Ata që po ikin janë të papunë, familjarë të zonave të varfra, ku trofeu i politikës, në rastin më të mirë, është përkrahja sociale. Rreth 20 mijë shqiptarë kanë ikur në katër muajt e fundit. Shqetësues është niveli i lartë i kërkesave për azil dhe largimi familjarisht i tyre, të dy këta tregues i një dëshpërimi edhe më të thellë se ai i fillimit të viteve ‘90, kur përveçse të varfër, shqiptarët ishin edhe kureshtarë për botën perëndimore. Sipas ekonomistëve, papunësia, për një kohë të gjatë, është shkaku kryesor, dhe çdo largim i politikës nga thelbi i problemit, vetëm sa e përkeqëson gjendjen …
“Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45 mijë të huaj, por me profesione të caktuara në raport me aspiratën e njerëzve për të shkuar në Gjermani dhe për të kërkuar një jetë më të mirë”. Kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama eksodin e shqiptarëve drejt Gjermanisë.
Por, nuk mendon kështu Naim Demaliaj nga Kukësi. Ai tregon se nuk është gënjyer nga asgjë, se ka qenë edhe më parë jashtë vendit. “E di që nuk është fushë me lule. Por, që kur kam ardhur, tre vite më parë, nuk kam arritur të punoj e të mbaj familjen”, thotë ai. Naimi, ishte emigrant në Itali dhe e njeh mirë këtë vend, por, sipas tij, “Gjermania duket më mirë ekonomikisht. Italia është në krizë, po aq sa ne”.
Emigrimi i muajve të fundit është përshpejtuar e theksuar, aq sa nuk mund të injorohet më nga politika e qeveria. Por përse po emigrojnë shqiptarët, tani 25 vite pasi u hapën portat e larta të ngurta të kufijve. Kur më shumë se gjysma e popullsisë ka parë Perëndim me sy, si emigrantë ekonomikë, si turistë, ka studiuar atje, e mbi të gjitha përse po ikin, pikërisht pas tendencës së kundërt të vërejtur 3-4 vite më parë: rikthimit të emigrantëve nga Greqia e Italia. Janë ende kureshtarë, janë ende të gatshëm të provojnë aventura të reja familjarisht, pasi kaluan për ditë të tëra malet për të mbërritur në Greqi, apo udhëtimet më të shkurtra, por më të rrezikshme me gomone për në bregun tjetër të Adriatikut?!
I gjithë debati aktual i politikës është një kafshatë e pakapërdishme për stomakun e tkurrur të banorëve të Kukësit, një qytet i varfër në sipërfaqe, ndonëse toka e tij e mbytur (pronë e mbi 3 mijë familjeve të pakompensuara asnjëherë) ndriçon sallën e Kuvendit, institucionet që nuk e paguajnë energjinë, e gjithë Shqipërinë. Një pjesë e mirë e tokës së papërmbytur, nëntokës më saktë, është e pasur me mineral bakri e kromi. Megjithatë, vitin e kaluar, 10 mijë familje ishin në Skemën e Ndihmës Ekonomike, ose gati 70% e qarkut. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vetëm 11% e popullsisë rezulton në punë. Nga 85 mijë banorë, 9700 janë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore. Jetë me asistencë me pak fjalë. Por a mund të jetohet gjithmonë me asistencë edhe nëse ajo është 5 mijë lekë në muaj. Me kë akoma nëse është ulur, apo është hequr fare. Emigracioni për kuksianët, por edhe për zona të tëra që shtrihen nga Veriu në Jug, duket se është rrugëzgjidhja e këtyre ditëve. Lajmërimi i ambasadorit gjerman në Tiranë se 99% e azilkërkuesve do të kthehen, nuk ka trembur banorët e fshatrave të Lezhës, Fierit, Vlorës, fshatra që po boshatisen dita ditës. Dyert e mbyllura të shtëpive, pasohen me zbrazëtinë e shkollave, pasi ndryshe nga herë të tjera, kësaj radhe, largohet familja, e jo vetëm kryefamiljari.
Deri në fund të muajit prill, pra 4 muajt e parë të këtij viti, llogariten rreth 20 mijë emigrantë që kërkojnë azil kryesisht në Gjermani. Ky fenomen ka shqetësuar edhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili përmes një urdhri ka vendosur të shtrëngojë masat e kalimit në kufi.
Për ekonomistin Arben Malaj, kjo nuk është rrugëzgjidhja e duhur. Problemi sipas tij, duhet zgjidhur në origjinë, pra në zonat e varfra, e duhen mbështetur këto shtresa në nevojë.
