Flet Indrit Puteci zv.CEO i “Çelësi Media Group”
Pavarësisht ndikimeve pozitive nga turizmi dhe punës në distancë te hapja e vendeve të reja, emigracioni vijon të shkaktojë paqëndrueshmëri te stafet e kompanive, thotë Indrit Puteci, zv.CEO i “Çelësi Media Group”. Z. Puteci shprehet se në vend po krijohet një forcë e re punëtore me të ardhurit nga rrethjet dhe zonat rurale që domosdoshmërisht nevojitet të trajnohet, por rezulton e paqëndrueshme sepse pas kualifikimit, largohet në emigracion. Mungesa e fuqisë punëtore, sipas tij, ka përmbysur raportin e kërkesë – ofertës, duke sjellë në mënyrë të pashmangshme jo vetëm rritjen e nivelit të pagave, por edhe uljen e kërkesës së kritereve të përzgjedhjeve nga kompanitë.
Si ka ndryshuar oferta për punësim në periudhën janar-shtator 2023 dhe cilat kategori biznesesh kërkojnë më shumë punonjës nëpërmjet njoftimeve?
“Çelësi”, në 25 vite, është shndërruar në tregun më të madh të ofertës së punësimit në Shqipëri. Mesatarisht, çdo javë, në portalin “Çelësi” mbi 450 kompani publikojnë mesatarisht 1,200 pozicione pune.
Nëpërmjet këtyre publikimeve kemi mundësinë të njohim saktësisht trendet sasiore, tipologjitë e kompanive dhe sektorëve që kërkojnë më shumë punonjës, si edhe tipologjitë e pozicioneve dhe profesioneve të kërkuara.
Nga ana tjetër, “Çelësi”, prej 7 vitesh, ka krijuar edhe agjencinë e punësimit “Profesionisti” nëpërmjet së cilës, për shkak të komunikimit të afërt dhe të drejtpërdrejtë si me bizneset ashtu edhe me kandidatët, njeh tregun e punës jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe cilësore, në kërkesat dhe ofertat, kushtet, nivelet e pagave, e shumë elemente të tjera së brendshmi që karakterizojnë tregun.
Në 9-mujorin e këtij viti, njoftimet e ofertave të punës nga bizneset kanë qenë në sasi 35% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Kërkesat më të mëdha ta njoftimeve të punës kanë qenë për sektorët HoReCa (Hoteleri – Restorante – Catering), Call Center dhe Teknologji Informacioni.
Këta tre sektorë ndiqen nga fasoneria, ndërtimi, arsimi parashkollor e deri tek ai i mesëm, si dhe mjekësia. Sektorë që kanë gjithashtu numër të konsiderueshëm të ofertave të punës janë marketet, mobilieritë dhe shërbimet e shpërndarjes.
Që nga periudha e pandemisë e në vijim është shfaqur ndjeshëm tendenca e punës në distancë, veçanërisht për pozicione pune në sektorin e teknologjisë së informacionit, e më specifikisht programues dhe specialistë të shërbimeve dixhitale. Kjo tendencë është nxitur edhe nga rritja e madhe e numrit të ofertave të punës për pozicione në sektorin e TIK, që dominon sot në masë ofertat e punës.
Çfarë tregon rritja e kërkesës për fuqi punëtore nga kompanitë?
Rritja e nevojës për fuqi punëtore nuk vjen vetëm nga hapja e vendeve të reja të punës, por edhe nga paqëndrueshmëria e punëmarrësve në marrëdhëniet e punës, duke e vështirësuar shumë situatën e punëdhënësve që janë në kushtet, deri në pamundësi, për të plotësuar edhe vendet e domosdoshme të punës në kompanitë e tyre.
Lëvizjet demografike dhe emigracioni janë ndikuesit kryesorë në krijimin e paqëndrueshmërisë së fuqisë punëtore deri në masë kritike.
Baza e të dhënave që zotëron “Çelësi” për tregun e punës e shumë fusha të tjera të rëndësishme të ekonomisë përfshin, ndër të tjera, edhe vendndodhjen e ofertës së punës. Pjesa dërrmuese e njoftimeve vijnë nga biznese që operojnë në Bashkinë e Tiranës e qendra të rëndësishme pranë saj. Ndërsa gjatë stinës së pranverës e më pas gjatë asaj të verës, deri në fillimet e vjeshtës, vendndodhja e ofertave të punës zhvendoset ndjeshëm në zonat turistike, sidomos të bregdetit.
