Armand Mala, kontabilist
Nxitimi i qeverisë për të zbatuar në një afat të shkurtër një projekt të komplikuar si fiskalizimi mund të hasë vështirësi të theksuara në zbatim. Kontabilistët shohin në draftin në konsultim problematika që kanë nevojë të trajtohen me kujdes, pasi disa pika rrezikojnë të jenë të pazbatueshme në realitetin shqiptar.
Armand Mala, me profesion kontabilist, nënvizon në një analizë të plotë të ligjit disa nga aspektet që kanë nevojë për më shumë vëmendje, ndërkohë që thekson se për biznesin, ky projekt, ashtu sikurse mbart kosto direkte të deklaruara, mund të shoqërohet edhe me kosto të fshehura. Në vijim, një analizë e plotë e draft-ligjit.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm që informaliteti në vendin tonë është në nivele të frikshme dhe çdo nismë për ta reduktuar informalitetin do të jetë gjithmonë e mirëpritur, pasi do të zgjerojë barrën e taksave duke u ardhur në ndihmë bizneseve të ndershme dhe ndoshta në një periudhë afatgjatë, do të ndikojë në uljen e taksave apo qoftë edhe në rritjen e investimeve publike. Por për realizimin e kësaj, nevojitet më shumë sesa një ligj.
Logjika e sistemit të ri të propozuar, që çdo subjekt në sistemin e tij do të shohë se nga kush është faturuar, është diçka shumë pozitive dhe i vjen në ndihmë biznesit për të bërë vetë kryqëzimin e faturave. Ndoshta me një konsultë më të gjerë, ligji mund të bëhet më i kuptueshëm, dhe me sugjerime nga grupet e interesit të përmirësohet që në këtë fazë që është, pasi hartuesi/t apo përshtatësi/t e këtij ligji pa vënë në dyshim njohuritë e tyre në këtë fushë, nuk mundet të vetëm të kenë kapacitete të pakufizuara.
Është gjithmonë baza e piramidës, bizneset që japin feeback-un më të vyer, pasi janë ata të cilët do ndeshen çdo ditë me zbatimin e tij. Me një diskutim të shpejtë me disa prej kolegëve, secili prej tyre më renditi një listë me vështirësitë që do t’i sjellë në vendin e tyre të punës ky ndryshim ligjor. Nëse do të merret në konsideratë më shumë feeback-u nga biznesi, jam i sigurt që do të kemi një ligj më të mirë dhe me siguri do të gjejë më shumë vend për zbatim.
Futja e këtij ligji me emergjencë do të vërë në pikëpyetje të madhe zbatimin e tij. Nuk janë vetëm bizneset që nuk janë gati për të adaptuar një ligj të tillë, por është edhe vetë Administrata Tatimore apo dhe Bankat, pasi edhe këto të fundit do të jenë një aktor kryesor në zinxhirin e transaksioneve (kujtojmë që do të kenë akses të shohin cilën faturë po likuidon subjekti, a ekziston vërtet një faturë e tillë në profilin fiskal të subjektit).
Janë disa pika në ligj që do të jenë shumë të vështira për t’u zbatuar, ndër to mund të përmendim:
• “Neni 15. Regjistrimi i operatorëve. Tatimpaguesi që lëshon fatura, detyrohet që të paraqesë në administratën tatimore nëpërmjet shërbimit elektronik të dhënat për çdo operator, në përputhje me nenin 3, pika “h”, e këtij ligji, përfshirë informacionin mbi numrin unik të identifikimit dhe emrin e operatorit, por jo më vonë se 24 orë para lëshimit të faturave nga secili operator.”
Në dukje, komunikimi do të jetë shumë i thjeshtë në rrugë elektronike. Por nga praktika e dimë që komunikimi me administratën nuk është asnjëherë aq i thjeshtë sa shkruhet. Për më tepër ç’ndodh në rastet kur operatori nuk u paraqit në punë pa njoftim paraprak e subjekti nuk mori masat për të njoftuar një operator tjetër në organin tatimor? A duhet të punojë në mënyrë të jashtëligjshme (pa bërë njoftimin 24 orë para), apo të ndërpresë faturimet?
• Subjekti duhet të ketë gjithë kohën një lidhje interneti, duke injoruar faktorin kosto. A jemi ne gati që në çdo cep të Shqipërisë ku një biznes mund të operojë (pa llogaritur ato që ligji shprehet që përjashtohen) të kemi një linjë kaq të sigurt interneti? Kur ka plot raste që ne ende vuajmë ndërprerjen e energjisë elektrike.
Ligji parashikon një afat 48 orë për të rivendosur lidhjen e të bëjë dorëzimin e gjithë faturave, e normalisht nëse afatet nuk respektohen do të ketë penalitete. Por a është e drejtë të kemi penalitete për një biznes, i cili thjesht e ka të pamundur të ndjekë një procedurë dhe jo se nuk ka vullnet. Ligji ngarkon me përgjegjësi subjektin për të rivendosur lidhjen në kapacitetet teknike të duhura, për të bërë funksional një sistem të tillë faturimi.
• Gjendja e parave cash. Ndoshta kjo do të jetë dhe pika më e nxehtë e këtij ligji. Janë disa vështirësi për zbatueshmërinë e këtij neni. E para, limitet e paracaktuara të parave cash janë në vlera shumë të ulëta, për subjekte me disa njësi aktiviteti këto para nuk do të mjaftojnë as për “lekë kusuri”.