Papunësia, thembra e Akilit, duhet pakt kombëtar
Flet Adrian Civici, Rektor i UET
Rritja në nivelet 3% është optimiste, pasi shumë elemente të ekonomisë shqiptare nuk shkojnë në të njëjtin sens e shkallë optimizmi. Treguesit fiskalë të dy-tre muajve të parë të 2015-s provojnë një lloj tendence jo pozitive, për faktin se janë më ulët se një vit më parë, por janë dhe më të ulët se planifikimi. Kjo tregon se kanë vepruar dy-tre faktorë: Së pari, intensiteti dhe zhvillimi i ekonomisë nuk është në ato nivele që pritej. Çfarë reflektohet direkt te të ardhurat fiskale. Së dyti, u ndryshuan disa taksa në rritje, sidomos tatimfitimi nga 10 në 15%, ka bërë që shumë kompani të transferojnë fitimet e tyre jashtë ose të kërkojnë rrugë të tjera për të shmangur këtë gjë. Versioni i tretë është se nuk kemi arritur ende të luftojmë informalitetin në atë pikë, sa të mbushet ky boshllëk.
Megjithatë, po t’i vija sipas prioriteteve, shkaku është faktori i parë, struktura e dobët dhe debulesa e ekonomisë shqiptare. Kjo shprehet edhe në tregues direkt, si sasia e investimeve. Bëhet fjalë për investime publike, Investime të Huaja Direkte, apo dhe investime private, të cilat lidhen kryesisht me strukturën e kredisë, por, nga ana tjetër, edhe shumë indekse, ato që masin ndjeshmërinë ekonomike, tregojnë që edhe besimi në ekonominë shqiptare, dhe ai optimizmi i dëshiruar si një faktor që ndoshta është i barabartë dhe me vetë investimin për ta çuar ekonominë përpara, mungon. Të dhënat e fundit dëshmojnë se dhe besimi i konsumatorëve dhe i bizneseve nuk është më optimali, madje në disa raste më pesimiste se një apo dy tremujorë më parë. Të mbledhura së bashku, dalim te thelbi i problemit, që strukturalisht ekonomia shqiptare, me gjithë masat që mund të merren, që mund të përmirësojnë elementet dhe aspekte të veçanta të saj, politikat e vërteta strutkurore, ato që kanë të bëjnë me rritjen e prodhimit, me rritjen e eksporteve, uljen e importeve, dhe përgjithësisht me krijimin e një kolone vertebrale që i jep fuqi ekonomisë dhe krijon një funksion real, akoma mungojnë.
E gjithë kjo panoramë, është shkak i emigracionit aktual. Ka plot vite kur niveli i absorbimit të ekonomisë shqiptare të forcave të reja të punës është më i dobët. Natyrisht, shpeshherë e kemi shkarkuar këtë në një emigracion: në fillim të shekullit njëzet, në vitet ‘90 dhe vazhdojmë dhe sot. Në ekonominë shqiptare, të ardhurat që krijohen në shoqëri, niveli i jetesës nuk përputhet me forcat e reja të punës, kërkesën për punë në mënyrë që të krijohet një ekuilibër. Po flasim shumë për politika punësimi, por në fakt, një pjesë e tyre janë politika që kanë të bëjnë me formalizimin në punë dhe ekziston një lloj frike se ky sektor informal, mënyra si është organizuar, nëse tentohet me forcë dhe shpejtësi të madhe që të bëhet formal, rrezikon të mbyllet fare. Do të ishte e vlefshme të merren në konsideratë disa politika që kanë ndjekur dhe vendet e zhvilluara (shkopi dhe karota), përmes të cilave, paralelisht me shtrëngimin për t’u bërë formalë, duhen eliminuar ata faktorë që e kanë detyruar biznesin të jetë informal. Nga ana tjetër, vendit i duhet një pakt kombëtar për punësimin, ku të gjitha forcat politike dhe shoqëria civile të shpallin sfidë kombëtare punësimin, pasi nga mungesa e alternativave për punësimin, ose punësim me pagesë shumë të ulët, minimale. Fermerët shqiptarë që marrin sa një e treta e pagesës në sektorin publik, ashtu edhe në industrinë fason, pagesa është minimale. Krahasuar me koston e jetesës, është ky nivel varfërie që i detyron njerëzit të largohen. Ata mund të jenë dhe viktima të spekulatorëve që mashtrohen për një vend pune, por më shqetësuese është fakti se përse kaq shumë shqiptarë janë të gatshëm me çdo lloj sakrifice ta lënë Shqipërinë në kërkim të një vendi tjetër, ku mendojnë se do të jetojnë më mirë.
