Mali i Zi, një shtet i vogël në bregdetin ballkanik, është bërë një destinacion i njohur turistik në vitet e fundit dhe shpejt po kthehet në një vend tërheqës për investime në pronë.
Tani, afrikanojugorët që kërkojnë investime jashtë lidhur me shtetësinë, udhëtimin pa viza dhe qasjen e mundshme për një pasaportë të BE-së, po përqendrohen në Malin e Zi, sipas Andrew Rissik, drejtorit të Sable International, i cili tha se vendi ka nisur një sërë programesh për të tërhequr investime të huaja.
“I klasifikuar nga Banka Botërore si një vend me të ardhura të mesme në të larta, Mali i Zi është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mali i Zi është një kandidat i ardhshëm për anëtarësimin në BE dhe do t’i bashkohet zonës Schengen deri në vitin 2025″, tha Rissik.
Pasi la pas të shkuarën e tij në Bllokun Lindor, Mali i Zi ka filluar një program për të tërhequr pasuri dhe investime në vend. Për të tërhequr investitorë, Mali i Zi ka lançuar Programin e Shtetësisë nëpërmjet Investimeve (CBIP) me synimin për të nxitur dhe për të lehtësuar Investimet e Huaja Direkte, duke ofruar një pasaportë dhe shtetësi malazeze për investitorët që japin një kontribut të caktuar ekonomik në vend.
“Afrikanojugorët e etur për të krijuar një bazë në Europë, po zgjedhin programin e shtetësisë ekonomike të Malit të Zi, i cili mundëson shtetësinë malazeze nëpërmjet një investimi të caktuar. Programi mundëson shtetësinë dhe pasaportën e menjëhershme të Malit të Zi brenda tre muajsh”, tha Rissik.
Pasaporta malazeze renditet në vendin e 42-të në botë, duke ofruar akses pa viza në 123 shtete, përfshirë vendet e Schengen-it në BE, Rusinë, Turqinë, Singaporin etj. Një vizë është e nevojshme për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, Australi dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo tashmë lejon lëvizjen e lirë në vendet e BE-së dhe zonës Schengen.
“Mali i Zi ofron politikë të ulët tatimore për bizneset dhe individët dhe çmimet e pronave janë ende ndër më të lirat në Europë. Kjo mund të ndryshojë kur vendi të përfshihet në BE dhe ne presim që vlerat e pronës të rriten”, tha Rissik.
“Sidoqoftë, Mali i Zi është një vend mjaft i bukur, me një vijë bregdetare të mrekullueshme dhe një kulturë interesante. Ai po kthehet në destinacionin e ri të qytetarëve të pasur globalë dhe aventurierëve. Kush e di, ndoshta mund të bëhet një Monte Karlo i ri”.
Kriteret e investimit
Programi i shtetësisë nëpërmjet investimit u kërkon aplikantëve të investojnë brenda vendit në projekte mbi pasuritë e patundshme.
“Në varësi të vendit ku ndodhen projektet e zgjedhura, ju mund të zgjidhni nivelin e investimeve, mund të investoni një minimum prej 250,000 EUR në projekte zhvillimi të miratuara nga qeveria, ose të investoni 450,000 EUR në rajonin bregdetar jugor më të zhvilluar dhe në Podgoricë”, tha Rissik. “Përveç faktit se cilin opsion zgjidhni, duhet të kontribuoni edhe me 100,000 EUR në formën e një donacioni në fondin qeveritar. Kjo përdoret si investim në zonat më pak të zhvilluara të Malit të Zi.
Një zhvillim në Gjirin e Kotorrit të mbrojtur nga UNESCO, po tërheq vëmendjen e investitorëve të Afrikës së Jugut”, tha Rissik.
Fakte mbi Malin e Zi:
Sipërfaqja 13.812 km²
Popullsia: 662 000 banorë
Mbi 280 ditë me diell në vit
295 km bregdet
73 km plazhe
Monedha: Euro