E dyta, ligji detyron subjektet në fillim të çdo dite të raportojnë gjendjen e cash-it. Kjo e çon kontabilitetin në një tjetër nivel, kemi të bëjmë me kontabilitet në kohë reale, pasi e dimë që në përditshmërinë e tij, biznesi nuk është aq i thjeshtë sa një faturë blerje dhe shitje, është shumë më shumë komplekse se kaq, dhe nuk është aq e thjeshtë që gjithë transaksionet e tij të kontabilizohen në kohë reale, në mënyrë që të raportohet gjendja cash, nisur nga të dhënat kontabël e jo nga numërimi fizik, që mund të jetë i gabuar (p.sh. mungesë parash në arkë, etj.).
E treta, çfarë do të ndodhë me bizneset që janë larg degëve të bankave (nëpër fshatra të ndryshëm), ndoshta do t’ju duhet çdo ditë të humbasin 4-5 orë punë (vajte-ardhje-pritje në bankë) për shuma që mund të jenë dhe shumë të vogla dhe lehtësisht të menaxhueshme në cash. Por edhe bizneset afër bankave, do të kenë nevojë për punësime ekstra për t’u marrë vetëm me dërgimin e parave në bankë. E në fund, dhe vetë bankat, a do të kenë mjaftueshëm kapacitete për të përballuar një fluks të tillë, kur dimë që edhe pa një ligj të tillë, nga banka nuk mund të dalësh lehtë pa 1-2 orë pritje. Dihet që jemi një nga vendet me përdorim më të gjerë të parasë cash, por për të kaluar drejt parasë elektronike nevojitet një periudhë tranzicioni më e gjatë sesa 5-6 muaj dhe sigurisht nevojitet më shumë sesa një ligj.
• Kufizimet dhe problematikat e sistemit. Jam i sigurt që për të realizuar këtë, një projekt madhor qëndron mbrapa. Por a i kemi vërtet kapacitetet për të menaxhuar në mënyrë kaq të përsosur sistemin e faturimit? Përvoja na ka treguar që jo. Jo më larg se fundi i korrikut, pamë sesi sistemi kaloi në kolaps vetëm se shumë biznese tentonin të depozitonin pasqyrat financiare dhe vendimet e ortakëve (veprim ky që kryhet një herë në vit). Sistemi doli totalisht jashtë funksionit dhe bëhej fjalë për një total 25000-26000 subjekte që ishin të detyruar për këtë veprim. Sipas statistikave, vetëm 7000-8000 subjekte nuk kishin kryer këtë veprim deri ditën e fundit. Pra ishin vetëm maksimalisht 7000-8000 subjekte që nxorën jashtë loje një sistem, çdo të ndodhë kur të jenë me qindra mijëra që mund të jenë duke transmetuar fatura apo duke klikuar në të njëjtën kohë, a do t’i përballojë sistemi?
• Kostot. Janë disa elemente të shtuar të kostos. Pajisja harduer që do të zëvendësojë kasën (printeri fiskal), pajisja harduer e firmës elektronike, softueri përkatës, certifikatat e sigurisë nga institucione/subjekte të ndryshme, linjë interneti. Këto të sipërpërmendurat janë kosto të drejtpërdrejta, por normalisht për zbatueshmërinë e tij do të ketë dhe plot kosto të fshehura.
• Penalitetet. Në draftin e propozuar, për ndryshime në ligjin e procedurës, pas fjalisë “Me gjobë prej ________ deri ________lekë, dënohet personi, i cili është subjekt i lëshimit të faturës ose faturës shoqëruese, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, nëse:
Vihet re një listë e gjatë që fillon apo vazhdon me “Brenda 24h……”. Parë në këndvështrimin praktik, nuk është aq e lehtë të ndiqen me rigorozitet gjithë ato pikat të përmendura aty me kufizimin kohor brenda 24 orësh.
Dhe gjoba për këto “brenda 24 orësh…” nëse mendoni që do të jenë edukuese, gaboheni. Ligji parashikon që përveç gjobës nga_____deri_____ përkohësisht do t’i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë ekonomike në vendndodhjen e biznesit ku është konstatuar shkelja, për një periudhë prej 15 ditësh. Subjekti, i cili për herë të dytë brenda një periudhe prej 2 vitesh kryen sërish shkelje, përveç dënimit me gjobë sipas pikës 1 të këtij neni, përkohësisht do t’i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë ekonomike në vendndodhjen e biznesit ku është konstatuar shkelja, për një periudhë 30-ditore.
Subjekti, i cili për herë të tretë brenda një periudhe prej 2 vitesh kryen një shkelje nga pikat “brenda 24 orësh..” përveç dënimit me gjobë sipas pikës 1 të këtij neni, përkohësisht do t’i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë ekonomike në të gjitha vendndodhjet e biznesit, për një periudhë prej 60 ditësh.
Imagjinoni një biznes me qindra pika, do të mbyllet në të gjitha njësitë e aktivitetit vetëm se njëri nga shitësit, në njërën nga pikat shkau nga mendja dhe nuk i desh qejfi të lëshojë faturë, apo thjesht ka inat pronarin dhe donte t’i sabotonte biznesin.
Për hir të së vërtetës, në çdo ndryshim ligjor që i është bërë ligjit të procedurës, kam shpresuar që ky neni për mbylljen e aktivitetit të shfuqizohet, pasi është një lloj penaliteti që nuk i hyn në punë askujt. Shteti nuk përfiton gjë nga mbyllja, edhe ato pak taksa që do merrte nuk do t’i marrë, biznesi normalisht si pala më e dëmtuar jo vetëm nga shitjet e munguara, por mund t’i cenohet gjithë struktura e biznesit (marrëdhënia me furnitorët, punonjësit, etj.), e në fund të punësuarve në atë biznes do t’u duhet të dalin në rrugë për 30 ditë apo 60 me ligjin e ri, dhe vlen të përmendet qe ka plot raste ku gjoba për moslëshim kuponi merret dhe në mënyrë aksidentale, jo domosdoshmërisht si rezultat i tentativës për evazion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.