Nga Albana MUçAJ
Kanë mjaftuar vetëm kushtet e motit për të reduktuar në mënyrë të theksuar rritjen ekonomike të vendit, prej vetëm 0.5% të shënuar në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Rritja, shumë larg parashikimeve të asaj të parashikuar nga qeveria për vitin 2011, u ndikua nga reduktimi i theksuar i prodhimit të energjisë elektrike në vend. Para se të flasim për shifrat duhet theksuar se prodhimi i energjisë krahasohet me një vit më parë, kur prurjet e reshjeve ishin aq të larta sa u shkaktuan përmbytje në Ultësirën e Shkodrës dhe njëkohësisht prodhimi i energjisë shënoi nivele rekord.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, prodhimi i energjisë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar u përgjysmua krahasuar me të njëjtën periudhë një viti më parë, por vazhdoi të bjerë edhe krahasuar me tremujorin e parë 2011. Sipas INSTAT, prodhimi i energjisë ra 29% krahasuar me periudhën janar-mars 2011. Në gjithë gjysmën e parë të vitit të kaluar, sasia e energjisë së prodhuar ishte 2,405 GWh, ose 47% më pak se gjashtëmujori i parë i 2010-s.
Për ekspertët e ekonomisë, rënia ishte deri diku e pritshme, pasi 2010-a konsiderohet si një vit jo normal për reshjet e tepërta. Sipas tyre, kjo duhej të merrej parasysh edhe nga politikëbërësit në parashikimin e PBB-së. KESH-i renditet e para në sektorin e industrisë për nga xhiro vjetore dhe ulja e prodhimit të saj vlerësohet të ketë dhënë ndikimin më të madh në performancën e dobët të industrisë. Sipas të dhënave tatimore, në 2010-n, KESH realizoi një xhiro prej 25.4 miliardë lekësh.
Përveç rënies së prodhimit dhe rrjedhimisht edhe xhiros (së pritshme) të KESH, nga mesi i vitit të kaluar ndikuan edhe disa faktorë të tjerë, të paparashikueshëm deri diku, që dhanë si rezultat një performancë shumë të dobët të industrisë në vend. Greva në të cilën u përfshi “Albanian Crome” (kompania e katërt industriale sipas xhiros së vitit 2010, pas KESH, Bankers Pertoleum, Kurum), bëri që prodhimi i kësaj kompanie të ishte 0 për tre muaj.
Dy prej kompanive kryesore ndikuan që industria të paraqiste rënien më të madhe në tremujorin e dytë 2011 (-8.5%) krahasuar me një vit më parë, sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT). Rënie pësoi edhe Post-Telekomunikacioni (-2.1%), por ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kjo e fundit ka ardhur për shkak të maturimit të tregut.
Me uljen e aktivitetit në tremujorin e dytë 2011, industria shënoi kthesën drejt përkeqësimit. Sipas vrojtimit të Besimit të Bizneseve dhe Konsumatorëve të publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë, “vlerësimi i bizneseve të sektorit të industrisë për ecurinë e ekonomisë në total dhe për gjendjen e përgjithshme të bizneseve të tyre u përkeqësua në tremujorin e katërt 2011”. Në vrojtimin e bankës theksohet se, “këto balanca kanë shënuar prirje të theksuar rënëse që nga tremujori i dytë i vitit 2011”. Në këtë periudhë, sipas Bankës së Shqipërisë, vlerësohet të ketë pasur edhe rënie të theksuar të kërkesës. Në përgjigjet e tyre lidhur me kërkesën konsumatore, bizneset theksojnë se, kërkesa për produkte industriale në gjysmën e dytë të vitit ishte pothuajse e qëndrueshme. Por sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa “pësoi rënie të theksuar në tremujorin e dytë të vitit 2011”, ndërsa shënoi rikuperim të vogël më vonë. Sipërmarrjet tregojnë se për produktet industriale, kërkesa e huaj ka vazhduar të jetë në rënie edhe në tremujorin e fundit të vitit 2011.
Pritshmëritë për prodhimin (në ata pak sektorë të industrisë) nuk janë të kënaqshme, pasi vetë sipërmarrjet prodhuese nuk janë optimiste për situatën ekonomike në tërësi. Kërkesa e ulët dhe pesimizmi rrezikojnë të sjellin më pak prodhim. Në vrojtimin e BSH-së, vihet re se vlerësimi i bizneseve të industrisë për situatën e përgjithshme të ekonomisë është më pesimist se sa për gjendjen e tyre të biznesit.
INSTAT: Industria bie 8%
Treguesi i vonuar i Prodhimit të Brendshëm Bruto (tremujori i dytë 2011) nuk ishte aspak premtues për rritjen e parashikuar nga qeveria shqiptare, por edhe institucione të huaja. E përveç rritjes shumë më të vogël nga ç´pritej, shqetësimi më i madh i ekonomistëve është se si ka vazhduar të performojë ekonomia shqiptare në gjysmën e dytë të vitit, ose më saktë si ka qenë prodhimi industrial. Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, prodhimi i industrisë në Shqipëri rezultoi me rënie prej më shumë se 13% krahasuar me tremujorin e parë. Krahasuar me një vit më parë, rënia ishte mbi 8%.
Ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit 0.5% në tremujorin e dytë 2011, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ai pësoi rënie prej 1.7% krahasuar me tremujorin e parë 2011. Në këtë periudhë, degët që pësuan rritjet më të larta ishin transporti, shërbimet dhe tregtia. Krahasuar me një vit, transporti pësoi rritjen më të madhe (14.9%). Krahasuar me 3-mujorin e parë 2011, rritja ishte 3.4 %.