Problemi i emigrimit duhet të zgjidhet në vend, në kufi
Arben Malaj, profesor Universiteti i Tiranës
Treguesi i besimit është më shqetësuesi, pasi është ai që ndikon mbi konsumatorin dhe investimin privat. Nga studimi i bërë nga Banka e Shqipërisë rezulton se janë katër faktorë që kanë ndikuar në këtë besim të ulët. Faktori i parë është një vlerësim për gjendjen ekonomike në tërësi. Nuk mbështet optimizëm, besueshmëri. Së dyti, është elementi i pritshmërive, ndoshta këtu ndikon pak dhe ambienti i përgjithshëm politik, politikat sociale, realizimi në kohë i tyre, mbërritja deri te përfituesit. E treta është gjendja financiare, fakti që kompanitë kanë rënie të prodhimit. Kompanitë shfrytëzojnë deri në 70% të kapaciteteve prodhuese. Nga ana tjetër, burimet e financimit që duhet të vijnë nga sistemi bankar. Dihet që tashmë janë të ngurtësuar dhe kanë krijuar vështirësi më të madhe për gjendjen financiare të kompanive.
Nga ana tjetër, konsumatorët perceptojnë rritje të kostos së jetesës që i bën ata më konservatorë për të konsumuar apo për të investuar. Në këtë ulje besimi, sidomos ka rënie për blerjet e mëdha.
Ky është identifikimi i problemeve. Ajo që duhet të diskutohet për këta katër faktorë kryesorë, (dhe ekspertët është mirë të angazhohen në këtë drejtim ndërsa qeveria të dëgjojë), është se cilat janë opsionet për ndryshimin e gjendjes në realitet.
Nëse flasim për gjendjen ekonomike në tërësi, dy-tre muajt e parë janë pak të ngurtë, të zbehtë, por duhet të bëhet maksimumi që politikat ekonomike dhe jo vetëm ato fiskale, edhe reformat që lehtësojnë të bërit biznes, të ecin sa më mirë dhe këtu duhet një fokus i veçantë.
Lidhur me pritshmëritë, ka risk në rritje për shkak të situatës politike elektorale. Do të ishte mirë që sa më pak situata të përkeqësojë pritshmëritë, aq më mirë përmirësohet treguesi i përmirësimit te biznesi. Lidhur me gjendjen financiare, ka elemente që i përkasin qeverisë, ka elemente që i përkasin sistemit financiar. Qeveria duhet të ofrojë fleksibilitet në shlyerjen e detyrimeve të vjetra, të lehtësojë rimbursimet, të bëjë në kohë pagesat ndaj kompanive të ndryshme. Por, qeveria duhet të përshpejtojë angazhimin që bashkë me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financës të gjejë një zgjidhje për skemën e kreditimit të ekonomisë, e cila është bërë pengesë reale për konsumin dhe investitorin. Lidhur me koston e jetesës dhe hezitimin që ka konsumatori privat, gjëja e parë është punësimi (nuk është e lehtë), por nëse përmirësohen treguesit e punësimit, konsumatorët do të shtohen dhe do të krijohej një efekt zinxhir pozitiv.
Por, konsumatorët duhet të ndiejnë edhe efektet e politikave mbështetëse, sipas zonave të tyre. Po të shikojmë shqetësimin në rritje për shqiptarët që tentojnë të ikin jashtë vendit gjejmë shumë nga këta faktorë që kanë ndikim negativ në perceptimin total. Në hapat e parë, ishte më tepër faktori tërheqës, shqiptarët ishin të interesuar ta njihnin Europën Perëndimore dhe të përfitonin nga opsionet e tyre. Por pas 24 vjetësh, fakti që flukset më të mëdha të emigracionit i kemi pasur në momente krizash dhe vështirësish, faktori shtytës është më i fortë se ai tërheqës. Çfarë duhet bërë? Edhe Bashkimi Europian rekomandon se problemi duhet të zgjidhet te vendi i origjinës, jo në kufirin shqiptar dhe as atë të BE-së, që të zgjidhet te vendi i origjinës.
Duhet të funksionojnë më mirë politikat mbështetëse për grupet e caktuara shoqërore. Pa një strategji më të mirë të luftës kundër varfërisë në këto zona, pa rritur opsionet për biznes, qoftë këto nën kujdestarinë e Ministrisë së Bujqësisë, qoftë dhe skemat më të mira të mikrofinancës që kanë vepruar në vende të tjera, duhet të bëjë pjesë e asaj që i shërben më mirë vendit, për t’u zhvilluar dhe për t’i zgjidhur problemet këtu.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka shumë politika dhe instrumente mbështetëse për vendet e varfra. Ndoshta është momenti që duhet të ketë një harmonizim më të mirë që edhe vendet kandidate të kenë akses në këto politika që tani. Të dy palët duhet të krijojnë bashkëpunim efektiv dhe të shkurtohet koha nga prezantimi i projekteve deri në impaktin real në këto zona.
Në kohë krizash, u jepet prioritet politikave kundër rritjes së varfërisë dhe kundër rritjes së papunësisë, sidomos në zonat e varfra.
