Një vit më parë, qeveria priste ulje me 4 pikë përqindjeje të kredive me probleme, për shkak të shlyerjes së detyrimeve. Por, angazhimet financiare prej rreth 400 milionë euro (shlyerja e detyrimeve të prapambetura, plus asistenca e bankës Botërore) vetëm vitin e kaluar për këtë qëllim, krahas masave lehtësuese për bankat, rezultojnë sot të paefektshme. Ekspertë e sipërmarrës vlerësojnë se vitin e kaluar, ndërsa u “shërua” një kompani, një apo më shumë u “sëmurën”, duke kaluar në debitorë problematikë për bankat. Si mund të dilet nga kjo situatë…
Efekti i parë që pritej të dukej me fillimin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit, duhej të ishte ai i uljes së kredive me probleme në sistemin bankar. Në fakt, kur ka kaluar një vit nga marrëveshja e huas me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 330 milionë eurosh, e për më tepër kur është paguar gjysma e detyrimeve (35 miliardë lekë, sipas Ministrisë së Financave), asgjë nuk ka ndryshuar te kreditë me probleme. Ato mbeten 24.2% deri në fund të nëntorit. Përballë kritikave të opozitës për “nxitimin” e marrjes së këtij borxhi, përfaqësues të qeverisë argumentonin se kredia do të shkonte për injektim parash në ekonomi. Nëpërmjet shlyerjes së detyrimeve, ata prisnin që kompanitë e kontraktuara për rrugë a punë të tjera publike, të shlyenin kreditë e tyre në banka, te kreditorë të tjerë e, rrjedhimisht, të injektoheshin para në ekonomi. Madje, disa ministra, ndër të cilët edhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, pohuan nivelet e pritshme të tkurrjes së kredisë me probleme. Sipas Ahmetajt, “kreditë me probleme pritet të bien 4 pikë përqindje, pra në rreth 20%, falë kësaj huaje”.
E nëse kjo e vetme nuk do të mjaftonte, po vitin e kaluar një tjetër hua u mor nga Banka Botërore me vlerë 100 milionë dollarë për të forcuar sistemin bankar. Projekti ka në fokus reformat në sistemin bankar dhe më saktë, uljen e kredive të këqija. Paketa e masave bëhet edhe më e plotë me normat ligjore të miratuara nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, të cilat lehtësojnë ekzekutimin e kolateralit nga ana e bankave.
E pas gjithë këtyre masave, të cilat mund të mos e kenë dhënë ende efektin e plotë (por të paktën pjesërisht po), me të drejtë lind pyetja se pse nuk po bie niveli i kredive me probleme….
Kjo pyetje merr përgjigje negative edhe nga partneri i qeverisë sonë në “luftën” ndaj kredive me probleme, Banka Botërore. Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore, pyetjes së gazetarëve gjatë konferencës për shtyp të javës së kaluar, iu përgjigj se, “në fakt, nuk e kuptojmë saktësisht përse nuk po bie niveli i kredive me probleme në Shqipëri”.
Përgjigjen ndoshta duhet ta japë vetë qeveria, e cila premtoi uljen me 4 pikë përqindje të këtyre kredive. Në këto kushte, e sigurt është se i gjithë problemi, (ku administrata shpenzoi shumë energji, e madhe edhe para për auditimin e verifikimit e mbarëvajtjes së shlyerjes së kredive) nuk qëndronte vetëm te kompanitë që u angazhuan në projekte publike.
Kreditë me probleme rezultojnë si një sëmundje që duhet luftuar në të gjitha anët, pasi, sipas statistikave, ekspertëve dhe përfaqësuesve të vetë biznesit, rezulton se, ndërsa u punua për të shëruar një plagë të kredisë, disa të tjera u hapën. Specialistët e fushës e sipërmarrës, pohojnë se vitin e kaluar, të tjera kompani, prodhues e tregtarë, kaluan në regjistrin e kredive të këqija, për shkak se gjendja e tyre financiare është përkeqësuar. Një fakt i përmendur gjatë konferencës së javës së kaluar, edhe nga ekspertja shqiptare e zyrës së Bankës Botërore në vendin tonë, Hilda Themeli.
Bankat, nuk mjafton një faktor për të ulur kreditë me probleme
Në prononcimet e tyre të kujdesshme, ekspertët e kredisë pranë bankave të nivelit të dytë pranojnë se “ecuria e kredive me probleme nuk lidhet ngushtësisht me pagesat që disa kompani kanë arritur të marrin, si rrjedhim i huas së qeverisë shqiptare nga FMN”. Sipas përfaqësueses së një prej bankave me kapital shqiptar, “arsyet e rritjes së kredive me probleme në vitet e fundit janë bazuar në disa faktorë, si për shembull: ecuria e përgjithshme në rënie e ekonomisë, mungesa e rritjes së kërkesës konsumatore, bllokimi i sektorit të ndërtimit nga mungesa e investimeve dhe likuiditetit, lehtësimi i standardeve të kredidhënies në periudhën kohore të lulëzimit të disa sektorëve të ekonomisë në vitet 2005-2007 etj.”. Kjo “tregon se nuk mund të presim rënie të stokut të kredive me probleme, vetëm si përmirësim i një prej faktorëve të mësipërm”.
