Flet Entela Zigori, drejtuese e Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Organizimit, Intesa Sanpaolo Bank Albania
Në sektorin bankar, modeli i ri i të punuarit ka nisur që para pandemisë së Covid-19. Në Intesa Sanpaolo Bank Albania, puna nga shtëpia filloi në 2019-n, duke qenë ndër të parët që aplikuan smart working dhe do të vijojë edhe për të ardhmen.
Drejtoresha e departamentit të burimeve njerëzore, znj. Entela Zigori, tha për “Monitor” se e ardhmja e smart working do të jetë puna hibride që balancon të punuarit nga shtëpia me atë nga zyra. Në Intesa Sanpaolo, 70% e punonjësve janë duke punuar në formë hibride.
Sipas znj. Zigori rezulton se puna hibride ka rritur produktivitetin dhe kënaqësinë në punë të punonjësve, ndryshe nga puna tërësisht nga shtëpia, e cila do të krijonte sfida të reja siç janë mungesa e socializimit dhe fryma e skuadrës.
A vazhdon të praktikohet ende puna nga shtëpia në kompaninë tuaj?
Intesa Sanpaolo Bank Albania ka filluar që të praktikojë punën nga shtëpia që nga fillimi i vitit 2019, përpara fillimit të pandemisë, pasi kjo mënyrë e re e të punuarit ka qenë pjesë e një projekti të veçantë, që përbënte risi në tregun bankar shqiptar.
Puna nga shtëpia është pjesë e një mënyre të re të punuari në distancë ose/dhe fleksibël, pasi ajo mund kryhet nga vendndodhje të ndryshme (si zyrat, degët e bankës, apo edhe nga shtëpia e punonjësit.) Drejtuesit e Intesa Sanpaolo Bank Albania kanë përqafuar që në fillimet e saj punën fleksibël, pasi ka si qasje kryesore rritjen e produktivitetit në punë, nxit kënaqësinë e punonjësit dhe përmirëson kënaqësinë e klientit.
Eksperienca jonë në aplikimin e punës nga shtëpia, na tregoi më së miri se kjo mënyrë e re pune ndihmon në gjetjen e një ekuilibri midis jetës personale dhe aktiviteteve të punës, duke i dhënë mundësinë punonjësve të kenë përfitime të ndryshme si: mundësinë e shkurtimit të kohës së lëvizjes “commuting”, pra ardhjes dhe kthimit nga puna, përkujdesjen për fëmijët apo për të moshuarit, menaxhimin më të mirë të kohës së dedikuar për prioritete dhe angazhime të tjera sociale dhe familjare etj.
Por pandemia e vitit 2020 tregoi se, ndërsa nga njëra anë jeta e njerëzve do të ndryshonte në mënyrë rrënjësore, nga ana tjetër, bizneseve iu desh që brenda një kohe të shkurtër të kryenin ndryshime që në një situatë normale do të duheshin vite për t’i ndërmarrë.
Intesa Sanpaolo Bank Albania ishte një hap përpara, pasi e kishte gati ngritjen e sistemeve kompjuterike për t’u ofruar punonjësve punën nga shtëpia, duke siguruar menjëherë vazhdimësinë e proceseve të punës për punonjësit e saj dhe njëkohësisht, duke siguruar plotësisht mirëqenien dhe shëndetin e punonjësve.
Na u desh vetëm të shtonim numrin e laptopëve, në mënyrë që çdo punonjës të kishte laptopin individual. Është e qartë se dhe në periudhën post-pandemike, puna fleksibël do të vijojë të jetë një realitet dhe jo tendencë e përkohshme. Puna fleksibël do të jetë mënyra e punës së të ardhmes, por në një koncept më të avancuar në të ashtuquajturën “punë hibride”.
Por çfarë është “puna hibride”? Puna hibride është një model pune që kryhet nga vendndodhje të ndryshme (si zyrat e bankës, shtëpia e punonjësit e pse jo edhe nga zyrat e klientëve) bazuar në kërkesat e tre aktorëve kryesorë: biznesit, ekipit (skuadrës) dhe punonjësit.
Nga këndvështrimi i zhvillimit të biznesit, ne po punojmë për të gërshetuar më së miri modelet hibride të punës në distancë, nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe me prani fizike të klientit në degë, vetëm kur ajo përbën domosdoshmëri për kryerjen e transaksioneve, të cilat nuk mund të kryhen në distancë në këtë moment.
Nga këndvështrimi i punonjësit, po punojmë që ta strukturojmë punën në mënyrë të tillë që puna individuale të kryhet në shtëpi, ndërsa aktivitete si: puna kreative, projektet, “onboarding” i punonjësit të ri të kryhet në ekip, kur kolegët të jenë të gjithë së bashku në zyrë.
Cilët janë sektorët më fleksibël brenda kompanisë që e mundësojnë punën nga shtëpia?