Energjia, përgjysmohet prodhimi
Ulja e prodhimit të energjisë në vend përkoi me përgjysmimin e prurjeve që do të siguroheshin nga reshjet e lumenjtë. Sipas të dhënave statistikore, prodhimi i energjisë nga KESH-i në periudhën korrik-shtator 2011 filloi të rritej, por mbeti më i ulët se një vit më parë. Në përgjithësi, vitin e kaluar prodhimi i energjisë së KESH-it vlerësohet të jetë ulur paraprakisht mbi 40%. Ekspertë të energjisë shpjegojnë se, më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte e pritshme, pasi kushtet e motit po stabilizoheshin dhe reshjet vështirë të ishin si ato të fillimvitit 2010. Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, “me përjashtim të muajve korrik, gusht dhe shtator, në gjithë pjesën tjetër të vitit 2010, koeficienti i shfrytëzimit të ngarkesës maksimale rezulton mbi 0.78, çka përfaqëson një rekord jo vetëm për Shqipërinë por dhe në shkallë europiane”. Piku i prodhimit ditor të energjisë u shënua në prill 2010 (pra, në tremujorin e dytë 2010).
ACR, përgjysmoi prodhimin
Për “Albanian Crome” (ACR), viti i kaluar nuk ishte i mbarë. Greva e minatorëve e problemet administrative bënë që kompania të ndërpresë punën të paktën për tre muaj. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, prodhimi i mineralit të kromit gjatë vitit të kaluar ishte pak më shumë se gjysma e prodhimit të vitit 2010, konkretisht 34.2 mijë tonë, nga mbi 67.5 mijë tonë që u prodhuan në vitin 2010. Përfaqësues të kompanisë tregojnë se, ekonomikisht kompania ka qenë në rënie dhe ka përjetuar krizë gjatë vitit 2011. “Kriza kishte si shkak kryesor grevën e muajit korrik, e cila zgjati më se tre muaj dhe shkaktoi një dëm ekonomik jo të vogël në prodhim”, thonë përfaqësuesit e kompanisë. Ata shtojnë se edhe po të mos kishte ndodhur greva, përsëri shifrat do të ishin në ulje, për shkak të rënies së bursës ndërkombëtare dhe si rrjedhojë edhe të kërkesës për produktin e mineralit të kromit. çmimi i tregut për produktin ka qenë i ndryshëm gjatë gjithë periudhës, por mesatarisht më i ulët se në vitin 2010. ACR është kompania kryesore e nxjerrjes së mineralit të kromit në vend, por jo e vetmja. Ajo dha ndikimin kryesor në reduktimin e mineralit të kromit të nxjerrë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) në 9-mujorin 2011, prodhimi i mineralit të kromit ishte mbi 145.5 mijë tonë, ose rreth 15% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për sa i përket prodhimit të ferrokromit, përfaqësuesit e ACR-së saktësojnë se gjatë ndërprerjes së aktivitetit në minierë, kanë blerë mineral për uzinën e shkrirjes. Shifrat e ferrokromit janë të krahasueshme nga viti në vit. Ata pohojnë se edhe në prodhimin e ferrokromit janë ndjerë efektet e rënies ekonomike botërore.
Industria, jo tërësisht në rënie
KESH e ACR, sigurisht që kanë dhënë ndikimin kryesor në performancën e dobët të industrisë për vitin e kaluar, veçanërisht në tremujorin e dytë 2011. Por mes sektorit të dobët të industrisë, pati edhe kompani që iu gëzuan rritjes, pas investimeve të bëra. Sipas të dhënave të METE-s, prodhimi i naftës bruto arriti vitin që shkoi mbi 891 mijë tonë, ose gati 33% më shumë se një vit më parë. Kjo rritje erdhi nga shtimi po kaq i aktivitetit të “Bankers Petroleum”, prodhuesit më të madh të naftës bruto sipas METE-s. Rënie të prodhimit shënoi “Albpetrol”, edhe për shkak të futjes në procesin e privatizimit. Sipas METE-s, prodhimi i saj ra mbi 50% krahasuar me një vit më parë.
Besim i ulët i industrisë
Në periudhën kur industria shënoi uljen e saj më të madhe në prodhim, të paparë prej kohësh (tremujori i dytë i 2011-s), edhe besimi i industrisë ishte në nivelet më të ulëta. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në industri ishte mbi -6%, duke u paraqitur 2.5 herë më keq se mesatarja e këtij treguesi të shënuar që prej vitit 2002. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit të industrisë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar ishte në nivelet e tij më të ulëta që pas tremujorit të parë 2009.
Në gjysmën e dytë të vitit, besimi i industrisë erdhi duke u përmirësuar, por mbetet ende më i dobët se mesatarja e shënuar në gati dhjetë vite.
Vlerësimet e bizneseve të industrisë për aspekte të ndryshme të aktivitetit të tyre kanë shënuar prirje të kundërta në tremujorin e fundit të vitit 2011. Rritja e treguesit të besimit erdhi kryesisht nga përmirësimi që sipërmarrjet e industrisë i bëjnë situatës së tyre të punësimit.
Bazuar në opinionet e bizneseve, çmimet e produkteve industriale kanë rënë në tremujorin e katërt të vitit 2011. Në linjë me zhvillimet e kërkesës dhe të çmimeve të prodhimit, gjendja financiare e bizneseve të industrisë është përkeqësuar në tremujorin e katërt të vitit 2011. Sipas ekspertëve të ekonomisë, të gjithë këta tregues rrezikojnë t´i shtyjnë ato pak industri prodhuese e nxjerrëse në vend, që të kufizojnë prodhimin edhe në gjysmën e parë të këtij viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.