Energjia elektrike dha ndikim të gjithanshëm në tregtinë e muajve të parë të këtij viti. Nga eksportues një vit më parë, kemi kaluar në importues neto të saj. Po për shkak të energjisë, reduktuam eksportet e metaleve. Shqetësimi: rënia e eksporteve ka prekur gjithë produktet kryesore
Fenomeni: Eksportet drejt Greqisë fillojnë të rimëkëmben me eksportin e materialeve të ndërtimit
Tre muajt e parë të këtij viti nxorën në pah anët e dobëta të eksporteve shqiptare. Me një rënie vjetore prej më shumë se 21%, tendenca është tërësisht e kundërt me fillimin e vitit 2011. Vlera e mallrave të eksportuara në tremujorin e parë ishte 41 miliardë lekë, e afërt me eksportet e tre muajve të parë të 2010-s, kur efekti i krizës dha ndikim, veçanërisht në tekstile e metale.
Por tani ndryshimi është pak më i dhimbshëm. Rënia ka prekur të gjitha mallrat kryesore që ne eksportojmë, duke na lënë të kuptojmë se nuk është vetëm ndonjë faktor negativ që mund të ketë prekur një sektor, siç mund të mendojmë me të drejtë për eksportin e metaleve.
Në këtë periudhë, eksporti i metaleve pothuajse u pezullua për shkak të problemeve që kompania “Kurum” hasi në furnizimin me energji elektrike. Kjo bëri që eksporti i vlerësuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për grupin e mallrave “materiale ndërtimi e metale” të zbresë në 6.9 miliardë lekë, 40% më pak se në janar-mars 2011. Në një vit normal eksportesh, metalet zënë rreth 10% të totalit të eksporteve shqiptare. Ky produkt vlerësohet të ketë dhënë ndikimin më të madh në rënien e eksporteve, ndonëse ndikimi negativ pritet të mos jetë i qëndrueshëm. Përfaqësues të kompanisë “Kurum” tregojnë se kanë filluar të përpunojnë çelikun kohët e fundit dhe shumë shpejt do të rifillojnë me eksportet. Më shqetësuese është rënia e vlerës së atyre produkteve që prej vitesh udhëheqin eksportet (apo rieksportet) tona, mineralet e tekstilet.
Eksporti i “mineraleve, lëndës djegëse dhe energjisë elektrike” pësoi rënie vjetore 14%. Brenda këtij grupi mallrash luhatjet janë të mëdha. Nga një vend që eksportonte energji elektrike në muajt e parë të 2011-s, Shqipëria është kthyer në një vend importues neto për energjinë elektrike këto muaj. Ndërkohë që mineralet, kryesisht xeherorët e kromit e bakrit kanë qenë pozitive krahasuar me pritshmëritë e tyre. Nisma e qeverisë në fillim të vitit për të rritur rentën minerare nga 6% në 35% rrezikonte të frenonte eksportet e mineralit, por siç vlerësojnë edhe përpunuesit, qeveria u tërhoq në kohë dhe renta e “shtrenjtuar” nuk ka rënduar mbi to. Në tre muajt e parë të këtij viti, eksporti i xeherorëve ka qenë pothuajse në të njëjtën sasi të një viti më parë. Administratori i kompanisë “Beralb”, Nazmi Kumanova, tregon se, “ne po vazhdojmë të eksportojmë me të njëjtat volume si një vit më parë dhe kryesisht, drejt Kinës. Çmimi i bakrit është stabilizuar në 1300 USD/ton”. Edhe tregtarët e mineralit të kromit, të cilët frenuan eksportin në maj-gusht të vitit të kaluar, duket se u janë rikthyer eksporteve normale.
Por pritshmëritë, duke filluar që nga ky muaj, janë më optimiste për eksportin e xeherorëve. Sipas tyre, çmimet e stabilizuara do t’i nxisin të eksportojnë. “Beralb” e bazon planin e rritjes së eksporteve edhe tek investimet e kryera për të rritur prodhimin, duke filluar që nga muaji aktual. Këtë vit, eksportet e bakrit parashikohet të rriten 25-30%.