Ekspertët bankarë presin që stoku i kredive me probleme të ulet në të ardhmen nga një kombinim i duhur i rritjes ekonomike, përmirësimit të kërkesës së brendshme të konsumatorëve, investimeve nga korporatat dhe bizneset e vogla e të mesme, ashtu si dhe rritja e përgjithshme e likuiditetit në treg”.
Duhen politika për nxitjen e ekonomisë, ato aktuale, të pamjaftueshme
Flet Adrian Civici, Presidentit i UET
Nisur nga analizat më të thelluara bërë në këtë drejtim ka një këndvështrim në dy aspekte të ndryshme. Së pari, nuk është vërtetuar ajo që mendonim në fillim që, pothuajse 100% e kredive me probleme, janë kredi për shkak të mospagesës së detyrimeve të qeverisë së mëparshme ndaj një kategorie biznesi, kryesisht biznese të ndërtimit, punimeve të infrastrukturës dhe shërbimeve të ndryshme.
Nga analiza e strukturës së kredive të këqija jo të gjitha varen nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura. Shifrat e sotme tregojnë se, edhe ndërsa një pjesë e mirë e bizneseve që kanë marrë pagesat e kanë shlyer kredinë e tyre, përsëri shifra e kredive të këqija vazhdon të mbetet e lartë. Mbetet e lartë sepse vazhdojnë disa kredi, të cilat janë të mëdha, të marra nga bizneset kryesore, nga kredi normale, për shqetësimet që kanë kompanitë, të kthehen në kredi me probleme, natyrisht jo të humbura. Kështu që, shifra prej 24.2% e kredive të këqija në Shqipëri reflekton shumë më tepër situatën aktuale të disa degëve e sektorëve të bizneseve që janë në një lloj vështirësie strukturore, që nuk janë lidhur detyrimisht dhe vetëm me mospagesat që kishte shteti ndaj tyre për punë të realizuara dhe të papaguara. Një tjetër faktor, është mënyra si është proceduar deri më tani, çfarë hapësire ka pasur mundësia për ristrukturimin e kredive, çfarë mbështetjesh mund të kenë dhënë vetë bankat në negociatat e tyre në këto biznese për t’u krijuar atyre hapësirat e nevojshme për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Janë të dy këta faktorë që na lënë në këto shifra të larta. Por, njëkohësisht, shifra është e lartë edhe për një arsye statistikore. Për sa kohë nuk kemi ritme të larta të rritjes së kredive të reja, duke qenë një vlerë absolute në shifër, përqindja e kredive të këqija ka tendencë në mos të rritet, të paktën të qëndrojë në vend.
Duhet të kujtojmë se kreditë me probleme janë nën ndikimin jo vetëm të huas që dha FMN, apo të një ndihme që caktoi Banka Botërore për të mbështetur sektorin bankar për kreditë me probleme. Janë një sërë masash të tjera të marra nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave me natyrë mikro apo makroprudenciale, që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kodit Civil për lehtësimin apo përshpejtimin e procedurave të kolateralit, si dhe ndryshimin e disa rregulloreve për mënyrën e menaxhimit të riskut dhe administrimit të kredive me probleme. Ndryshimi i disa udhëzimeve që kanë të bëjnë me provigjionet, me pagesën e tatimeve të këtyre provigjioneve ku Ministria e Financave fali një pjesë të detyrimeve të provigjioneve, çka bëri që bankat mund të pastronin bilancet e tyre nga kreditë e këqija. Pra, mendoj se situata duhet parë në kompleks. Nëse do t’i vinim një emër, do të thosha që kreditë e këqija janë shumë të lidhura me optimizmin ekonomik, zhvillimin e disa sektorëve të ekonomisë dhe, mbi të gjitha, të mos harrojmë, se një pjesë e tyre janë të varur edhe nga cilësia e dobët e dhënies së kredisë nga vetë bankat tregtare në Shqipëri.
Flet Selami Xhepa, dekan i Universiteti Kanadez të Teknologjisë
Bankat të studiojnë me imtësi. Efekti i premtuar i kredisë, i tepruar
Rreziku më serioz për perspektivën mbetet gjendja e pastabilizuar e bilanceve të sistemit bankar në marrëdhënie me biznesin. Prej më shumë se dy vitesh gjendja e portofolit të kredisë problematike në ekonomi është e pandryshuar, gati 25% e totalit të kredisë është kredi problematike. Kjo është komprometuese së pari për gjendjen e vetë sistemit bankar dhe së dyti, për rolin aktiv të sistemit bankar në nxitjen e sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Arsyet lidhen, në radhë të parë, me strukturën e portofolit të kredisë. Një pjesë e rëndësishme e kredive rezultojnë të dhëna mbi baza të pritshmërive shumë optimiste. Ekonomia, në gjendjen e saj euforike, premton rikthime të larta të investimit, por, kur cikli i biznesit fillon të bjerë në ritmet e saj, norma e rikthimit të investimit bie. Kështu që supozimet mbi të cilat është bazuar kreditimi i ekonomisë kanë ndryshuar në mënyrë negative. Kjo ka sjellë si pjesë të kredive të qëndrueshme me probleme, edhe kredi të përkohshme me probleme, pasi edhe ajo pjesë e kredive që ka shkuar në projekte që vazhdojnë të funksionojnë, por për shkak të pengesave të përkohshme për rikthimin e saj, bëjnë që të klasifikohen automatikisht si të tilla.
