Qeveria greke po harton një paketë të re masash për të mbështetur punonjësit dhe bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit, përveç asaj që tashmë është shpallur dhe zbatuar.
Sipas këshilltarit ekonomik të kryeministrit, Alexis Patelis, një paketë e re mbështetëse prej 2-3 miliardë eurosh për punëdhënësit dhe punonjësit po përgatitet për periudhën dy-mujore nga maji deri në qershor.
Një plan për të rritur likuiditetin e korporatave në formën e granteve, kredive dhe garancive të kredisë në shumën prej 6-12 miliardë eurosh gjithashtu do të shpallet muajin e ardhshëm.
Për më tepër, qeveria është duke punuar për një plan subvencionimi të normës së interesit për kreditë e dhëna deri në fund të viit 2019.
Patelis vuri në dukje se qeveria pret që prodhimi i brendshëm bruto të zvogëlohet në tremujorin e dytë, me një rikuperim të ndjeshëm në tremujorin e tretë, por që recesioni ekonomik këtë vit është i sigurt.
Qeveria greke së shpejti do të ndryshojë buxhetin e vitit 2020, ku do të përfshijë edhe humbjet e të ardhurave për shkak të pandemisë, por vetëm një ppjesë e paketës së ndihmës fiskale do të ndikojë në të, e vlerësuar në 5 miliardë euro ose 2 për qind e PBB-së, shkruan Kathimerini.
Masat e tjera mbështetëse do të vijnë nga fondet e Bashkimit Europian, të cilat nuk do t’i shtohen borxhit të Greqisë. Patelis theksoi se ka 1,8 miliardë euro nga fondet europiane të papërdorura, ndërsa BE siguron fleksibilitet në përdorimin e fondeve strukturore, të cilat mund të gjenerojnë një shtesë 2 deri në 5 miliardë euro.