Psherëtimë lehtësimi

05/09/2020 10:00 PM 0 komente

Në tregjet në zhvillim, paniku afatshkurtër i hap rrugë shqetësimit afatgjatë. Masat e urgjencës kanë ruajtur ekonomitë, por mund të kenë efekte të papëlqyeshme në të ardhmen

 

Lodhje. Vështirësi në frymëmarrje. Nerva të tendosura. Mushkëri të dëmtuara. Kanë kaluar muaj që kur të infektuarit e parë me COVID-19 janë shëruar nga sëmundja. Por disa raportojnë ende pasoja, shkruan The Economist. Sëmundja, siç duket, mund të shkaktojë dëme afatgjata, madje edhe në raste që nuk kanë qenë kritike.

E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për ndikimin e pandemisë në ekonomi, veçanërisht në vendet në zhvillim. Disa rreziqe akute duket se po zvogëlohen. Por problemet kronike janë ende një rrezik. Megjithëse kjo krizë mund të mos i shkatërrojë krejtësisht ekonomitë, ajo mund t’i dobësojë jashtëzakonisht.

Disa muaj më parë, tronditja e koronavirusit dukej financiarisht vdekjeprurëse. Por obligacionet, kurset e këmbimit dhe aksionet e tregut në zhvillim janë rritur fuqishëm që nga rënia dramatike në mars (shiko grafikun), falë një përpjekje të vendosur nga Rezerva Federale, Banka Qendrore e Amerikës, për të zbutur stresin financiar brenda vendit, duke lehtësuar problemin e mungesës së dollarit në nivel ndërkombëtar.

Në Kinë, ekonomia më e madhe në zhvillim, rigjallërimi i aktivitetit ka qenë i jashtëzakonshëm. PBB-ja e saj u rrit me 11.5% në tremujorin e dytë, krahasuar me tremujorin e parë, duke arritur një ritëm vjetor prej 59%, sipas bankës UBS. Ajo mbeti 3.2% më e lartë sesa në periudhën para rënies në prill-qershor 2019. Kompania e konsulencës Capital Economics, tani pret që deri në fund të këtij viti, prodhimi i Kinës të arrijë nivelin që do të kishte pa pandeminë.

 

 

Rritja e Kinës ka ndihmuar në rritjen e çmimeve të mallrave, duke përfituar afërsisht dy të tretat e vendeve në zhvillim që eksportojnë naftë, metale dhe produkte të tjera parësore. Vlera në dollar e eksporteve të mallrave në Indonezi në qershor ishte 2.3% më shumë se ajo e një viti më parë, duke sfiduar pritshmëritë për një rënie prej 12.3%.

Ekonomi të tjera të mëdha në zhvillim kanë raportuar gjithashtu rezistencë ose rimëkëmbje. Në Meksikë, dërgesat e parave ishin mbi 3% më të larta në maj, sesa në të njëjtën periudhë një vit më parë, ndoshta sepse emigrantët përfituan për të dërguar para në shtëpi, sepse monedha peso ishte e lirë. India në maj dhe qershor rifitoi mbi 90 milionë nga 114 milionë punët e humbura në prill, sipas Qendrës Indiane për Monitorimin e Ekonomisë, një firmë kërkimore.

 

 

Shqetësimet

Megjithatë, mbeten ende dy shqetësime të mëdha. Shqetësimi afatgjatë është se virusi do të lërë prapa dëme ekonomike edhe pasi të largohet. Shqetësimi i parë është se ende nuk është larguar. Në të vërtetë, reagimi çuditërisht i fortë ndaj lehtësimit të masave bllokuese (që është quajtur “konsum hakmarrës”) në disa vende, mund të ketë kontribuar në një rritje të infeksioneve në disa pjesë të Kinës dhe Vietnamit (si dhe në ekonomi më të pasura si Australia dhe Japonia), që e kishin përmbajtur me sukses virusin.

Rifillimi i jetës së zakonshme pa dyshim që ka ndikuar në rritjen e vazhdueshme të infeksioneve në Indi dhe pjesën më të madhe të Amerikës Latine. “Rimëkëmbja nuk ka të ngjarë të jetë një proces i qetë”, shpjegojnë analistët e Capital Economics.

 

Disa pasoja do jenë të përhershme

Nuk ka të ngjarë të jetë as i plotë. Epidemitë e kaluara kanë lënë shenjë të përhershme. Sipas Bankës Botërore, tre vjet pas virusit SARS, MERS, Ebola dhe Zika, investimet në ekonomitë e goditura, ishin mesatarisht 9% më të ulëta në krahasim me ato që nuk ishin prekur. Prodhimi për punëtor ishte pothuajse 4% më i ulët. Dëmi afatgjatë nga COVID-19 ka të ngjarë të jetë shumë më i rëndë.

Për shembull, pandemia ka ndërprerë arsimimin e shumë të rinjve në botën në zhvillim. Ata të moshës 5 deri në 19 vjeç, përbëjnë një pjesë më të madhe të popullsisë në vendet e varfra sesa në vendet e pasura (26% kundrejt 17%), dhe për këtë arsye janë një pjesë më e rëndësishme e forcës së ardhshme të punës. Ndasitë në shkollimin e tyre gjithashtu kanë të ngjarë të bëhen të përhershme. Njerëzit nuk mund ta përballojnë të “marrin pushime” në vendet e varfra, shpjegon Ayhan Kose i Bankës Botërore. Të rinjtë ndiejnë një “shtysë më të madhe” për të marrë një punë me kohë të pjesshme, e cila mund të përfundojë duke i prishur lidhjet e tyre me shkollën.

