Drejtuesit dhe menaxherët në industrinë e teknologjisë dhe të zhvillimit të softuerëve e kanë ditur gjithmonë se kultura në vendin e punës është një peizazh që ndryshon vazhdimisht dhe se është e nevojshme të kuptohet kultura e ekipit, për të qenë një lider efektiv dhe për të siguruar kënaqësinë e punonjësve.
Gjatë dy viteve të fundit, pas ndikimeve të pandemisë globale dhe të ndryshimeve ekonomike, dinamikat në vendin e punës kanë ndryshuar në mënyrë të paprecedentë. Shumë kompani u detyruan të fillonin të përdornin më shumë modele të punës në distancë, si një domosdoshmëri e re.
Për disa industri, ky ishte një ndryshim i madh, por jo domosdoshmërisht për industrinë e teknologjisë, e cila tashmë ishte mësuar me modelin e punës nga shtëpia. Dy vjet më parë, masa të tilla konsideroheshin gjerësisht si të përkohshme dhe të padëshirueshme.
Megjithatë, studimet e fundit kanë zbuluar se shumë punonjës, duke përfshirë menaxherët dhe drejtuesit e ekipeve, në fakt preferojnë modelin e një vendi pune hibrid, të mbështetur nga rritja e mundësive për të bashkëpunuar nëpërmjet teknologjisë.
Çfarë është një vend pune hibrid?
Një vend pune hibrid është në thelb një model ose strukturë pune që i lejon punonjësit të punojnë ose në zyrë, ose në distancë nga shtëpia e tyre. Fleksibiliteti që ofron ky model është faktori që pëlqehet më shumë nga punonjësit.
Kjo u lejon atyre që të personalizojnë pjesërisht dhe të kontrollojnë oraret e tyre të punës, gjë që mund të ndikojë në çdo aspekt të punës së tyre dhe në kënaqësisë në punë.
Pse një vend pune hibrid preferohet më shumë se mjediset tradicionale të punës?
Kalimi te vendet e punës hibride është i dobishëm për punonjësit, pasi ofron mundësinë që zakonet e tyre dhe mjedisi i punës të pasqyrojnë më mirë nevojat e gjithësecilit.
Future Forum Pulse thekson se “fleksibiliteti tani renditet i dyti pas kompensimit në përcaktimin e kënaqësisë në punë” dhe raporton se fleksibiliteti për sa i përket vendndodhjes së punës përmirëson ndjeshëm aftësinë e punonjësve për të menaxhuar stresin, balancën e tyre punë-jetë, si dhe kënaqësinë në punë.
Ai mund të eliminojë gjithashtu përplasjet apo konfliktet e panevojshme midis menaxherëve dhe atyre që kanë një orar strikt pune, si për shembull në rastet kur është nevoja për të kërkuar leje për një vizitë te mjeku, nevoja për t’u larguar më herët nga puna për të marrë fëmijën nga shkolla kur është e nevojshme, apo edhe vonesat për shkak të trafikut në mëngjes.
Megjithatë, ky ndryshim nuk është aspak i njëanshëm dhe sjell shumë përfitime edhe për menaxherët, përveç kënaqësisë së punonjësve. Çuditërisht, në dy vitet e fundit, shumë punonjës në distancë kanë raportuar se produktiviteti i tyre është përmirësuar dhe ky nuk është domosdoshmërisht një informacion i ri.
Një anketë e punonjësve në distancë në vitin 2015 zbuloi se 77% e atyre që bëjnë një pune hibride deklaronin se ishin më produktivë kur punonin jashtë zyre dhe 52% e tyre thanë se kishin më pak gjasa të merrnin pushime nëse puna është hibride.
Fleksibiliteti
Nëse modeli hibrid nuk është i mundur apo i realizueshëm për ekipin tuaj, atëherë duhet të ofrohet një tjetër mundësi që pëlqehet shumë nga punonjësit: fleksibiliteti. Punonjësit kërkojnë ekipe pune në distancë ose me orar fleksibël, dhe, kudo që kjo të jetë e mundur, do t’ju sillte shumë përfitime duke përmirësuar efikasitetin dhe kënaqësinë e punonjësve.
Në peizazhin modern të punës dixhitale, puna hibride dominon bisedën rreth kulturës së vendit të punës. Për të cituar drejtpërdrejt nga Future Forum Pulse 2021, “Argumenti tradicional kundër fleksibilitetit – që zyra është vendi ku bëhet puna – nuk është më i rëndësishëm.”
Vendi ku po bëhet puna tani është dixhital dhe online. Ky është një ndryshim i fuqishëm dhe mjaft pozitiv që duhet përqafuar nga bizneset dhe punonjësit.
Lajmet e fundit treguan se punonjësit e Apple janë të mërzitur për faktin që duhet të kthehen përsëri në zyrë, qoftë edhe për një punë hibride tashmë. Google po shpenzon mbi 1 miliard dollarë për hapësira të reja për zyra.
Me sa duket, synimi i këtij investimi është kthimi i punonjësve në zyrë me kohë të plotë. Kjo ngre pyetjen, a po i dëgjojnë kompanitë e mëdha të teknologjisë punonjësit e tyre? Miksimi i duhur i punës nga shtëpia dhe mjediset hibride të punës janë rruga drejt së ardhmes./Entrepreneur