe për lëvizjen në terren; ai duhet ndihet i shpërblyer mjaftueshëm për punën që po bën. Kosto e sondazhit nuk lidhet vetëm me kohën dhe punën e intervistuesve në terren, ka edhe zëra të tjerë që nga jashtë janë më pak të dukshëm. Pastaj është edhe investimi në teknologji.

Sot agjencitë kanë platforma që mundësojnë marrjen e intervistave në kohë reale nga intervistuesi në terren. Më pas vjen pjesa e monitorimit, që kërkon një ekip tjetër. Edhe kjo është kosto. Në fund është analiza e të dhënave dhe përgatitja e rezultateve. Nuk dua të përmend shifra, por po t’i përfshish të gjitha që përmenda më lart, mund të krijohet një ide e kostove të sondazheve.

 

Pra, nëse porositësi tenton të kursejë, sidomos ku bëhet fjalë për sondazhe periodike, kjo mund ta ndikojë cilësinë e rezultateve?

Kursim mund të bëhet duke ndjekur një qasje tjetër në mbledhjen e të dhënave: nga ballë për ballë në intervistë me telefon apo në internet. Nëse marrim në shqyrtim këtë pjesë, qasja në mbledhjen e intervistave ndikon.

Nëse sondazhi bëhet me telefon, nuk kemi koston e lëvizjes në terren apo monitorimin, e për rrjedhojë ulet kostoja e projektit. Kujtoj edhe një herë se intervistat në telefon nuk kanë si disavantazh kryerjen e intervistave që zgjasin shumë minuta.

 

Kemi vënë re që përgjithësisht, për kryerjen e sondazheve elektorale, sidomos mediat, zgjedhin kompani të huaja. Mendoni se kjo ndodh për shkak të mungesës së ekspertizës lokale apo sepse të huajt perceptohen më të besueshëm nga publiku?

Mendoj se është më shumë e dyta. Ne si shoqëri jemi gjithmonë më të prirur për të besuar më shumë të huajt. Kur publiku sheh një person të huaj, publiku mund të jetë i prirur ta besojë më shumë, ndërsa për shqiptarët mund të ketë paragjykime. Ju kujtoj këtu se vite më herët u hodh ideja për të pasur një guvernator të huaj për Bankën e Shqipërisë. Kush do t’i paraqesë rezultatet?

Kjo është zgjedhje e porositësit ose e kumtuesit. Ajo që duhet theksuar është se në Shqipëri ka kapacitete të mjaftueshme dhe cilësore për kryerjen e sondazheve. Sidoqoftë, nuk besoj se është problem nëse sondazhin e bën me shqiptarë apo me të huaj. E rëndësishme është që të veprohet me korrektësi dhe integritet. Mendoj se kur prezantohen rezultatet, interpretimet duhet të jenë të kujdesshme.

Kompania e sondazheve nuk duhet të hyjë në aludime, apo në interpretime që nuk mbështeten në informacione të dala prej intervistave. Për shembull, nuk mendoj se është korrekte të thuash se çfarë mund ta ketë ndikuar në rezultatin e sondazhit, nëse një gjë e tillë nuk del shprehimisht nga intervistat.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of