Kapitali njerëzor nuk është i vetmi që do të vuajë. Kur perspektivat e rritjes janë të dobëta dhe të pasigurta, sipërmarrësit nuk kanë të ngjarë të investojnë në mjedise, ide ose makineri të reja, edhe nëse mund të mbledhin shumat financiare për ta bërë këtë. Sipas bankës, qeveritë në 58 vende në zhvillim, kanë ofruar skema garancie për kreditë të llojeve të ndryshme për të inkurajuar kreditimin. Por bankat i largohen rrezikut, thotë Bhanu Baweja për UBS.

Pandemia gjithashtu ka përçarë sinxhirët e tregtinë, e cila tashmë ishte turbulluar nga tensionet midis Amerikës dhe Kinës. Për ekonomitë në zhvillim, tregtia dhe investimet e huaja janë burim i valutës së fortë dhe burim orientimi. Kompanitë mësojnë për botën, duke i shitur asaj produkte; vendet mësojnë duke mirëpritur firma nga vende të tjera. Duke dëmtuar zinxhirët e furnizimit global dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, “pandemia mund të ndryshojë strukturat mbi të cilat është ndërtuar rritja në dekadat e fundit”, paralajmërojnë zoti Kose dhe bashkautorët e tij në raportin më të fundit të bankës, “Perspektivat Ekonomike Globale”.

 

Nuk do jetë e lehtë

Nëse kjo është e vërtetë, disa industri në ekonomitë në zhvillim, do të kenë nevojë për rigjenerim. Por, në kundërshtim me idenë popullore, një krizë nuk është koha e duhur për një ‘makeover’ të tillë. Studimet nga Lucia Foster dhe Cheryl Grim nga Byroja e Regjistrimit në Amerikë dhe të John Haltiwanger nga Universiteti i Maryland, zbuluan se rialokimi i punëtorëve nëpër firma, u ngadalësua në Amerikë gjatë recesionit të fundit.

Kriza dëmtoi firmat prodhuese dhe rivalët më të dobët. Shkatërrimi i punës u rrit. Por krijimi i vendeve të punës ra në të njëjtat nivele. Në kohë më të mira, punëtorët mund të jenë në gjendje të largohen nga industritë që po perëndojnë, për t’u punësuar në sektorë të rinj premtues. Por në kohë krize, punëtorët e dëbuar thjesht çorientohen në gjendjen e trazuar.

Në fakt, politikanët në ekonomitë në zhvillim janë përpjekur t’i mbajnë bankat dhe kompanitë e paprekura nga kriza. Sipas Bankës Botërore, në mars, bankat qendrore në 42 vende në zhvillim, i ulën normat e interesit, shumë më tepër se në çdo muaj në vitin 2008. Shumë prej tyre janë bërë edhe huadhënës më bujarë në drejtime të ndryshme. Për shembull, Banka Qendrore e Indisë po ndihmon në forcimin e bankave hije.

Disa banka qendrore kanë blerë gjithashtu bono sovrane, duke i ndihmuar qeveritë të ofrojnë sa më shumë stimulim (shiko grafikun). Gjatë krizës financiare globale, kujton zoti Kose, disa politikanë do të thoshin: “Ndoshta nuk duhet ta bëjmë këtë, ose nuk duhet të bëjmë atë”. Kësaj here, nuk kanë ndodhur këto diskutime.

 

 

Kujdesi ka ndërprerë reformat

Përveç stimulit fiskal, rregullatorët financiarë tashmë edhe falin më tepër. Ata kanë zbutur kufijtë e rreptë të bankave dhe i kanë lejuar huadhënësit të bëjnë rregullime kontabiliteti, duke bërë një sy të verbër ndaj kredive me probleme. Në Rusi, institucionet financiare mund të vlerësojnë asetet që mbajnë duke i kthyer në çmime. India paraqiti një moratorium për pagesat e huave.

Në disa raste, këto masa tepër të kujdesshme i kanë ndërprerë reformat duke çuar në drejtimin e kundërt. Nxitja e kreditit në Kinë anuloi disa vjet përpjekje për uljen e borxhit. Në Filipine, një amendament në statutin e bankës qendrore kishte forcuar pavarësinë e saj financiare nga Ministria e Financave. Tani banka qendrore është e zënë me blerjen e bonove.

Masat e këtij lloji ishin të nevojshme. Por heqja e tyre e mëvonshme mund të jetë e ndërlikuar. Qeveritë duhet të rrisin borxhin pa rrezikuar rimëkëmbjen. Rregullatorët gjithashtu duhet të lejojnë anulimin e disa kredive dhe falimentimin e disa kompanive, për të lejuar hapësirë për rritjen e industrive të reja.

Një arsye pse COVID-19 shkakton dëme afatgjata tek të infektuarit, është për shkak të reagimit agresiv imunitar që mund të nxisë. Kjo “stuhi citokine” mund të ndihmojë në vrasjen e sëmundjes. Por gjithashtu mund të rrezikojë pacientin. Politikanët në vendet në zhvillim duhet të kujdesen për të parandaluar që të ndodhë diçka e ngjashme me ekonomitë e tyre. Ata janë përgjigjur me një agresion të justifikuar ndaj pandemisë. Megjithatë, nëse lihet e pakontrolluar, kjo stuhi masash mbrojtëse mund të ketë efekte anësore të dëmshme.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of