Mbeten pyetjet: përse SHBA-ja është më e suksesshme se BE-ja në lagjen tonë të afërt? Mos ngaqë Grenell është më i talentuar si diplomat sesa Borrell ose paraardhësja e tij, Mogherini? Apo sepse BE-ja mbështetet vetëm në fuqi të butë, ndërsa SHBA.-ja përdor edhe metoda të tjera, më efektive, siç është shantazhi i politikanëve të korruptuar?
Është shumë e rrallë të dëshmosh me sytë e tu një përshpejtim të historisë, dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani në Ballkan. Në një kohë shumë të shkurtër, Serbia dhe Kosova ndërmorën hapa të mëdha drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Më 20 janar, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord të fillojnë fluturime të drejtpërdrejta tregtare pas më shumë se 20 vjetësh.
Fluturimet direkte u ndaluan në 1998, kur filloi lufta në Kosovë midis kryengritësve etnikë shqiptarë dhe forcave të sigurisë serbe. Serbia humbi kontrollin mbi provincën e saj të mëparshme pas bombardimeve të NATO-s në 1999, i dha fund konfliktit etnik, në të cilin u vranë më shumë se 13 000 njerëz, kryesisht shqiptarë të Kosovës, shkruan Georgi Gotev për EURACTIV.com. Pastaj, më 6 shkurt kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, u zotua të heqë tarifat 100% të importeve serbe, një pengesë për përpjekjet e normalizimit midis dy vendeve, e zbatuar nga paraardhësi i tij i linjës së ashpër, Ramush Haradinaj, në vitin 2018.
Por kishte edhe më tepër. Më 15 shkurt, presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Alexandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, njoftuan gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut se do të punonin në ndërtimin e lidhjeve hekurudhore dhe rrugore midis kryeqyteteve të tyre. Megjithëse deri tashmë, ishte e vështirë që këto dy figura të ndodheshin edhe në të njëjtën dhomë, tashmë ka zëra që Uashingtoni dëshiron që çështja Serbi-Kosovë të përfundohet këtë vit. Ekziston diçka e përbashkët në të tre këto zhvillime: ndërmjetësi ishin Shtetet e Bashkuara, të përfaqësuara nga ambasadori i vendit në Berlin, Richard Grenell.
BE-ja ishte përpjekur dhe nuk arriti të rregullonte krizën e tarifave. Në një stil tipik amerikan, Grenell raportohet se i tha Prishtinës se SHBA-ja do të anulojë investimet e saj në Kosovë, përveç nëse tarifat do të revokohen. Ai mund të ketë thënë edhe gjëra të tjera, por publikisht dihet vetëm kaq. Rifillimi i fluturimeve u mirëprit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, por asnjë urim i ngjashëm nuk erdhi nga pala e BE-së. E njëjta vlen edhe për përparimet e tjera. Duket se BE-ja është xheloze për suksesin e Amerikës në Ballkan.
Më 14 shkurt, gazetarët i kërkuan Komisionit të komentonte mbi sukseset e SHBA-së, pasi BE-ja harxhon shumë para në rajon pa ndonjë rezultat të tillë të dukshëm. Në përgjigje, ekzekutivi i BE-së doli në mbrojtje për 18 minuta rresht. Mbeten pyetjet: përse SHBA-ja është më e suksesshme se BE-ja në lagjen tonë të afërt? Mos ngaqë Grenell është më i talentuar si diplomat sesa Borrell ose paraardhësja e tij, Mogherini? Apo sepse BE-ja mbështetet vetëm në fuqi të butë, ndërsa SHBA.-ja përdor edhe metoda të tjera, më efektive, siç është shantazhi i politikanëve të korruptuar?
Në çdo rast, SHBA-ja është shumë më aktive në Ballkan këto kohë. Presioni amerikan gjithashtu mund të ndihet në Maqedoninë e Veriut dhe madje edhe në Bullgari, që është anëtare e BE-së. Në këtë të fundit, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, për herë të parë citoi një zyrtar të korruptuar dhe pritet që të ndjekin më shumë “përcaktime publike” të tilla.
Një nga arsyet e dukshme për aktivizimin e papritur të SHBA-ve në Ballkan është Rusia, e cila gjithmonë ka pasur interes për rajonin. Arsyeja tjetër më pak e dukshme, është Turqia, e cila nuk është më aleati i besueshëm që u duhet SHBA-ve në rajon. Uashingtoni ka nevojë për aleatë të besueshëm në Ballkanin e korruptuar – dhe duket se po i siguron ata me lehtësi.