Zhgënjimi i dyfishtë i emigrantëve
Epidemia e emigracionit nuk ka prekur vetëm të varfrit. Shtresa e mesme ka rritur aplikimet në ambasada. 80% e të kthyerve për të rinisur jetën në Shqipëri siç raporton INSTAT janë të zhgënjyer. Deri kur do të vazhdojë vala e emigracionit dhe pasojat që na duhet të përballemi…
Çdonjëri që habitet dhe përpiqet të gjejë arsye se kush po i gënjen shqiptarët që po braktisin vendin masivisht, të mos çuditet hiç, veç të kujtojë bisedat që ka bërë me miqtë, me siguri do të ketë artikuluar më shumë se një herë pishmanin pse nuk është larguar edhe ai si të tjerët. Dëshira për të ikur nuk është veç ndër të varfër, ata ikin se nuk kanë zgjidhje tjetër, ndoshta. Por frika është te të tjerët. Ata që kanë ndërtuar një jetë normale me forcat e tyre, në mënyrë të ndershme, duke e respektuar shtetin, duke i paguar taksat, të përulur dhe suksesshëm në punën e tyre. Këta që i rrinë shtetit gati tu dhe shkarkohen nga puna se nuk kanë mik, nuk janë militantë, nuk dinë të vjedhin, nuk dinë të korruptojnë dhe as të korruptohen po jetojnë përditë me sforco se shteti që u ka rënë për pjesë në atdheun e tyre nuk u shkon hiç për shtat.
Kjo kategori, për të cilën vendi ka më së shumti nevojë, është turrur ambasadave për aplikime, njohjeve dhe lidhjeve personale për të ikur një orë e më parë, për të mos u kthyer më. Ose në rastin më të mirë po shkollojnë fëmijët jashtë, me qëllim që t’u sigurojnë të ardhmen jashtë vendit.
Por nuk mbaron këtu. Mbi 133 mijë emigrantët që janë rikthyer janë dyfish të zhgënjyer. INSTAT raporton se për 80% prej tyre gjendja financiare nuk ka ndryshuar ose është përkeqësuar pas kthimit në Shqipëri. E ardhmja nuk dihet, nuk mund ta parashikojmë.
apunësia, motivi kryesor afatgjatë për të ikur
Në një hulumtim për çështjet e emigrimit, që ka realizuar Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë vitit 2013, për emigrantët e kthyer gjatë dekadës së fundit, renditen tre faktorët kryesorë tërheqës të emigracionit: Papunësia me 71.8%, e ndjekur nga mundësi më të mira pune 67.7% dhe mundësi për të ardhura më të larta me 64.7%. Edhe pse jo në përqindje të lartë, bashkimi familjar është arsye migracioni për 16.3% të të intervistuarve dhe për 43.8% të femrave. Pasiguria e përgjithshme në vend është perceptuar gjithashtu nga 8.8% e të pyeturve si një faktor shtytës për emigracionin.
Shumica e emigrantëve, 58.8%, përpara se të migronin ishin të papunë; 11.7% kishin punë të përhershme, 7.4% ishin të vetëpunësuar dhe 11.8% ishin studentë. Një përqindje e vogël prej 3.7% ishin në pension në kohën që kishin vendosur të migronin. Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit.
Përqindja e papunësisë u ul nga 58.8% në 27%, një ulje e ndjeshme. 55% e të pyeturve paguheshin me rrogë me vendin e destinacionit, që ishte pothuajse pesë herë më e lartë krahasuar me situatën përpara migracionit. Kjo gjetje përforcon faktin që arsyeja kryesore për migracionin ka qenë përmirësimi i situatës ekonomike të emigrantit.
Shumica e emigrantëve, si meshkuj ashtu edhe femra, kanë qenë të papunë përpara se të migronin, por përqindja e papunësisë mes meshkujve ka qenë më e lartë krahasuar më femrat, 66.3% dhe 38% përkatësisht. Ky boshllëk i konsiderueshëm mes meshkujve dhe femrave lidhet edhe me faktin që përqindja më e lartë e grave ka deklaruar që kanë qenë shtëpiake (21.5%) përpara se të migronin.
Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Përqindja e papunësisë është ulur për të dy, por me më shumë se gjysma për meshkujt krahasuar me situatën përpara migracionit. 61% e meshkujve dhe 37% e femrave ishin të punësuara në vendin e destinacionit, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me situatën përpara migracionit.
Kjo analizë nuk vlen për fenomenin e tanishëm të emigrimit, bëjnë të ditur burime brenda INSTAT. Pasi të ikurit janë deklaruar në momentin e ikjes, për qëllime turizmi apo vizita tek te afërmit dhe në momentin e mbërritjes, janë deklaruar si azilantë. Shkaqe të sakta të ikjeve të fundit do të mësohen pasi kjo kategori të jetë kthyer, qoftë edhe pjesërisht, bëjnë të ditur të njëjtat burime.