Gjatë kësaj periudhe të vitit, siç edhe është e pritshme, rriten e mbizotërojnë ofertat e punës nga sektori HoReCa deri në masën që bëhet e pamundur të plotësohen nga fuqia punëtore që banon në këto zona, gjë që ka sjellë transferimin e përkohshëm të fuqisë punëtore nga Tirana, apo qytete të tjera, drejt këtyre zonave.
Kjo dukuri është përforcuar sidomos në dy vitet e fundit.
Për ta lehtësuar këtë proces dhe për të rritur mundësinë e zgjedhjes së fuqisë punëtorë më të kualifikuar, operatorët turistikë ofrojnë akomodim, ushqim, etj., për fuqinë e tyre punëtore, që transferohet tek ata nga Tirana apo zona të tjera relativisht larg nga zona ku ushtrojnë aktivitetin e biznesit.
Shumë kompani të reja në treg e kanë objektin e aktivitetit të tyre në fushën e TIK. Janë rritur ndjeshëm ofertat e punës për pozicione pune në këtë fushë. Këto kompani operojnë edhe në Shqipëri, por shumë prej tyre operojnë jashtë saj.
Duke qenë se këto pozicione pune mundësojnë dhe lehtësojnë të punuarit në distancë, numri i të punësuarve nga Shqipëria në këto kompani që operojnë jashtë është rritur ndjeshëm, sidomos për kategorinë e punëmarrësve studentë.
Tregu i punës në Shqipëri ofron kandidatë të mirëkualifikuar për fushën TIK, pasi numri i institucioneve arsimore, që ofrojnë këtë formim, është rritur vitet e fundit dhe po ashtu shumë të rinj janë aftësuar nëpërmjet nismës së tyre duke studiuar dhe u duke kualifikuar, nga mundësitë e shumta që ofrohen nga interneti dhe programe të profilizuara për profesione shumë të kërkuara në këtë fushë.
Sipas jush, cilët janë faktorët që po ndikojnë te mungesa e fuqisë punëtore?
Mungesa e fuqisë punëtore, në rastin e Shqipërisë, është ndikuar shumë nga lëvizjet demografike e sidomos emigracioni, si dhe plakja e popullsisë në vite. Një pjesë e mirë e fuqisë sonë punëtore të kualifikuar ka emigruar.
Ndërkohë, “rifreskimi” i fuqisë punëtore nga banorët e ardhur nga zona të tjera të vendit për të banuar e për të punuar në Tiranë, sidomos të atyre që vijnë nga zonat rurale, nuk garanton zëvendësimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, të larguar nga Shqipëria, me një fuqi punëtorë të kualifikuar nga ana profesionale, pasi kryesisht këto profesione nuk kanë mundur t’i ushtrojnë në zonat nga vijnë.
Fuqisë së re punëtore i duhet kohë të kualifikohet sipas nivelit që kërkon tregu.
Shumë kompani sot në treg “vuajnë” për fuqi punëtore dhe shprehin shqetësimin e paqëndrueshmërisë së punëmarrësve, të cilët u marrin kompanive të paktën 3 deri në 6 muaj kohë deri sa t’i kualifikojnë e më pas ata i drejtohen kryesisht tregut të huaj, duke i lënë përsëri të lira pozicionet e punës.
Mungesa e fuqisë punëtore duke “përmbysur” raportin e kërkesë – ofertës ka sjellë, në mënyrë të pashmangshme, rritjen e nivelit të pagave dhe uljen e “stekës” së kritereve të përzgjedhjeve. Dikur, ishin kompanitë që zgjidhnin kandidatët për pozicionet e lira të punës që kishin, tashmë shpeshherë janë kandidatët që zgjedhin kompanitë, duke pasur mundësi të shumta zgjedhjeje të ofertave të punës.
Si kanë ndryshuar kërkesat e tregut të punës, çfarë kërkojnë dhe ofrojnë më shumë kompanitë. Po kandidatët, çfarë kërkojnë për t’u punësuar?
