Flet Albert Dumani, Drejtor Programacioni dhe Blerjesh në TV Klan
E vërteta, reality dhe historitë njerëzore duket të jenë ato që mbajnë pas vetes publikun, duke orientuar edhe investimin e televizioneve në këtë drejtim në lidhje me prodhimin.
Albert Dumani, Drejtor Programacioni dhe Blerjesh në TV Klan, pohon se programet e reja që kanë nisur apo pritet të nisin u përkasin pikërisht këtyre gjinive, duke garantuar audiencën e kërkuar.
Të paktën 85% e programacionit u takon prodhimeve të vetë televizionit, duke lënë një pjesë të vogël të tij të plotësuar me blerjet në tregjet ndërkombëtare të filmave dhe serialeve, për të cilat interesi duket se mbetet i palëkundur edhe këtë sezon.
TV Klan, çdo sezon, ka sjellë programe të reja. Cilat janë programet që i janë shtuar sezonit të ri, që kanë filluar apo pritet të fillojnë në vijim?
TV Klan nisi sezonin e ri televiziv me formatin reality show “Love Island” nga data 3 shtator 2023. Po prodhojmë për herë të parë një reality show të këtyre dimensioneve, duke krijuar një version shqiptar, por si në çdo vend tjetër ku po transmetohet, në 25 shtete.
Po e prodhojmë këtë format “In house” (në shtëpi), që do të thotë se gjithçka bëhet nga vetë televizioni, që nga xhirimi, stafi teknik, post-produksioni, ndriçimi, skenografia.
Një vilë super luksoze në bregdetin më të bukur shqiptar është kthyer në vilën e dashurisë nga ku merr jetë edhe versioni shqiptar i “Love Island”.
Aktualisht ka nisur puna për prodhimin e një tjetër patente të suksesshme ndërkombëtare, një fenomen televiziv me talentet shqiptare në muzikë, “X Factor Albania”.
Nis në nëntor edicioni i 5-të i “X Factor”, pas një suksesi të jashtëzakonshëm të katër edicioneve të mëparshme.
Është koha e duhur për të nisur edicionin e ri, pasi ka dhe prurje të talenteve të reja në këtë format që zbulon më të mirët në muzikë.
Edhe këtë sezon premtojmë emocione dhe spektakël me skenografi nga Gaetani Castelli dhe një juri profesioniste surprizë.
Cilat janë programet bazë që e kanë provuar veten në sezonet e kaluara dhe që i gjejmë edhe këtë sezon?
“Aldo Morning Show” vjen këtë sezon me një studio lëvizëse, e para në llojin e saj në tregun televiziv shqiptar. Teknologjia dhe adrenalina e Aldos e kanë bërë këtë format të vijë ndryshe dhe këtë sezon televiziv.
Vazhdojnë të gjithë programet e tjera të strukturës si “Opinion”, “Rudina”, “Shije shtëpie”, “Histori Shqiptare”, “Check In”, “E Diela shqiptare” si gjithmonë me rubrikat “hit” dhe rubrika të reja.
Në fillim të vitit të ardhshëm do të rinisë edhe sezoni i dytë i talk-show “Zemër Luana”.
Cilat janë disa nga blerjet tuaja në tregjet ndërkombëtare në filma dhe seriale për të cilat keni mbyllur kontratat?
Vijojnë të transmetohen sezonet e reja të serialeve “Osmani”, “Sekretet familjare”, “Çapkëni i pasur”, “Për familjen time”, “Premtimi” dhe “Amaneti”.
Do të vijnë këtë sezon tituj të rinj turq si “Familja” me aktorin e mirënjohur, Kivanc Tatlitug.
Cilat janë tendencat që vini re tek audienca, qoftë dhe vetëm me perceptim nga burime të tërthorta (rrjete sociale, përshtypje nga njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejtë) për atë çfarë pëlqehet më shumë në ekran?
Publiku pëlqen reality, gjëra të vërteta, histori njerëzore. Argëtimi i tyre i kërkuar arrihet nga spektaklet dhe talk-show që prodhojmë. Serialet vazhdojnë të jenë tepër të kërkuar.
Si është raporti në programacion i prodhimeve tuaja dhe blerjeve dhe cilat janë sfidat që has në përgjithësi prodhimi në vend si kudo në botë?
Raporti është 85% prodhim i vetë televizionit dhe 15% prodhime të blera. Prodhimi vendas është gjithmonë më i kushtueshëm dhe kërkon staf më të madh dhe profesionist.
TV Klan ka më shumë se dy dekada që ka e ka provuar veten me prodhime të spektakleve dhe programeve.
LEXONI EDHE:
Televizionet kërkojnë “formula” të reja; Emisionet më të shtrenjta dhe më të lira
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.