Të kthyerit e zhgënjyer
Për periudhën 2009-2013 janë kthyer gjithsej 133.544 shtetas shqiptarë të moshës 18 vjeçe lart.Situata financiare e të kthyerve krahasuar me atë jashtë vendit në kohën e vrojtimit ka ndryshuar ndjeshëm. Shumica e të kthyerve shohin situatën e tyre financiare të pandryshuar (41.3%).38.8% prej tyre kanë situatë financiare më të rënduar pas kthimit, ndërsa vetëm për 20% situata financiare është përmirësuar.
Pas kthimit të tyre në Shqipëri, pjesa dërrmuese e të kthyerve nuk ka ndërmarrë ndonjë investim, 92% kundrejt 8% që kanë investuar për të realizuar të paktën një projekt. Tri arsye janë më të qarta: E para, kapitali i pamjaftueshëm, që kufizon disponueshmërinë e burimeve financiare të nevojshme për të filluar një biznes. E dyta, mungesa e ndonjë planifikimi paraprak për të bërë ndonjë investim në Shqipëri. E treta, mungesa e përvojës dhe trajnimit për investimin.
Mes arsyeve të përmendura, të dhënat tregojnë që kufizimet administrative dhe institucionale, si dhe tregu i pamjaftueshëm janë arsye që nuk kanë lehtësuar investimet. Mes atyre që kanë investuar në vendin e tyre, 61.5% kanë hasur probleme gjatë investimit.
Vështirësitë
Mes vështirësive të hasura, 52% e të kthyerve që kanë investuar në vendin e tyre kanë përmendur konkurrencën si vështirësi kryesore, të ndjekur nga kapitali i pamjaftueshëm (46%), mungesa e përvojës (40.0%), kufizimet administrative dhe sfidën menaxheriale që kanë qenë vështirësi për 39% të të kthyerve.42.5% e migrantëve shqiptarë janë kthyer në Shqipëri së bashku me familjarët e tjerë. 77% e tyre janë shoqëruar nga bashkëshorti/bashkëshortja, ndërsa 19% dhe 35% janë ndjekur nga fëmijët e rritur dhe të mitur përkatësisht.
Përgjigjja më e shpeshtë lidhet me krizën ekonomike dhe financiare që ka shkaktuar humbjen e punës në vendin e emigracionit për 63.2% të të kthyerve. Në përgjithësi, arsyet “problem” mbizotërojnë ndaj arsyeve “mundësi”. Vetëm 10.2% e të kthyerve janë kthyer me plane për investim në Shqipëri dhe 13.2% kanë shpresuar për mundësi më të mira pune. 5.4% kishin ngritur tashmë një biznes dhe ishin kthyer për ta menaxhuar. Një fakt interesant është që arsyet jo ekonomike si “Malli për vendin dhe traditat” kapnin një përqindje të ndjeshme prej 25.9% të përgjigjeve.
Të kthyerit, mosha dhe gjinia
Shifrat tregojnë një raport me peshë të të kthyerve që vijnë në Shqipëri në fazat e hershme të ciklit të jetës së tyre, kur janë relativisht të rinj. Mosha më e zakonshme për t’u kthyer në Shqipëri është ndërmjet 25 dhe 29 vjeç. Përqindja e të kthyerve në moshë pensioni nuk është e lartë (rreth 6%), edhe pse prezumohet që shqiptarët punojnë jashtë vendit deri kur arrijnë moshën e pensionit dhe pastaj kthehen në Shqipëri. Meqenëse shumë punëtorë migrantë emigrojnë në moshën 20 dhe 30-vjeçare, mund të jetë shumë herët që të konstatohet migracioni i kthimit për dalje në pension- ata që kanë qenë 20 dhe 30 vjeç në vitin 1989 vetëm tani po i afrohen moshës së pensionit.
Në lidhje me gjininë, duket se ekziston një dallim i ndjeshëm mes raporteve të të kthyerve, ku meshkujt janë të mbipërfaqësuar në krahasim me femrat, 73.7% dhe 26.3%, përkatësisht. Modeli i shpërndarjes së moshës mes meshkujve dhe femrave, megjithatë, çuditërisht është i njëjtë. Meqenëse përgjithësisht meshkujt kanë më shumë mundësi që të lëvizin për arsye punësimi (INSTAT, 2014) nuk është për t’u habitur që raporti i të kthyerve të grupmoshës 25-45 të jetë më i lartë për meshkujt. Përkundrazi, shpërndarja për femrat është disi lineare, meqë femrat mund të lëvizin më shumë për arsye familjare. Pavarësisht arsyeve të ndryshme për migracion, kulmi i moshës së femrave është njësoj ashtu si dhe për meshkujt.
Vështirësi për krijimin e familjes
Të dhënat në lidhje me përbërjen familjare tregojnë që shumica e shqiptarëve (42.8%) përpara së të migronin jetonin në “familje të mëdha” (me prindër dhe/ose vëllezër dhe motra dhe të tjerë); kjo lidhet me faktin që më shumë se gjysma e të kthyerve shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre civile përpara se të migronin ishte “beqar/e”.