Dinamika e re e tregut të punës, si pasojë e shumë ndryshimeve, siç i përmenda edhe më lart, i ka vendosur bizneset në përballje me problematika të shumta që i kanë detyruar të jenë më elastikë për t’u përshtatur në kushtet e nevojës për fuqi punëtore.
Sot, kompani të shumta ofrojnë kontrata pune që mundësojnë punën në distancë, dhe elemente të tjera që dikur kanë qenë ‘të ngurtë’. Nëse dikur ishin vetëm punëmarrësit që u duhej të përshtateshin me kërkesat e punëdhënësve, tashmë ndodh rëndom edhe e anasjella. Ka shumë më tepër hapësirë për negocim ndërmjet palëve, kushte pune më të mira, etj.
Kërkesa kryesore e punëdhënësve është qëndrueshmëria e punëmarrësve, ndaj të cilëve janë shumë më elastikë, si p.sh., duke u dhënë mundësinë e të punuarit në distancë e jo patjetër në zyrë, etj. të ngjashme.
Punëdhënësit janë të gatshëm që të ofrojnë mundësi shumë të mira kualifikimi për punonjësit e tyre të rinj, por ndërkohë kanë një hezitim të madh, që vjen nga pasiguria nëse ata do të jenë të qëndrueshëm.
Nëse punëmarrësit nuk arrijnë të gjejnë kandidatët e nevojshëm për pozicionet e tyre të lira të punës, nëpërmjet njoftimeve të ofertave të punës në portalin “Çelësi” dhe për ato pozicione pune që kërkojnë kërkime të specializuara për kandidatët e duhur, ne kemi agjencinë e punësimit “Profesionisti”, me përvojë të gjatë e të suksesshme në treg.
“Profesionisti” ofron një gamë të gjerë të shërbimeve të rekrutimit, nëpërmjet të cilave arrijnë që pothuajse në të gjitha rastet, përmes teknikave të avancuara të rekrutimit, të gjejë kandidatët e duhur sa i takon si kualifikimit, dhe qëndrueshmërisë së tyre.
Nga ana tjetër, punëmarrësit shprehen qartë gjithnjë e më shumë se do të pranojnë të punojnë vetëm për ato kompani që garantojnë respektimin e Kodit të Punës, ofrojnë pagë të mirë, kushte të mira pune, respektojnë pushimin në fundjavë dhe në ditët e festave zyrtare, mundësojnë të punuarit në distancë, etj.
Sot, punëmarrësit në tregun e punës kanë shumë më tepër “fuqi” për të vendosur një marrëdhënie të re të punës me punëdhënësit drejt një ekuilibri ku palët respektojnë e vlerësojnë më shumë njëra-tjetrën. “Profesionisti” ndërmjetëson mes palëve për të arritur përshtatshmërinë optimale mes kërkesave të vendit të punës dhe asaj çfarë ofrojnë kandidatët, që është edhe zgjidhja më e mirë për të dyja palët.
Cilat janë kategoritë e bizneseve që po kërkojnë më tepër punonjës nëpërmjet agjencisë së rekrutimit “Profesionisti”?
Për shkak të vështirësive, me të cilat përballet sot tregu i punës, plotësimi i vendeve të lira të punës nuk është gjithnjë i mundur vetëm nëpërmjet njoftimeve online të ofertave të punës. Veçanërisht, bizneset që kërkojnë kandidat në nivele menaxheriale dhe drejtimi bashkëpunojnë me agjencinë tonë të rekrutimit.
Agjencia “Profesionisti” ofron shërbime të rekrutimit, ndërmjetësimit, punësimit, internshipit, e në bashkëpunim me kompaninë e mirënjohur ndërkombëtare “Value the Person” shërbime të avancuara të rekrutimit, nëpërmjet instrumenteve shkencore si vlerësimet psikometrike, matjet e motivimit, matjen e inteligjencës intelektuale, matjen e inteligjencës emocionale, etj., për të zbuluar shkencërisht tiparet e personalitetit të çdo individi që janë thelbi i përputhshmërisë më të mirë të një kandidati me përshkrimin e vendit të punës së ofruar, që të mund të kontribuojë më mirë në organizatë.
