Sipas një sondazhi të shoqërisë së konsulencës për Burimet Njerëzore, Randstad Us, 60% e amerikanëve që punojnë sot pranon se ka dhënë dorëheqjen nga një punë apo se ka marrë në konsideratë mundësinë për t’u larguar nga puna, pasi nuk u pëlqente drejtuesi.
Pavarësisht se dorëheqja mund të duket zgjidhja më e mirë, kjo nuk do të thotë që është gjithnjë rruga më e mirë për karrierën tuaj. Në fakt, nëse ndodheni në një situatë kur e doni punën tuaj dhe mundësitë që ju ofron, largimi prej saj për shkak të një shefi të vështirë mund të mos jetë ideja më e mirë.
“Realiteti është se, nëse keni qenë pjesë e tregut së punës për shumë kohë, duhet ta dini se jo të gjithë janë të lehtë” – thotë ekspertja Lindsey Pollak. “Pjesë e arritjes së suksesit në karrierën tuaj është të kesh të bësh me njerëz të vështirë. Ky është vetëm një fakt në jetë, dhe jo i bukur”.
Lindsey Pollak dhe ekspertja e Monster.com, Vicki Salemi, këshillojnë tre mënyra se si t’i bëni ballë një shefi të keq, duke mos e lënë punën që doni (dhe një për ta pasur si plan rezervë nëse gjithçka dështon).
1.Studioni shefin tuaj
Pollak thotë se në shumë raste, një marrëdhënie e vështirë me drejtuesin vjen për shkak të personalitetit dhe zakoneve të ndryshme. Një mënyrë për të përmirësuar këtë marrëdhënie, thotë ajo, është të studioni nga afër sjelljen e tij, në mënyrë që të përmbushni pritshmëritë e tij.
“Bëhuni eksperti lider në botë i shefit apo menaxherit tuaj”, thotë Pollak, autore e librit “The Remix: How to Lead and Succeed in the Multigenerational Workforce.”
“Si komunikon ky person? Nëse i urren email-et e gjata, atëherë mos i nisni më email-e të tilla. Nëse nuk i pëlqen që i trokisni në derën e zyrës për të folur me të, por sillet më mirë kur më parë lini një takim, atëherë mësoni që më parë të caktoni një takim me të.
Nëse nuk është një njeri i mëngjesit, mos i kërkoni gjëra në mëngjes. Nëse ky person është i orientuar drejt detajeve, atëherë kontrolloni disa herë më parë dokumentet para se t’ia nisni. Edhe eskpertja Salemi është e të njëjtit mendim. Nëse keni një drejtues të vështirë apo një mikromenaxher, shpesh mënyra më e mirë për t’u bërë ballë është të përmbushni kërkesat të tyre. “Është sikur i drejtoni por të mos duket se jeni ju ai që po i drejtoni”.
2.Flisni me kolegët
Kur keni të bëni me një shef të vështirë, Pollak thotë se një nga mënyrat më të mira për të kuptuar se si të punoni me sukses nën drejtimin e tyre është të flisni me persona të tjerë që janë në të njëjtën situatë me ju.
“Personat e tjerë mund të jenë një burim, nuk ka rëndësi nëse është një mentor, dikush i një kompanie tjetër, një trajner, apo persona që kanë punuar me këtë njeri në të kaluarën”, thotë ekspertja. Vlerësojeni si një person pozitiv dhe thoni: “Unë dua të jem vërtet i suksesshëm duke punuar me X. Çfarë këshillash do të më jepnit?” Megjithatë, thekson ekspertja, nuk duhet të flisni kurrë për këtë situatë në mënyrë negative apo të thoni se nuk ju pëlqen të punoni me shefin tuaj. Përkundrazi, diskutoni për situatën në një mënyrë që të tregojë gatishmërinë tuaj që të përshtateni dhe që kjo marrëdhënie të funksionojë”.
3.Bisedoni me drejtuesin
Nëse biseda me kolegët nuk është e dobishme, Pollak këshillon që, një prej mundësive të fundit duhet të jetë të flisni ballë për ballë me drejtuesin tuaj. Analizoni me kujdes sjelljen tuaj. Në vend që të thoni: “Ne nuk shkojmë dakord. Çfarë duhet të bëjmë”, thoni diçka të tipit “Dua të sigurohem se kënaq pritshmëritë tuaja. Dua të sigurohem se komunikoj në një mënyrë efikase për ju dhe se jam produktiv. A ka ndonjë gjë që mund ta bëj ndryshe?”. Në këtë mënyrë, ju i afroheni situatës, duke pyetur se si mund të jepni ndihmën tuaj, në vend që të përkeqësoni problemin.
4.Bëni një plan largimi
Nëse studimi i shefit tuaj, biseda me të dhe kolegët nuk janë të dobishme, atëherë kërkimi i një pune të re mund të jetë gjëja më e mirë, veçanërisht nëse ai po ju pengon që të ngriheni në detyrë apo për një rritje page. Sipas Salemi, fillimi i kërkimit të një pune të re do t’ju bëjë të kuptoni që “kjo është një situatë e përkohshme dhe se ka drejtues të tjerë që i meritoni. Pavarësisht se sa e doni punën tuaj, një shef i keq mund të jetë ndonjëherë një situatë e tmerrshme”.
Salemi dhe Pollak theksojnë që të dy se ka një ndryshim mes një shefi të keq që të manipulon dhe kritikon çdo veprim dhe një shefi toksik që mund të jetë armiqësor, i paedukatë apo abuziv. Nëse përballeni me këtë të fundit, ata këshillojnë që ju të flisni me Burimet Njerëzore.
Ata këshillojnë që ju t’u shkruani një email personave përgjegjës të Burimeve Njerëzore me shembuj apo përshkrime të detajuara të bisedave apo momenteve abuzive.
*Courtney Connley
Burimi: CNBC