Këto lloj familje kanë qenë të shumta përpara migracionit, ndërsa pësuan një ulje në vendin e fundit të emigracionit dhe akoma më shumë pas kthimit 40.6% dhe 32% përkatësisht. Nga ana tjetër, familjet me “një bërthamë familjare” (domethënë familje që përmbajnë një çift me apo pa fëmijë, mama/baba i vetmuar me fëmijë), numëronin më shumë se 31.4% të të gjitha familjeve përpara migracionit. Përqindja u rrit në 37% në vendin pritës dhe pas kthimit arriti 45.9%.
Këto rezultate çojnë në konkluzionin që pas kthimit ka ndodhur një ndryshim nga “familje e madhe” në një “familje me një bërthamë”.Të dhënat për gjendjen civile tregojnë që mbi 30% e të gjithë të kthyerve kanë mbajtur gjendjen e tyre civile “beqar/e” gjatë migracionit dhe pas kthimit në Shqipëri. Ndryshe nga kjo, përqindja e migrantëve që janë martuar jashtë vendit është më e lartë sesa e atyre që janë martuar pas kthimit në Shqipëri (11.8% kundrejt 6.6%).
Të kthyerit, të nxitur nga kriza
Më shumë se 94% e të kthyerve vendosën me vullnetin e tyre që të kthehen, ndërsa më pak se 6% e tyre kanë qenë të detyruar. Në analizimin e moshës, duket se të kthyerit, që janë kthyer të detyruar nga rrethanat për t’u larguar nga vendi pritës, kanë qenë më të rinj sesa ata që kanë vendosur të largohen me dëshirën e tyre.
Greqia ka qenë vendi i destinacionit të fundit për shumicën e të kthyerve (70.8%) e ndjekur nga Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, ndërsa kthimet nga vende të tjera kanë qenë në nivele më të ulëta dhe janë grupuar nën kategorinë “Tjetër” me 2.4%.
Kthimet kanë qenë në rritje që prej vitit 2011. Nëse kjo gjetje analizohet së bashku me gjetjet për vendin e kthimit, është e dukshme që rritja e numrit ka ardhur si pasojë e kthimeve nga Greqia që kanë ndodhur më së shumti për shkak të krizës financiare në këtë vend dhe ndikimit të saj negativ në tregun e punës.
Në lidhje me strehimin, të dhënat e mbledhura tregojnë që përpara largimit nga Shqipëria, 82% e migrantëve jetonin në shtëpi private dhe rreth 15% jetonin në apartament. Vetëm një përqindje e vogël e familjeve të këtij vrojtimi jetonin në institucion, 0.6%. Situata ndryshoi shumë gjatë migracionit; shumica e migrantëve shqiptarë jashtë vendit jetonin në apartamente dhe jo në shtëpi private, 62% dhe 36% përkatësisht.
Statusi i akomodimit në vendin e fundit të emigracionittregon një rritje të numrit të pronarëve. Përqindja e pronarëve shkoi në rritje nga 4% në kohën e mbërritjes së tyre në vendin e fundit të emigracionit në mbi 6% vetëm përpara kthimit në Shqipëri. Përkundrazi, përqindja e migrantëve që merrnin shtëpi me qira u ul disi përpara largimit nga vendi i fundit i emigracionit, krahasuar me situatën e mbërritjes së tyre, 86% dhe 87% përkatësisht.
Ku po jetojnë
Shumica e të kthyerve janë vendosur në vendin e tyre të lindjes ose në vendin e banimit të tyre të zakonshëm. Kjo gjetje mund të shpjegohet me praninë e familjarëve të tjerë, njohjen e vendit dhe komunitetit dhe lehtësinë e ripërshtatjes
Numri më i madh i të kthyerve janë vendosur në Tiranë, megjithatë jo të gjitha qarqet preken njësoj nga migracioni i kthimit. Siç shihet në Figurën 4, Tirana, Fieri, Vlora dhe Elbasani janë qarqet e origjinës së të kthyerve (qarqe të qëndrimit të të kthyerve përpara se të migronin) me përqindjen më të lartë, mbi 10%, ndërsa në lidhje me qarqet e destinacionit (qarqet e qëndrimit pas kthimit), Tirana, Durrësi dhe Vlora janë ato që kanë përjetuar një rritje sa i përket përqindjes së të kthyerve të vendosur në këto qarqe.
