Sindikata e Telekomit ka njoftuar se do të protestojnë të enjten. Në profilin zyrtar nga sindikata kanë bërë të ditur se do të protestojnë para qeverisë me datë 23 korrik nga ora 13:00. Sipas tyre, disa grupe të errëta dëshirojnë t’i lënë fëmijët e tyre pa bukë.
Drejtues të Telekomit dhe të Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje janë takuar me kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti, ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe përfaqësues të Z-Mobile, për gjetjen e një zgjidhjeje rreth zhbllokimit të llogarive të Telekomit.
Edhe njëherë palët kanë shprehur qëndrimet e tyre, përderisa nga Sindikata thonë se kanë dërguar në polici kërkesën për protestë e cila do të mbahet të enjten në rast se nuk zhbllokohen llogaritë. Ata thonë se janë duke pritur deri në mbrëmje ta marrin një përgjigje në lidhje me këtë, në të kundërtën do të ketë protesta para Qeverisë e Kuvendit.
Në Facebook, Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (FSP-PTK), ka paralajmëruar të enjten me fillim nga ora 13:00 protestë 24-orëshe para Qeverisë.
“Ju njoftojmë se te enjten me dt.23.07.2020 prej orës 13:00, mbahet proteste 24h tek Qeveria dhe Kuvendi i Kosoves. Protesta organizohet nga FSP-PTK ne mbrojtje te Kompanise.Do te protestojme dhe rezistojme, sepse grupet e erreta deshirojn t’i lejne femijet tane pa buke. Do te protestojme per t’i treguar ketij Shteti se edhe punetoret e Telekomit janë të Kosovës. Prandaj, bashkohu edhe ti! FSP-PTK “, thuhet në njoftim.
Ndryshe Telekomit të Kosovës i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare.
Bllokimi ka ardhur pasi ditë më parë Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.
Lexo edhe këtë: Bllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës
Lidhur me gjendjen në Telekom pas bllokimit llogarive bankare, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka raportuar disa orë më vonë në Komisionin parlamentar për Ekonomi .
Ai ka thënë se pas takimit Qeverisë-Telekom-Dardafon, kësaj të fundit i është kërkuar një marrëveshje, që të paktën deri më 1 tetor t’i zhbllokojë llogaritë bankare.
“Marrëveshje s’kemi arritur. ‘Dardafon’ nuk ka dhënë deri tash këtë mundësi që ta bëjë zhbllokimin e llogarive bankare deri më 1 tetor, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje nëse është e mundshme. Andaj, po e presim këtë përgjigje ende nga ‘Dardafon LL.C’”, theksoi Kuçi.
Rreth katër vjet me parë, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovë kishte shkelur marrëveshjen pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Për këtë çështje në fund të vitit 2016 pati vendosur Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, e cila e obligonte Telekomin të paguante mbi 30 milionë euro gjobë për shkak të shkeljes se marrëveshjes.
Muaj me vonë ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa se bashku me pronarin e Z-Mobile, Blerim Devolli patën dalë para mediave me arsyetimin se kanë arritur marrëveshje dhe se “Devollët” do e falnin borxhin e Telekomit që I obligonte Arbitrazhi.
Mustafa pati thënë se janë shpëtuar mbi 32 milionë euro, ndërsa marrëveshja e arritur atëkohë në mes të Postës së Kosovës dhe Z-Mobile parashihte që të paguhen vetëm shpenzimet për arbitrazh, por që Mustafa nuk pati pranuar të tregojë për shumën që do të paguaj. Përkundër kësaj, lënda u dërgua në departamentin ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.