Nike dhe Paris Saint-Germain sërish bashkë. Sot u bë publik rinovimi i marrëveshjes deri në vitin 2032, në atë që shoqëria franceze e cilëson si “marrëveshja më fitimprurëse e sponsorizimit në historinë e klubit”
Nike do të vijojë të veshë skuadrat për meshkuj dhe femra të klubit dhe rrugëtimin e nisur sezonin e kaluar me prezantimin e fanellës së parë nën markën Jordan. Zgjatja e kontratës do të përfshijë edhe bashkëpunime të tjera me këtë markë. Siç shkruajnë ‘France Football’ dhe ‘Equipe’, sponsorizimi kap vlerën 80 milionë euro në vit, duke trefishuar shifrën prej 25 milionë eurosh që PSG fitonte në bazë të kontratës së mëparshme, që skadon në 2022.
“Nike dhe PSG janë partnerë që nga viti 1989 dhe jemi të lumtur që po vijojmë një nga marrëveshjet më të gjata dhe të forta që kemi në fushën e sportit”, thotë Bert Hoyt, zëvendëspresident dhe Menaxher i Përgjithshëm i Nike EMEA. “Po presim me padurim t’u shërbejmë skuadrave për meshkuj dhe për femra dhe të bashkëpunojmë me PSG në projekte më krijuese, që do të nxjerrin në pah vizionin tonë të përbashkët për të krijuar një trashëgimi të qëndrueshme në Paris”.
Me këtë rast, presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, tha: “Kjo marrëveshje përfaqëson një gur themeli të rëndësishëm për klubin tonë dhe pasqyron ëndrrat dhe aspiratat që kemi për të ardhmen e futbollit. Kjo marrëveshje tregon angazhimin e Nike për të qëndruar me ne në çdo fazë të rrugëtimit për shumë vite në vazhdim.
Në tetë sezonet e fundit kemi zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme markën e Paris Saint – Germain. Falë Nike dhe Jordan, kemi pasur një sezon rekord për shitjen e fanellave, një ndër më të mëdhatë në futbollin europian. Shpesojmë të vijojmë këtë rritje me ritme të shpejta dhe të bashkëpunojmë për ide të reja në vitet e ardhshme, veçanërisht në tregjet në zhvillim të futbollit”.