Rënie më të kufizuar pësuan eksportet e tekstile-këpucëve. Ulja e paralajmëruar më parë nga përpunuesit rezultoi të jetë zyrtarisht 3.5% krahasuar me tremujorin e parë 2011. Ato zunë gjithsesi peshën më të madhe në eksportet e kësaj periudhe, për shkak se rënia e eksporteve në total ishte më e lartë. Presidentja e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, Lindita Legisi, është shprehur se porositë nga partnerët për sezonin e ri janë ulur ndjeshëm dhe për rrjedhojë, edhe eksportet do të vijojnë të shënojnë shifra negative. “Po përballemi me ulje të prodhimit dhe me rritje të shpejtësisë në punë, çka na ka ngarkuar së tepërmi në periudha të caktuara dhe na lë thuajse pa punë në periudha të tjera”, thotë Legisi. Fillimi i vitit ka rritur pesimizmin te fasonistët shqiptarë, pasi ata i tremben thellimit të mëtejshëm të krizës në Itali.
Ndryshe nga metalet, të cilat u ndikuan nga faktorë të përkohshëm e pritet të ketë së shpejti rimëkëmbje të tyre, për tekstilet edhe muajt e ardhshëm pritet të mos jenë aq të mbarë. Partneri kryesor, Italia, po redukton porositë, për shkak të uljes së shitjeve në tregjet e huaja.
Deficiti thellohet mbi 16%
Si eksportet, edhe importet, kontribuuan në rritjen e deficitit tregtar, duke e rikthyer atë në tendencën që jemi mësuar ta shohim më shpesh, atë të thellimit gjithnjë e më tepër. Në tremujorin e parë të këtij viti, deficiti arriti në 74.6 miliardë lekë, ose gati dy herë sa vlera e eksporteve. Pas një përmirësimi të lehtë vitin e kaluar, deficiti ishte më i lartë edhe se në 2010-n, kur eksportet ishin rreth 10 miliardë lekë më pak, por edhe importet patën rënë. Në tre muajt e parë të këtij viti, importi u rrit rreth 2%, me një ndikim pothuajse tërësisht të ardhur nga importi i energjisë elektrike. Me një vlerë prej 27.2 miliardë lekësh, importet e grupit ku përfshihet energjia u rritën 43%.
Rritet tregtia me Greqinë
Pavarësisht vështirësive me të cilat po haset tregu grek, eksportet tona drejt këtij vendi kanë pësuar rritje të lehtë, ndryshe nga një vit më parë. Mallrat e dërguara në fqinjin jugor kishin vlerë 2.66 miliardë lekë në tre muajt e parë të 2012-s, ose 16% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo bëri që pesha e Greqisë në eksporte të rritet me 2 pikë përqindje (për të arritur në 6% të totalit të eksporteve).
Ndërsa eksporti i tekstileve vazhdon të jetë i dobët, materialet e ndërtimit (kryesisht çimento) ndihmuan rritjen e vlerës së eksporteve në tregun helen.
Më pak “agresivë” janë prodhuesit grekë, kur flitet për shitjet e tyre jashtë vendit. Eksportet e tyre drejt tregut tonë pësuan rënie prej 5.6% krahasuar me një vit më parë, me ndikimin më të madh të tkurrjes së hyrjeve të tekstileve dhe produkteve ushqimore.
Të tjerë kontribuues në arkën e shtetit
Me heqjen e taksës doganore për makinat, të ardhurat në buxhetin e shtetit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar janë rritur. Sipas të dhënave të doganave, për këtë vit hierarkia e mallrave të importit ka ndryshuar dukshëm. Karburantet e importuara renditen të parat për nga sasia e taksave që derdhin në buxhet, pas të cilave vjen energjia elektrike dhe makinat. Një vit më parë karburantet renditeshin në vendin e dytë, cigaret në vendin e tretë dhe më tej gruri. Prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, sipas ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, heqja e tarifës doganore për automjetet ka favorizuar ndjeshëm importin e makinave, duke e pesëfishuar atë. Pavarësisht se tarifa doganore është hequr, të ardhurat në buxhet nga importi i makinave janë rritur, për shkak se çdo automjet që hyn në doganë duhet të paguajë TVSH-në. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti doganat kanë arkëtuar nga importi i makinave më shumë se 8 milionë dollarë, nga 1.5 milionë që u morën gjatë katër muajve të parë të vitit që shkoi. Njëkohësisht, problemet me prodhimin e energjisë në vend gjatë muajve janar-shkurt të këtij viti kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme importin e energjisë. Cigaret, birra, hekuri, gruri dhe medikamentet janë produktet që kanë një rol në të ardhurat e buxhetit, nëpërmjet taksave që paguajnë në dogana.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.