Ky krahasim ndërmjet vendit të banimit të zakonshëm dhe qëndrimit pas kthimit tregon që migracioni i kthimit është i lidhur me rivendosje të brendshme të popullsisë. Tendenca e të kthyerve është që të vendosen në qarqet me zhvillim të lartë social-ekonomik ku mund të realizojnë planet e tyre të jetës. Një konstatim interesant është ndikimi i migracionit të kthimit në qarqe ku janë vendosur të kthyerit. Raporti i migracionit krahasuar me popullatën e banorëve duket se është më i lartë në Qarkun e Tiranës, Gjirokastrës, Dibrës dhe Lezhës. Ky konstatim mund të përdoret si tregues për ofrimin e mbështetjes për riintegrim në këto qarqe nga institucione shtetërore, për të trajtuar më mirë sfidat që dalin nga migracioni i kthimit.
Në lidhje me lëvizshmërinë e migrantëve, vrojtimi tregon që 64% e të gjithë të pyeturve janë larguar nga Shqipëria vetëm një herë që të jetojnë jashtë vendit, ndërsa 10% kanë emigruar të paktën 3 herë. Siç shihet,shumica e migrantëve që kanë emigruar një herë kanë jetuar jashtë vendit për 5 vjet ose më shumë (39%). Përkundrazi, për ata që kanë migruar tre ose më shumë herë, kohëzgjatja e qëndrimit varion ndërmjet një dhe dy viteve, 4% dhe 3% e të kthyerve, përkatësisht.
Pjesa dërrmuese e të kthyerve shqiptarë (45%) kanë pasur një përvojë relativisht të gjatë migracioni me kohëzgjatje qëndrimi jashtë vendit prej 5 ose më shumë vitesh, gjë kjo që është qartazi e lidhur me ato raste që kanë pasur më pak lëvizshmëri. Ata që kanë lëvizur më shumë (3+ herë) kanë pasur më shumë mundësi që të kenë një përvojë relativisht të shkurtër migracioni.
2014, nis të thellohet emigracioni neto
Që nga 2014-a, trendi i emigrimit jashtë vendit është thelluar. Të ikurit në raport me të kthyerit janë 2 mijë më shumë se në vitin 2013. Sipas INSTAT, më 2014, emigracioni neto shënoi -18046 persona në vitin 2013, ky tregues ishte -16414 persona vitin që shkoi, por që pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit, pas ikjeve masive sidomos nga qarqet e Veriut.
Gjatë tremujorit të parë kanë kërkuar azil ekonomik në Gjermani rreth 5 mijë persona dhe ikjet vijojnë në përmasa jo të zakonshme.
Emigracioni ka vazhduar të jetë një nga arsyet kryesore të rënies së numrit të popullsisë në Shqipëri gjatë periudhës midis dy censuseve të fundit 2001 dhe 2011.
Emigrimi në Shqipëri ka qenë fenomen i zakonshëm, i cili është ndërmarrë në shumicën e rasteve më shumë nga meshkujt sidomos në periudhën 1989-2001. Megjithatë, dallimet gjinore në periudhën e ndërmjet dy censuseve të fundit 2001-2011 nuk janë shumë të theksuara. Sipas vlerësimeve indirekte të INSTAT-it, gjatë kësaj periudhe rreth 481.000 shqiptarë kanë emigruar.
Censusi i fundit 2011 evidentoi edhe një fenomen të ri, atë të migracionit të kthimit, i cili ndikoi në rritjen e migracionit neto dhe si rrjedhim, uljen e ritmit të zvogëlimit të popullsisë. Sipas studimit të bërë nga INSTAT “Migracioni i kthimit dhe riintegrimi në Shqipëri, 2013”, rezulton se gjatë viteve 2009-2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133.544 persona. Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011, me rreth 1,5 herë, për shkak të krizës ekonomike në Eurozonë dhe kryesisht në Greqi. Tek të kthyerit, janë meshkujt ata që dominojnë krahasuar me femrat.
Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të Europës, ka përjetuar një tranzicion demografik të vonë, por intensiv (rënia e vazhdueshme e lindshmërisë dhe vdekshmërisë). Vdekshmëria filloi rënien e saj që nga vitet 1930, ndërsa lindshmëria qëndroi e lartë deri në vitet 1960.
Prandaj vendi përjetoi një ndër normat më të larta të rritjes së popullsisë në Europën e pasluftës (mbi 2% në vit), duke sjellë një rritje të popullsisë nga 1,218 milionë në vitin 1950 në një maksimum prej 3,182 milionë në vitin 1989. Megjithatë, pavarësisht strukturës së re moshore, popullsia pësoi rënie deri në 3,069 milionë në vitin 2001 dhe më pas në 2,097 milionë në vitin 2011, çka korrespondon me një rënie vjetore respektivisht prej 0,3% dhe 0,8%. Emigrimi dhe normat e ulëta të lindshmërisë janë faktorët kryesorë të kësaj rënieje.
Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizjeje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës, edhe pse në rënie, ndërsa vdekshmëria pësoirënie të lehtë, duke mbetur pothuaj në nivelet 16-17 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur. Ndryshimet në lindshmëri dhe emigracion kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë së Shqipërisë.
