Sektori bankar rriti numrin e të punësuarve vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2020 sektori numëronte 6,558 të punësuar, në rritje me 3% krahasuar me një vit më parë.
Punësimi në sektorin bankar (i matur në fund të vitit) i është rikthyer rritjes për herë të parë pas katër vitesh, pavarësisht periudhës së vështirë të lidhur me pandeminë.
Edhe falë masave rregullatore, sektori bankar deri tani nuk ka pësuar pasoja serioze nga pandemia. Raporti i kredive me probleme në fund të vitit 2020 rezultoi 8.1%, rreth 0.3 pikë përqindje më pak krahasuar me një vit më parë. Sektori rezultoi fitimprurës, megjithëse me një rënie prej 15% krahasuar me një vit më parë. Ndikimi i kufizuar i krizës ka bërë që punësimi në sektorin bankar të mos ndjejë pasoja, por përkundrazi t’i kthehet rritjes pas disa vitesh në rënie.
Numri i degëve të bankave vazhdoi rënien edhe gjatë vitit 2020, me 2% më pak krahasuar me 2019, por megjithatë ky faktor nuk është shoqëruar me ulje të numrit të punonjësve.
Në vitin 2016 punësimi në sektorin bankar pati arritur nivelin më të lartë, me rreth 7 mijë të punësuar. Por, në atë moment nisi procesi i shkrirjeve dhe bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e pothuajse 600 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim. Nga 16 banka në vitin 2018, tashmë Shqipëria ka vetëm 12 banka të licencuara. Veneto Banka u shkri me Intesa Sanpaolo, NBG Bank me Bankën Amerikane të Investimeve, Banka Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank, ndërsa Banka e Kreditit të Shqipërisë vendosi likuidimin vullnetar. Ky proces përqendrimi solli dublim të pozicioneve administrative, por edhe të degëve në zona të veçanta, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtim të vendeve të punës. Rënia e punësimit u ndikua gjithashtu edhe nga ndarja e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë, që në fillim i vitit 2019 nisi operacionet si bankë e veçantë.
Pavarësisht tendencës për të ulur numrin e degëve fizike, me sa duket punësimi në sektorin bankar është mbështetur nga ecuria pozitive e biznesit dhe nga zgjerimi i shërbimeve të bankingut në distancë. Rritja e peshës së teknologjisë po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia.
Pavarësisht rritjes së numrit të përgjithshëm të punonjësve në sektorin bankar, tendenca e punësimit ka qenë e ndryshme për banka të ndryshme. Sipas Shoqatës së Bankave, Fibank është banka që ka shënuar rritjen më të lartë të numrit të punonjësve, me 61%, e ndjekur nga Banka e Bashkuar e Shqipërisë me 12% dhe Tirana Bank me 6.2%.
Banka me numrin më të madh të punonjësve mbetet Raiffeisen, me 1324 punonjës, e ndjekur nga Credins Bank me 964 punonjës dhe BKT me 940 punonjës./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.