Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, afërsisht qe shtatë muaj janë duke kërkuar të drejtat e tyre të cilat i quajnë legjitime.
Pesë kërkesat e tyre kyçe të punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë, të eliminohen dallimet në pagesë në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë FUNDJAVAVE të paguhen, si dhe pagesa e shujtës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, Bashkim Latifi ka thënë se menaxhmenti i Aeroportit nuk po dëshiron që të diskutojë me punëtorët në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.
Ai tha se nëse nuk reflekton udhëheqësi e tyre karshi pesë kërkesave të punëtorëve do ketë greva.
Latifi ka theksuar se greva e paralajmëruar nuk do shkaktojnë telashe në mbarëvajtjen e punës.
Në anën tjetër menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës” Adem Jashari”, kërkesat e punëtorëve të tyre i ka konsideruar si joligjore.
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara i ka siguruar të gjithë udhëtarët se të gjitha fluturimet do të bëhen me kohë gjatë ditëve kur punëtorët kanë paralajmëruar grevë.
Kujtojmë që më datën 8 gusht të këtij viti punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mbajtur grevë një orëshe me qëllim të merren parasysh kërkesat e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.