Punëtorët e Telekomit do të mbajnë një protestë një orëshe para objekteve kryesore të Telekomit në të gjitha qendrat e Kosovës.
Protesta do të nisë në ora 11:00.
“Javët e fundit ka qenë të renda për Telekomin e Kosovës dhe për neve si punonjës. Fillimisht, janë bllokuar xhirollogaritë dhe me dt:29.10.2020 janë tërhequr të gjitha mjetet financiare nga ish kompania Dardafon dhe zhvatësi, oligarku 10 vjetar Blerim Devolli dhe përmbaruesi Ilir Mullhaxha”, thuhet në njoftim.
FSP-PTK thotë se ka marrë përkrahje edhe nga sindikata e Postes se Kosovës, FSP-Elektrokosova, dhe sindikata e re e KEK-ut.
“Nesë nuk merren parasysh kërkesat e FSP-PTK te cilat janë bere te qarta me dt;29.10.2020 protestat dhe grevat do te vazhdojnë sipas paralajmërimeve”, thuhet në njoftim.
Punëtorët e Telekomit të Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor. Kjo ka ndodhur për shkak se llogaritë e tyre bankare janë bllokuar si pasojë e borxhit ndaj kompanisë “Dardafon”.
Borxhi prej mbi 23 milionë eurosh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.
Në korrik Telekomit i ishin bllokuar llogaritë nga përmbaruesi privat për shkak të borxhit që kjo ndërmarrje ka si pasojë e rastit të humbur në Gjykatën e Arbitrazhit. Pak pas bllokimit, llogaritë ishin zhbllokuar, me Telekomin që kishte bërë të ditur se marrëveshja për pezullim ishte për afat të pacaktuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.