Ofertat më të shpeshta të punës nga bizneset janë për sektorin e shitjes ku kërkohen punonjës si: agjent, përfaqësues dhe menaxher shitjesh. Grupmosha më e preferuar për këto pozicione është 25 deri në 35 vjeç. Oferta të shumta pune ka edhe në sektorin e TIK dhe më specifikisht për zhvillues web, marketing dixhital, specialist për rrjetet sociale, SEO, etj.
Në kërkim për staf është edhe sektori i ndërtimit dhe logjistikës për profesione si magazinier, teknik ndërtimi, shofer kamioni, etj. Kërkesa gjithnjë në rritje për fuqi punëtore të kualifikuar nga Shqipëria të këtij sektori vijnë nga kompani të huaja, e sidomos nga Italia.
Grupmosha më e preferuar është nga 30 deri në 50 vjeç. Marrëveshjet lidhur me punësimin që shteti shqiptar ka bërë me disa shtete të huaja kanë lehtësuar mundësinë e punësimit të vendasve jashtë, gjë që ndër të tjera ka ndikuar edhe në rritjen e mungesës vendase të fuqisë punëtore.
75% e ofertave të punës në këta sektorë vijnë nga kompani vendase dhe 25% nga kompani të huaja jashtë vendit.
Sektori call center vazhdon të ketë numër të konsiderueshëm ofertash pune. Pozicioni më i kërkuar mbetet ai i operatorit dhe parapelqehet t’i përkasin grupmoshës 20 deri në 35 vjeç. Gjinia nuk përbën diferencë, ndërsa gjuha më e kërkuar është ajo italiane.
A zbatohet prej jush gjetja e punonjësve të huaj, kryesisht nga shtetet aziatike për kompanitë shqiptare?
Nuk është në preferencat tona kjo pjesë e tregut të punës për mbulimin e nevojave vendase për rekrutim me fuqi punëtore të huaj, edhe për shkak të procedurave të shumta burokratike për pajisjen me leje qëndrimi e pune të të huajve, si dhe për shkak të dukurisë së shprehur bindshëm të “shfrytëzimit” të Shqipërisë si vend “trampolinë” për të arritur vendet e Europës Perëndimore.
Ne i ndjekim me shumë kujdes dinamikat e tregut të punës e nëse do të shohim se kjo pjesë e tregut për të ofruar fuqi punëtore nga jashtë do të zhvillohet dhe ofrojë standarde e garanci të mira, patjetër do të ndërveprojmë për një treg pune më të qëndrueshëm e më të shëndetshëm.
Çfarë do t’u rekomandonit punëmarrësve nisur nga zhvillimet e tregut të punës dhe problematikat e hasura?
Punëmarrësit kanë nevojë të jenë më elastikë në kërkesat e kriteret e tyre dhe të bashkëpunojnë me agjencitë profesionale të punësimit.
Të shohin potencialin që ofrojnë grupmoshat mbi 35 vjeç deri në moshë të daljes në pension, pasi përvoja, profesionalizmi, pjekuria, formimi dhe ekspertiza që ofrojnë këto grupmosha janë një vlerë e rëndësishme që ofron tregu i punës e që bizneset kanë mundësinë për ta ‘përthithur’, që të kontribuojnë në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme të bizneseve të tyre.
Nuk është strategjia e duhur të fokusohesh vetëm te grupmoshat e reja, por duhen kombinuar të gjitha grupmoshat për një skuadër profesionale, energjike, të motivuar dhe të qëndrueshme.
Të zhvillojnë kulturën e organizatës, t’u japin siguri e të motivojnë punonjësit e tyre, si mënyra më efikase dhe produktive për të marrë kontributin më të mirë nga ta.
Drejtuesit e duhur e të përzgjedhur me kujdes nga rekrutues profesionistë do të ofrojnë edhe garancinë që edhe punonjësit e tjerë të rekrutohen në mënyrë produktive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Mos ndoshta elasticiteti juaj nenkupton skllaverim me me shume se 40 ore pune te papaguara ne jave, pa 2 dite pushim ne jave, pa leje te plote vjetore, pa pushim per festa, pa siguracione, pa shtesat 125% dhe 150% per turnet e dyte dhe te tretë?