Flet Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore të Grupit BALFIN
Grupi BALFIN, më i madhi në vend (privat) sipas numrit të të punësuarve, me rreth 4 mijë të tillë, ende aplikon punën nga shtëpia në disa pozicione kyçe ku është e mundur kjo praktikë.
Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore në këtë grup, thekson se pandemia bëri që për herë të parë të hasnim kulturën e punës nga shtëpia dhe u desh që stafi të përgatitej për diçka të tillë. Sot, kur kjo praktikë vlen për një pjesë të pozicioneve të punës, ai thotë se vëmendja është tek investimet e nevojshme në infrastrukturën teknologjike që lehtëson punën.
COVID-19 krijoi një krizë të vërtetë që përfshiu aktivitetin social, politik dhe ekonomik. Në çdo cep të planetit tonë. Shumë aktivitete biznesi u vunë në një provë të vërtetë, për shkak të pasigurisë që krijoi përhapja e virusit dhe mosnjohja e plotë e sjelljes së tij.
Grupi BALFIN e ndjeu krizën në të gjitha vendet ku operon, në Shqipëri, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në vendet e Bashkimit Europian. Që nga fillimi i shfaqjes së virusit në vendet e Bashkimit Europian, filluam të merrnim disa masa paraprake për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve, klientëve, partnerëve dhe komuniteteve që na rrethojnë.
Duke u ndalur te punonjësit, Grupi përgatiti udhëzime specifike për punonjësit e të gjitha shoqërive në të gjitha vendet. U rishikuan planet e vitit dhe u kanalizuan burimet financiare dhe gjithë vëmendja te ruajtja e asaj që ne e quajmë elementin më me vlerë: punonjësit. Realizuam edhe një vlerësim të të gjitha funksioneve në secilën prej shoqërive të Grupit, për të kuptuar më mirë se cilat ishin pozicionet e punës që mund të operonin edhe në distancë. Të gjitha këto masa besoj se na ndihmuan të mos gjendeshin krejt pa përgatitur në momentin që u shpall pandemia globale.
Me shpalljen e pandemisë globale dhe publikimin e protokolleve të sigurisë nga autoritetet ndërkombëtare fillimisht dhe më pas atyre lokale, ndërtuam kanale të reja komunikimi dhe raportimi në bazë ditore brenda Grupit për t’u siguruar që protokollet e sigurisë së shëndetit në punë, në kushtet e pandemisë, zbatoheshin në mënyrë rigoroze.
Punonjësit që mund të punonin nga shtëpia u pajisën me mjetet e nevojshme teknologjike dhe të drejtat për përdorimin në distancë të sistemeve dhe programeve që përdorim ne si Grup. Në kushtet e reja, për shumicën e vendeve të punës në zyrat qendrore të shoqërive tona, puna nga shtëpia u bë detyruese.
Falë analizave dhe punës paraprake, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosja e kufizimeve publike në të gjitha vendet ku operojmë na gjeti të përgatitur për të bërë një riorganizim efektiv të burimeve njerëzore duke ruajtur shëndetin e punonjësve dhe sigurisht garantimin e vazhdimësisë së aktivitetit të shoqërive, duke mos cenuar shërbimin ndaj klientëve.
Sa produktive ishte puna e punonjësve nga shtëpia. A kishte eficencë më të lartë apo më të ulët?
Pavarësisht se Grupi kishte disa përvoja me punën në distancë të disa funksioneve, kalimi masivisht me punë nga shtëpia ishte një përvojë e re për punonjësit dhe një sfidë për divizionin e IT. Padyshim puna nga shtëpia ishte një sfidë më vete për gjithsecilin prej nesh, duke marrë parasysh kushtet e distancimit social dhe ngarkesës psikologjike si pasojë e kufizimeve të vendosura nga autoritetet, si dhe shqetësimeve për shëndetin personal dhe të familjarëve.
Përshtatja me këtë mënyrë të re të të punuarit kërkon, pikësëpari, një ndryshim mentaliteti pune. Gjithashtu kërkon që punonjësit të zhvillojnë disa aftësi të reja në mënyrën sesi duhet të menaxhojnë kohën, organizojnë punën dhe menaxhojnë stafin në distancë. Për këtë qëllim u kujdesëm që të pajisnim që në ditët e para të pandemisë punonjësit me udhëzime të thjeshta dhe praktike për sa i përket menaxhimit të stresit dhe kohës, organizimit të punës dhe prioriteteve brenda skuadrave virtuale tashmë.
Një element tjetër i rëndësishëm ishte komunikimi ditor në formatin e video-konferencave mes punonjësve të skuadrave dhe në bazë javore organizimi i takimeve virtuale të drejtuesve të kompanive me punonjësit e çdo departamenti.
Të gjitha këto masa ndikuan në ruajtjen e angazhimit në punë të punonjësve, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme çka bëri që produktiviteti dhe eficenca në punë e tyre të mos prekej. Pavarësisht vështirësive të realitetit të ri, objektivat e reja afatshkurtër u realizuan me sukses në sajë të dedikimit të punonjësve.
Si po organizohet puna e kompanisë sot dhe a e aplikoni për pozicione të veçanta ende punën nga shtëpia?
Sot padyshim jemi në një realitet të ri pune ku të punuarit nga shtëpia, mbledhjet, trajnimet apo aktivitetet e ndryshme online janë bërë normale dhe punonjësit tashmë janë përshtatur në një pjesë të mirë me këtë realitet.
Në Grupin BALFIN ne kemi filluar të zbatojmë një politikë fleksibël që mundëson punën nga shtëpia, sipas nevojës së punonjësve. Nga ana tjetër, ky fleksibilitet është ndërthurur me një planifikim konkret, sipas të cilit çdo Departament ka përcaktuar numrin e punonjësve, të cilët duhet të punojnë vazhdimisht nga shtëpia, në mënyrë që të kemi një prani optimale në mjediset e zyrave, në respekt të plotë të protokolleve të reja të sigurisë.
Për disa pozicione të caktuara, në funksione të tilla si IT apo Komunikimet, puna nga shtëpia praktikohet më gjerë, ku rreth 40 – 50% të stafit punojnë me rotacion nga shtëpia. Këto përvoja të zgjeruara të punës nga shtëpia na kanë shërbyer për të nxjerrë në pah problematika të mundshme, që lidhen me infrastrukturën teknike dhe angazhimin në punë ,të cilat adresohen, rast pas rasti, nga strukturat përkatëse. Nisur edhe nga kjo situatë, ne jemi duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës sonë teknologjike, për të mundësuar punën në distancë për disa pozicione.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.