Bujqësia ka një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare, duke u përgjigjur për 19% të PBB-së së vendit, po ashtu edhe punësimi në këtë sektor, edhe pse janë më të keqpaguarit e rajonit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se pesha e punëve të bujqësisë në Shqipëri iu ka rënë grave. 47% e grave të punësuara punojnë në sektorin e bujqësisë, përkundrejt 35.4% të burrave, mbi 10 pikë përqindje diferencë sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Në 2014-n, më shumë se 50% e grave të punësuara në vend punonin në sektorin e bujqësisë në Shqipëri.
Ndryshe nga Shqipëria, struktura e punësimit në vendet e rajonit zë një peshë më të ulët, ndërsa burrat janë më të punësuar në këtë sektor në krahasim me gratë. Duke i shtuar kësaj, të punësuarit në këtë sektor janë më të keqpaguarit e rajonit. Sipas të dhënave nga INSTAT paga mesatare e një të punësuari në bujqësi ishte vetëm 291 euro për vitin 2018, më e ulëta në rajon.
Në Serbi, rreth 20% e burrave të punësuar punojnë në bujqësi, përkundrejt 16% të grave. Paga mesatare, sipas statistikave zyrtare të Republikës së Serbisë në sektorin e bujqësisë, ishin 550 euro në 2018.
Edhe në Bosnjë-Hercegovinë, sektori ka një peshë të konsiderueshme në punësim. Megjithatë edhe në Bosnjë, burrat kanë një peshë më të lartë përkundrejt grave, ku ata përgjigjen për 19% të të punësuarve, ndërsa gratë 18.6%.
Në Maqedoni 16.9% e burrave dhe 15.6% e grave janë të punësuar në këtë sektor. Megjithatë pagesa është më e kënaqshme se të punësuarit në Shqipëri. Referuar të dhënave zyrtare të statistikave të Maqedonisë së Veriut, paga mesatare në sektor për vitin 2018 ishte 460 euro.
Mali i Zi përgjigjet për pagën mesatare më të lartë në rajon për sektorin e bujqësisë, ndonëse të punësuarit në këtë sektor atje kanë peshën më të ulët, krahasuar me vendet e tjera. Rreth 7.1% e burrave dhe 8.2% e grave punojnë në bujqësi sipas Bankës Botërore.
Me zhvillimin e vendeve, përqindja e popullsisë që punojnë në sektorin e bujqësisë, gjuetisë dhe peshkimit po bie. Më shumë se dy të tretat e popullsisë në vendet e varfra punojnë në bujqësi, përkundrejt më pak se 5% në vendet e pasura. Përmirësimi i produktivitetit në këtë sektor sjell reduktimin e vendeve të punës, si dhe reflekton paga më të larta, si në rastin e Malit të Zi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.