Çfarë na pret…
Parashikimet tregojnë se emigracioni sistematik do të vijojë deri në vitin 2031 dhe përveç qarqeve të Tiranës, Vlorës dhe Durrësit, të tjerat do të shpopullohen edhe me 40%. Vendi, për 25 vjet, ka humbur një të tretën e popullsisë dhe emigracioni vijon të jetë në nivele alarmuese.
Përvojat botërore tregojnë se, cikli i migracionit në vendet tipike ka zgjatur 15 vjet dhe pas kësaj periudhe, numri i të kthyerve me të larguarit është barazuar. Në Shqipëri, hemorragjia e largimeve nga vendi ka hyrë në vitin e 25-të dhe bilanci mbetet thellësisht negativ dhe kjo dukuri do të zgjasë edhe për të paktën 16 vite.
Ekspertët pohojnë se, daljet do të jenë të larta, për sa kohë që niveli i jetesës në Shqipëri do të jetë më i ulët se i fqinjëve dhe nëse autoritetet shtetërore nuk e rrisin besimin te njerëzit se situata ekonomike do të ndryshojë. Vetëm Instituti i Statistikave e ka një bilanc se çfarë do t’i ndodhë vendit në aspektin demografik, por ende nuk dimë kostot dhe përfitimet e fenomenit të emigrimit ndër vite. Por, tek e fundit, çfarë rëndësie kanë përfitimet kur popullsia i është kthyer rënies më shpejtësi pa perspektivë ndalimi. Me këtë ecuri, Shqipëria renditet e dyta në Europë pas Moldavisë për nivelin e lartë të emigracionit. Të dyja vendet renditen të parat për nivelin e varësisë në Europë.
Mosha mesatare e popullsisë në 10 vitet e fundit është rritur ndjeshëm me 5 vjet, duke komplikuar problemet me skemën e pensioneve, ku do të ketë më pak kontribuues për ata që kanë arritur moshën e pensionit.
Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizje është ulur në mënyrë progresive.Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës, edhe pse në rënie, ndërsa vdekshmëria pësoi rënie të lehtë, duke mbetur pothuaj në nivelet 16-17 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur.
Ndryshimet në lindshmëri, më së shumti për shkak të emigrimit, kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë së Shqipërisë. Gjatë viteve 1960, lindshmëriaarriti maksimumin e vet me rreth 7 fëmijë për grua. Pas viteve 1970, nisrënia e shpejtë, nga 5.2 në vitet 1970 në 3.6 në 1980 dhe në 3 në fillim të viteve 1990. Megjithëse lindshmëria në Shqipëri pësoi rënie të shpejtë gjatë periudhës 1960-1990, ajo vazhdonte të ishte më e larta Europë.Që nga viti 1990, lindshmëria ka vazhduar rënien e saj. Ky indikator ishte 3 fëmijë për grua në 1989, 2.3 në vitin 2001 dhe në 2013 u llogarit 1.76 fëmijë për një grua.
Duke ju referuar projeksioneve të popullsisë së Shqipërisë, bazuar në Censusin 2011, trendet e ardhshme të lindshmërisë, sipas variantit të mesëm dhe atij të ulët, do të vazhdojnë rënien. Kjo evidentohet edhe nga analiza e të dhënave aktuale të lindshmërisë kur shohim numrin e lindjeve të seksit femër për grua. Aktualisht, ky indikator është 0.8 lindje femra për grua. Kjo do të thotë se femrat në Shqipëri nuk arrijnë ta zëvendësojnë veten me afërsisht 20%. Bazuar në hipotezën mesataretë projeksioneve të popullsisë për lindshmërinë (ISF),ajo pritet të jetë 1.61 fëmijë për grua në 2021 dhe 1.5 fëmijë për grua në vitin 2031.
Azili i pamatshëm
Sipas INSTAT, largimi i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian për të kërkuar azil është një koncept i pamatshëm nga ana statistikore. Të ikurit, në kufi deklarojnë lëvizje për arsye të tjera, si psh turistike, apo vizitë tek të afërmit dhe askush nuk pranon që po ikën në kërkim të azilit. Vetëm institucionet kufitare të vendeve pritëse mund të marrin arsyet e kërkesës për azil.
Në të kundërt, emigracioni është një fenomen i matshëm nga ana statistikore dhe sasiore, përmes vlerësimeve të lindjeve, vdekjeve dhe ndryshimeve të tjera.
Për herë të parë, pak javë më parë INSTAT publikoi dhe një analizë sasiore të shkaqeve të emigrimit, të realizuar gjatë vitit 2013, për emigrantët e kthyer gjatë dekadës së fundit, i cili mat faktorët e qëndrueshëm (afatgjatë) që shtyjnë shqiptarët të lënë vendin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.