Pallati në fund të Cosmonauts Street në qytetin e vogël lituanez të Marijampolė bie në sy në zonë. I ndërtuar në vitin 1993, ndërtesa e ngushtë me nëntë kate është më e re se shumë pallate të tjera të epokës sovjetike në qytet.
Pas një rinovimi në vitin 2018, ndërtesa me 54 apartamente ka një “fytyrë” më të freskët, me kolona të alternuara në ngjyrë pjeshke dhe kremi në dallim nga kolonat gri prej betoni.
Ndryshimet në ndërtesën Cosmonauts Street shkojnë përtej aspektit estetik. Para punimeve, konsumi energjetik ishte ai tipik i një ndërtese të moshës së saj, jo i lartë.
Pas punimeve rikonstruktuese – që përfshijnë dritare të reja dhe izolim, sistemet e ngrohjes diellore dhe gjeotermike dhe ballkone me xham për gjithë stinët – kostot për ngrohjen e ndërtesës ranë nga 140 kilovat/orë për metër katror në 28, me rënie 80%.
Ky është një lajm i mirë për banorët e kësaj ndërtese dhe qindra ndërtesave të vjetra në Lituani që kanë investuar në përmirësime të tilla, mbi të gjitha pas një vere kur kostot e energjisë janë rritur pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Shtetet Baltike, veçanërisht, po i vuajnë pasojat. Në gusht, çmimet u rritën kaq shumë saqë një zinxhir ushqimor lituanez reduktoi përkohësisht ndriçimin dhe ajrin e kondicionuar në dyqanet e saj.
Pavarësisht krizës që vijon, Lituania mund të shërbejë si model për sigurimin e një të ardhmeje më të pavarur nga energjia për Europën.
Sipas Komisionit Europian, ndërtesat në Europë konsumojnë 40% të energjisë së kontinentit dhe gjenerojnë 36% të emetimeve të gazit serrë. Për këtë arsye, qeveritë po investojnë shumë në rinovimin e stokut të ndërtesave në kontinent, si mënyrë për të luftuar ndryshimet klimatike.
Reduktimi i konsumit energjetik, nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave të ndërtesave, është një gur themeli i European Green Neë Deal (Marrëveshjes së Re të Gjelbër Europiane).
Megjithatë, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit (të dyja veçanërisht të rënda për vendet baltike), mund të zvogëlojnë tërheqjen e kësaj qasjeje. Për pronarët e shtëpive nuk është më kaq e leverdishme si një herë e një kohë të investojnë në ndërhyrje intensive kapitale me kthime në një afat të gjatë.
Autoritetet huadhënëse kanë në plan ta vijojnë këtë përpjekje. Banka Europiane e Investimeve (BEI) – krahu huadhënës i Bashkimit Europian, e cila financoi më shumë se 96 miliardë euro në projekte të zhvillimit urban nga viti 2017 deri në 2021, po zgjeron një produkt model për financimin e rinovimeve.
Synimi është krijimi i llojeve të ndryshme të partneriteteve publike – private, të mbështetura në financime në afat të gjatë, me normë të ulët interesi dhe kosto të ulët.
Platforma “fi compass” e BEI synon të krijojë një model për gjithë 27 Shtetet anëtare të BE-së për të shfrytëzuar grante të kufizuara, për të nxitur pronarët dhe banorët që të investojnë vetë në rinovime. Është një model që deri më tani ka sjellë më shumë se 1 miliard euro në ndërhyrje në gjithë Lituaninë.
“Shembulli i Lituanisë është ambicioz në lidhje me nismën e qeverisë, i cili i përdor fondet për grante në atë mënyrë, thotë James Hooton, drejtues i programit të Coalition for the Energy Efficiency of Buildings (Koalicioni për eficiencën energjetike të ndërtesave) në Green Finance Institute me seli në Mbretërinë e Bashkuar, një organizatë e pavarur e mbështetur nga qeveria.
“Mospërdorimi i granteve për të larguar financimet private, por mundësia për t’i përdorur ato si një mjet mbështetës, siç ndodhi në Lituani – është pikërisht mënyra e duhur për ta bërë këtë”.
Sipas zyrtarëve të BEI, kriza energjetike e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, i kanë bërë më urgjente ndërhyrjet në përmirësimin e eficiencës energjetike, edhe kur një verë e vështirë i hap rrugën një dimri që mund të jetë i tmerrshëm.
“Fakti që çmimet e energjisë janë rritur e bën më të qartë nevojën për të ndërhyrë, çfarëdo që të jetë, një ndërtesë apo shtëpi. Ideja e rinovimit bëhet më bindëse, pasi është e qartë që mund të kursesh shumë nëse bëhen punime, krahasuar me dy vite më parë, thotë Frank Lee, kreu i divizionit këshillues të instrumenteve financiare.
“Në anën tjetër, kostot e punimeve janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Bëhet fjalë për një analizë kosto-përfitime. Pikërisht këtu ne mendojmë se instrumenti që ne po promovojmë është mjaft i fuqishëm”.
Rinovimi, në stilin e Lituanisë
Edhe pse ndërtesa në Rrugën Cosmonauts spikat në këtë zonë, nuk është e vetmja në Marijampolė. Qyteti me 34 mijë banorë e cilëson veten si “kryeqyteti i ristrukturimit” të Lituanisë. Banorët e pronarët e më shumë se 10% të ndërtesave me shumë familje në Marijampolė kanë zgjedhur të investojnë në ristrukturime.
Sot rinovimi i ndërtesave është përparësi në të gjithë vendin. Ndërtesat e vjetra sovjetike dhe ndërtesat e tjera për shumë familje, pjesa më e madhe e të cilave janë ndërtuar para vitit 1993, përbëjnë 66% të të stokut të banesave të Lituanisë.
Konsumi energjetik i familjeve në Lituani është ndjeshëm më i lartë se mesatarja europiane dhe vendi është shumë i varur nga fqinji i tij dominues, për të plotësuar nevojat energjetike. Për të arritur planin kombëtar të reduktimeve të energjisë dhe klimës deri në vitin 2030, Lituania ka identifikuar efikasitetin e ndërtesave si një prioritet kryesor.
Sipas drejtueses së investimeve në BEI, Junona Bumelyte, në Lituani, janë rreth 30 mijë apartamente për t’u rikonstruktuar. Në ndjekje të këtij qëllimi, ndërkohë që autoritetet europiane rritën opsionet e financimit për huamarrësit, Lituania e bëri atë si një nismë kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin e banorëve.
Deklarata e vitit 2019 nga Agjencia Shtetërore për Eficiencën e Energjisë së Banesave (BETA) e cilësoi ndërtesën e Cosmonauts Street si projektin e rinovimit të vitit, fitues i një sfide vjetore në nivel kombëtar.
“Një ndër objektivat kryesore të këtij konkursi është t’i tregonim publikut që ristrukturimi nuk është vetëm izolimi i mureve, ndryshimi i çatisë apo dritareve, por mund të ndryshojë në mënyrë radikale cilësinë e jetës”, – deklaroi Valius Serbenta, drejtues i BETA, për faqen e lajmeve Delfi në 2019.
/ Përkthyer me shkurtime nga Bloomberg
Foto kryesore Photographer: Wolfgang Kaehler/LightRocket via Getty Images