Për këtë arsye, bankat duhet të dallojnë në mënyrë serioze se cilat projekte mund të konsiderohen të dështuara, nga sipërmarrje që mund të kenë probleme të përkohshme likuiditeti dhe kur kredia e riskeduluar do të ndryshonte destinacionin.
Kjo nuk është thjesht një çështje statistikash, por fondamentale për ecurinë e biznesit. Qeveria mund të luajë rol në mbështetje të sistemit bankar për të fshirë bilancet. Kurse për të tjerat, mund të rishikohen termat e kredisë.
Kjo është një çështje e menaxhimit dhe qeverisjes së vetë bankave. Duhet të shikojnë portofolat e tyre me projekte konkrete dhe me ndihmën e Bankës së Shqipërisë të bëjnë një vlerësim të thelluar, e më tej problemin ta diskutojnë me Ministrinë e Financave e qeverinë. Pasi një portofol me 25% kredi me probleme është shqetësim për bankat dhe ekonominë e vendit. Kështu që një gjendje kaq serioze ka nevojë për një studim shumë të imtësishëm dhe të detajuar.
Huaja e marrë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në çdo rast është pozitive, pasi termat e kësaj kredie janë të favorshme. Por, premtimi se kjo kredi do të sjellë ulje të kredive me probleme, për shkak të shlyerjes së detyrimeve, ndërsa niveli i tyre nuk po bie në të vërtetë, do të thotë që efekti i faturave të pashlyera nga qeveria për sektorin e biznesit dhe marrëdhëniet me sistemin bankar nuk kanë qenë në shkallën e pritur. Roli i saj ka qenë pjesor nga ajo që pritej të vihej re.
Mendoj se pritjet për ulje përmes shlyerjes së detyrimeve të prapambetura kanë qenë të tepruara. Ato kanë pasur rol modest në këtë drejtim.
Nëse një pjesë e mirë e faturave janë shlyer dhe gjendja në sistemin bankar nuk po ndryshon, do të thotë që faktorët që e kanë bërë kredinë problematike të vazhdojë të mbetet serioze lidhen me ciklin e biznesit me gjendjen e ekonomisë së vendit. Për rrjedhojë, nevoja për të ndërhyrë me instrumente politike dhe, ndoshta, edhe financiare, është më e pranishme se kurrë.
Flet Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë
Vitin e kaluar, të tjera kompani iu shtuan listës së debitorëve
Buxhuku, ju jeni në kontakt me një grup të madh sipërmarrjesh. Sa mendoni se u ndie shlyerja e detyrimeve gjatë vitit të kaluar, dhe përse mendoni se nuk patëm një ulje të kredive me probleme siç pritej?
Nëse do të pyesim përse nuk ka rënë niveli i kredive me probleme, shpjegimi i vetëm që jepet në këtë rast është se, pavarësisht injektimit të një sasie të konsiderueshme parash, gradienti i rritjes së kredive me probleme ka qenë në rritje. Një sasi e fundme për një periudhë të caktuar vetëm e ka ulur pak shpejtësinë e rritjes. Kur pranojmë këtë, tregon se diçka nuk po ecën mirë. Vështirësitë janë shtuar, e kjo të çon në paaftësinë paguese për kredinë e marrë. Si rrjedhim, efekti i injektimit në ekonomi të borxhit që shteti u kishte kompanive, nuk kishte mundësi ta bllokonte një gradient që është në rritje.
Ju po thoni që vitin e kaluar, pati të tjera kompani që u futën në listën e debitorëve të këqij? Cilat janë këto kompani? Cilët sektorë po shfaqin probleme likuiditeti?
Së pari, janë sektorët që lidhen në mënyrë direkte me industrinë e ndërtimit. Tani po ndiejnë vështirësi edhe ata sektorë prodhues të destinuar për tregun e brendshëm. Ka pasur disa sektorë që prodhonin produkte bazë, të cilët kanë qenë të qëndrueshëm për disa vite, ndërsa tani duket se po kemi probleme konkurrence në shtim për produktet e ngjashme që vijnë nga tregje të tjera. Kjo lidhet me faktin se te ne ka pasur disa rritje taksash. Problem i madh në Shqipëri është fakti se edhe normat e kreditimit në ekonominë shqiptare janë më të shtrenjta se sa në vendet e Europës. Ka një kombinim faktorësh objektivë, që tregojnë se në përgjithësi, ekonomia shqiptare në 2015-n do të jetë problematike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.