Qeveria po krijon kushtet e nevojshme, duke e lehtësuar në maksimum procesin e kujdesit për fëmijët
Në vitin 1907, austriaku Emil Reich, parashikoi se Gjermania do të kishte një popullsi prej 150 milionë banorësh deri në vitin 1980, ndërsa në fillim të viteve 2000, ajo do të kishte shkuar në 200 milionë banorë, shkruan The Economist.
Në ato vite, parashikimi nuk përbënte habi, duke marrë në konsideratë normën e lartë të lindshmërisë në vend dhe normën e ulët të vdekshmërisë. Parashikimi i z. Reich, i hedhur edhe në librin e tij “Germany’s Swelled Head”, rezultoi i gabuar. Deri në fillim të viteve 1980, Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore kishin një normë të kombinuar të fertilitetit më të ulët se kudo tjetër në botë, me përjashtim të Danimarkës dhe Ishujve Channel.
Popullsia jo vetëm që nuk po rritej, por ajo po shënonte rënie me ritme të shpejta. Por në pesë vitet e fundit, situata ka ndryshuar krejt papritur. Sipas një vlerësimi të fundit, shkalla e lindshmërisë ka shënuar rritje. Ndërmjet viteve 2006 dhe 2017, ajo u rrit nga 1.33 fëmijë për grua në 1.57. Edhe pse norma për vitin 2018 ende nuk është përpunuar, dihet që gjatë këtij viti kanë lindur më shumë fëmijë në krahasim me 2017-n.
Shkalla e fertilitetit të Gjermanisë është larguar nga ajo e Italisë dhe Spanjës (shih tabelën) dhe tani është pothuajse identike me mesataren e Eurozonës. Më 17 qershor, OKB vlerësoi se në 2050, Gjermania do të ketë 58 persona mbi moshën 65 vjeç për çdo 100 njerëz. Raporti është shumë i lartë, por Gjermania qetësohet duke menduar se ka edhe shtete të tjera me një raport edhe më të lartë, si rasti i Italisë me 74 banorë në 100, mbi moshën 65 vjeç. Ndryshimi është pjesërisht një mashtrim statistikor. Në shkallën e lindshmërisë, ndikim të lartë ka mosha në të cilën nënat lindin.
Nëse një numër i konsiderueshëm i grave do të lindin fëmijë në mosha të mëdha, shkalla e lindshmërisë do të bjerë dhe pastaj do të ngrihet sërish derisa mesatarja e moshës së lindjes të stabilizohet.
Dhe është pikërisht kjo gjë ka ndodhur në Gjermani dhe në vende të tjera të pasura. Por kjo nuk e shpjegon plotësisht të gjithë rritjen në normën e lindshmërisë në Gjermani. Gratë gjermane të lindura në vitin 1973 (të cilat supozohen se nuk do të lindin më fëmijë) kanë më shumë fëmijë sesa gratë që kanë lindur në vitin 1968.
Një shpjegim tjetër që i jepet situatës në fjalë është emigracioni. Gjermania, jo vetëm që ka pranuar një numër të madh emigrantësh në dekadën e fundit, por përveç kësaj duhet theksuar edhe fakti që ata vijnë nga shtete ku familjet me shumë fëmijë janë diçka më se e zakonshme. Në vitin 2017, gratë siriane në Gjermani lindën 20,100 foshnje, rreth 2,300 foshnje më shumë në krahasim me tre vjet më parë.
Gratë irakiane dhe ato afgane në Gjermani lindën secila rreth 5,000 foshnje më shumë në krahasim me tre vjet më parë. Tomas Sobotka, një studiues në Institutin e Demografisë në Vjenë, vlerëson se rreth gjysma e rritjes së normës së lindshmërisë të Gjermanisë gjatë viteve të fundit mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet emigracionit. Por rritja e këtyre niveleve nuk do të vazhdojë edhe për shumë kohë, sepse emigrantët përshtaten lehtë me stilin e jetesës së vendeve ku emigrojnë.
Mona Shinar, një grua palestineze rreth të 30-ave, e cila u largua nga Damasku për të emigruar në Potsdam, pranë Berlinit, vjen nga një familje e madhe palestineze. Para fillimit të Luftës Civile të Sirisë, ajo kishte 12 vëllezër dhe motra. Ndërsa vetë, ajo është nëna e katër fëmijëve, një prej të cilëve lindi dy ditë pasi ajo mbërriti në shtetin gjerman. Ajo beson se fëmijët e saj nuk do të kenë më shumë se një ose dy pasardhës.
“Vazhdoj të ndihem 100% arabe, thotë ajo, por ndryshon puna te fëmijët e mi, të cilët janë integruar dhe përshtatur më së miri me kulturën dhe traditat gjermane”. Një tjetër shpjegim për këtë rritje të shkallës së lindshmërisë në Gjermani është sepse shteti gjerman ka krijuar kushtet e duhura për ta bërë sa më të lehtë procesin e rritjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Nëse një shoqëri do t’i detyrojë gratë që të zgjedhin ndërmjet vendit të tyre të punës apo mëmësisë, shumica do të zgjidhnin punën. Në vitin 2007, qeveria federale e Gjermanisë miratoi ligje të reja në favor të prindërimit, duke u dhënë mundësinë edhe baballarëve të marrin leje lindjeje.
Në vitin 2013, ajo deklaroi se fëmijët mbi 1 vjeç kishin të drejtë të dërgoheshin në çerdhe. Edhe pse nuk ka mjaftueshëm vende për të përmbushur të gjitha kërkesat, mbështetja në këtë drejtim dhe numri i çerdheve apo i kopshteve po rritet. Midis periudhës 2006 dhe 2017, numri i fëmijëve nën 3 vjeç të regjistruar në çerdhe u rrit nga 286,000 në 762,000 fëmijë. Ndryshe nga qeveritë e shteteve si Franca, Skandinavia dhe ato në Europën Lindore, politikanët gjermanë rrallë flasin në mënyrë të qartë për rritje të normës së lindshmërisë, ndoshta sepse edhe nazistët vepronin në po të njëjtën mënyrë. Edhe pse ata flasin për fuqizimin e grave, një prej politikave kryesore është nxitja e normës së lindshmërisë.
Lena Reibstein, nga Instituti për Popullsinë dhe Zhvillimin në Berlin, shprehet se qeveria gjermane mund të bëjë edhe më shumë në këtë drejtim nëse ajo vendos të ndryshojë sistemin e taksave, duke i ardhur në ndihmë familjeve të reja. Nëse do ta krahasonim situatën me atë në Itali, ajo do të paraqitej ndryshe. Edhe pse Italia ka pranuar një numër më të madh emigrantësh, shumica prej tyre vijnë nga shtete me normë të ulët të lindshmërisë, si Rumania apo Shqipëria.
Ekonomia e saj në stanjacion, është një tjetër faktor që familjet e reja të mos kenë fëmijë. Edhe pse përballë kësaj situate alarmante, politikanët nuk kanë asnjë ide sesi të nxisin rritjen e shkallës së lindshmërisë. Tre vjet më parë, qeveria zhvilloi një fushatë marketingu, duke i informuar gratë mbi “orën e tyre biologjike”, fushatë e cila dështoi që në fillim.
Disa analistë shprehen se fushata nuk pati sukses, sepse u zhvillua në një kohë trazirash për Italinë, por fatkeqësisht ndikoi në atë që është sot Italia, shteti i dytë më i vjetër në botë, pas Japonisë. Më e keqja në këtë drejtim është se “njerëzve nuk u intereson ky fakt”, shprehet Maria Letizia Tanturri, demografe nga Universiteti i Padovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.