Dhjetëra punëtorë të institucioneve të Kosovës, i janë bashkuar protestës së sotme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kërkojnë plotësimin e disa kërkesave nga qeveria. Nga protesta janë dëgjuar edhe thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mos i mashtrojë me Ligjin për Paga.
“Kryeministër realizo kërkesat tona! Parandalo grevën e përgjithshme!”, “Çka po ndodh me ligjin e pagave?”, “Vlerësim i punës e i mundit”, “Urgjentisht të shfuqizohet kriteri prej 15 vjetëve përvojë pune që kërkohet para vitit 1999”, ishin disa nga pankartat që mbanin punëtorët gjatë marshit të tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të ndërtesës së qeverisë.
Nga protesta janë dëgjuar edhe thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që sipas tyre, të mos i mashtrojë me Ligjin për Paga, por ta bënë atë ose t’i ngritë pagat.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli ka kërkuar gjatë protestës së punëtorëve të Kosovës të premten që të miratohet sa më shpejtë projektligji për Pagat.
Gjatë fjalimit të tij para qindra protestuesve tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, Hykolli ka kërkuar po ashtu që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qeveria t’ua shtojë në paga nga 100 euro.
Ai ka thënë se punëtorët janë shtylla e shtetit.
“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social qeverisë, se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju. “Kërkojmë hartimin si duhet por jo të ngadalësuar e të zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë., Jemi këtu që t’i themi se deri sa kjo të ndodhë e duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës prej 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë Hykolli.
Ai po ashtu ka kërkuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.
“Ju sindikalistë të dashur ju premtoj fuqishëm e këmbëngulshëm se nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona të përbashkëta derisa t’i arrijmë ato”, ka thënë ai.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është turp që krerët e shtetit po shkojnë në SHBA e vende të tjera dhe nuk po merren me punëtorët e Kosovës.
Ai paralajmëroi veprime të radhës sindikaliste nëse kërkesat e sindikatave nuk përmbushen.
“Qeveria sot po e sheh që nuk po flet Atdhe Hykolli, as Rrahman Jashari, as Sali Gashi, por po flet punëtoria e Kosovës. Qeveri këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve. Qeveri ne po i lutemi zotit që të këndelleni dhe t’i realizoni kërkesat. Në të kundërtën pas kësaj proteste do të ketë veprime edhe më të rënda që ne nuk i duam por ju si duket po i doni”, tha ai para protestuesve.
Jasharaj shtoi se po kërkojnë ligj të pagave që punohet edhe me përfshirjen e përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve.
“Heshtja e qeverisë, ikja nga dialogu tregon se ne kemi të drejtë. Ne e duam ligjin e pagave por jo ligj që na punon dikush por ligj që e punojmë edhe ne”.
Kërcënoi se zgjidhje e vetme do të jetë greva ose bisedimi në Qeveri.
“Qeveria që po thotë se është e Kosovës, le të tregohet se është e tillë. Kjo janë njerëz që edhe në vitet 90 i kanë thënë pushtuesit jo, i kanë thënë Kosovës po. Këta njerëz tani që ishin të Kosovës po dalin me pensione të pleqnisë e shteti po tallet me ta. Ose do të bisedojmë, ose do të ftojmë në greva të përgjithshme”, përfundoi Jasharaj.
Për shkak të kësaj proteste, në të cilën Sindikata e Bashkuara e Arsimit theksoi se do të marrin pjesë edhe punëtorët e arsimit nuk është mbajtur sot mësim në shkolla.
Miratimi i Ligjit për paga, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat e sindikatave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.