Duke filluar nga data 1 mars 2022, është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e pullave ngjitëse (stickers) nëpër mjetet motorike. Pulla ngjitëse merret me rastin e kontrollit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij, dhe ajo duhet të vendoset në një vend të dukshëm të veturës.
Byroja Kosovare e Sigurimit ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e pullave ngjitëse nëpër mjete motorike.
Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e pullave (stickers).
Ky vendim ka ardhur as takimit në zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës në mes të guvernatorit Fehmi Mehmeti, zëvendësministrit të Mjedisit, Hysen Durmishi, dhe përfaqësues të tjerë të BSK-së.
“Duke filluar nga data 1 mars 2022, është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit, ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në njoftim.
Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave, nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugor, të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit.
Zëvendësministri Durmishi është zotuar se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.
Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë.
Tiketa ngjitëse merret me rastin e kontrollit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij, dhe ajo duhet të vendoset në një vend të dukshëm të veturës.
Projekti është pezulluar në korrik të vitit të kaluar nga vetë ministria, për shkak të kundërshtimeve të qytetarëve dhe disa deputetëve për të paguar çmimin e tiketës, që pritej të ishte rreth 5 euro, por kjo pagesë tashmë është hequr.
“Nga 1 marsi do të fillojmë implementimin e projektit të ‘tiketave ngjitëse’, me zero kosto për qytetarët dhe pa asnjë ngarkesë për buxhetin e shtetit”, thuhet në një deklaratë me shkrim të kësaj ministrie.
Pagesën për tiketë ngjitëse të automjeteve e ka marrë përsipër Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).
Veturat e paregjistruara në Kosovë janë sfidë e madhe për institucionet tash e sa vite.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i këtyre veturave në territorin e Kosovës është mbi 200 mijë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.