Është shumë e rëndësishme për t’u theksuar se puna nga shtëpia zbatohet bazuar në nevojat e strukturave dhe nuk është e njëjtë për të gjithë. Forca e punës në bankë mund të grupohet në dy ndarje kryesore: punonjësit që punojnë në rrjetin e degëve dhe ata që punojnë në strukturat qendrore (Risk, TIK, Operacione, Financa etj). Në rrjetin e degëve, zbatimi i punës fleksibël arrin nivelin 10%.
Kjo vjen nga fakti se, megjithëse 70% e punonjësve të rrjetit mund të punojnë në punë hibride, duke qenë se nuk kemi arritur në dixhitalizim të plotë të të gjitha proceseve të punës e duke qenë se klienti preferon ende takimin në degët tona, punonjësit e degëve punojnë në zyrë. Punonjësit në strukturat qendrore kanë mundësi të punojnë me kapacitet të plotë nga shtëpia, (100% e tyre) pa krijuar asnjë problematikë në punë.
Në mënyrë që puna hibride të jetë efektive, çdo ekip (skuadër) e planifikon punën sipas tipologjisë së aktiviteteve për t’u kryer, në aktivitete që mund të kryhen nga shtëpia (si punë individuale, takime online, trajnime online) dhe në aktivitete që mund të kryhen nga zyra.
Aktualisht, zgjedhja që kanë bërë punonjësit e strukturave qendrore për të punuar në punë hibride, sipas tipologjisë së ekipeve të punës (ekipe që kanë nevojë për ndërveprim apo ekipe që kanë nevojë për drejtim) është 1, 2 apo 3 ditë në javë me prani fizike në zyrë, ndërsa pjesën tjetër të javës punohet nga shtëpia.
A ka punonjës të cilët janë gati të japin dorëheqjen nga puna, pasi preferojnë më tepër të punojnë nga shtëpia?
Jo nuk kemi pasur raste të tilla. Nuk mendoj se në Shqipëri ekzistojnë raste të tilla. Si rrjedhojë, nuk mund të matet në mënyrë të mirëfilltë ky lloj trendi, pasi nga informacioni që kemi deri tani, numri i bizneseve që e ofron punën fleksibël është tepër i vogël për të ofruar analiza të plota e gjithëpërfshirëse.
Nga ana tjetër, mendoj se puna e kryer vetëm nga shtëpia, dhe kjo vlen sidomos për kompanitë e mëdha, mund të na vërë përpara sfidave të reja siç mund të jenë zvogëlimi i ndërveprimit, mungesa e socializimit të kolegëve me njeri-tjetrin, duke bërë kështu që të humbë marrëdhënia njerëzore dhe të zvogëlohet përcjellja e frymës së skuadrës.
Për çfarë grupe punonjësish ekziston preferenca për të kryer punën në distancë dhe ku vihet re më tepër kjo tendencë, te të rinjtë apo punonjësit e karrierës?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, po ndaj së pari një informacion sesi kemi nxjerrë statistikat në lidhje me punën në distancë. Me qëllim që të kuptojmë preferencat e punonjësve, Intesa Sanpaolo Bank Albania ka përfshirë në mënyrë të vazhdueshme punonjësit në sondazhe dhe në grupe pune, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës (bottom-up), për të marrë komente dhe sugjerime të strukturuara mbi këtë mënyrë të re pune dhe për të parë se çfarë mund të përmirësohet për sa i përket kapitalit njerëzor, teknologjisë, proceseve dhe kulturës së punës.
Mbi bazën e këtyre komenteve dhe sugjerimeve të para nga një këndvështrim 360 gradë, kemi identifikuar se cilat janë parimet mbi të cilat bazohet puna hibride, cilat janë variantet e punës hibride, sipas tipologjisë së ekipit/skuadrës (pra 1, 2 apo 3 ditë pune me prezencë fizike), dhe cilat janë vështirësitë dhe pengesat për të cilat është ndërmarrë një plan veprimi afatshkurtër – afatmesëm.
Mbi bazën e këtij informacioni, kemi arritur në përfundimin që, pavarësisht se punën në distancë e kanë zgjedhur të gjithë si një mënyrë të re pune, grupmosha që do të donte ta përdorte sa më pak është ajo nga 20 – 24 vjeç.
Është më se e qartë dhe e kuptueshme që këta punonjës sapo kanë përfunduar studimet e tyre dhe i shohin ambientet e punës, si një vend ku do të mësojnë nga këndvështrimi praktik dhe ai i ndërveprimit profesional dhe social me kolegët e tjerë. Ndërkohë, në të gjitha grupmoshat e tjera, tendenca është pothuajse e njëjtë dhe vetë punonjësit e çdo strukture, si ekip kanë dalë në konkluzione konkrete për ta aplikuar punën hibride, sipas varianteve të shpjeguara më sipër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.