Punonjësit e kualifikuar, nuk mund t’ia lejoni vetes t’i humbni!

30/09/2019 4:54 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Pasi keni punësuar punonjësit më të kualifikuar në kompaninë tuaj, a po bëni ju dhe ekipi juaj ç’është e mundur që t’i mbani ata të angazhuar dhe të motivuar?

Sipas një studimi të fundit nga agjencia O.C. Tanner, punëdhënësit nuk veprojnë mjaftueshëm për të nxitur besnikërinë e punonjësve të tyre
Studimi, i quajtur “2020 Global Culture Report,” gjeti se 59% e punonjësve do ta linin punën e tyre sot nëse do t’ju ofrohej një punë, në një kompani tjetër, në të njëjtin pozicion, me të njëjtën pagë dhe përfitime. Kërkimi përfshiu më shumë se 20 mijë punonjës dhe drejtues në 15 vende.

Një nga shkaktarët kryesorë që i shtyn punonjësit të japin dorëheqjen është mbingarkesa. Në raport shkruhet se 79% e punonjësve përjetojnë ngarkesë në nivele të larta, ndërsa 40% në nivel të moderuar – të lartë. Kjo mund të sjellë pasoja negative, si për shembull reduktimin me 87% të mundësisë që një punonjës të qëndrojë në kompani ose reduktim të produktivitetit me 22%.

Duke parë këto rezultate, çfarë mund të bëni që të shmangni mbingarkesën te punonjësit dhe t’i mbani ata të angazhuar?

1.Mos reshtni së punësuari

Si në rastin kur kompania juaj është në rritje, apo në rastin kur një punonjës largohet prej saj, sa herë që keni një vend të lirë, ekipi duhet të ndajë mes tij punën deri sa ju të punësoni personin e duhur. Dhe nëse ju nuk keni strategjinë e duhur për të plotësuar sa më shpejt këtë vend të lirë – me shumë gjasa punonjësit, të cilëve do t’u shtohet puna, do të përballen me mbingarkesë – madje mund të japin edhe dorëheqjen.
Në mënyrë që punonjësit të mos mbingarkohen, është e rëndësishme që ju të keni një strategji proaktive dhe të vazhdueshme për punësimin e punonjësve. Për këtë mund t’ju vijë në ndihmë edhe krijimi i një rrjeti me kandidatë potencialë.

2.Nxitini punonjësit për suksese të vazhdueshme

Një nga arsyet kryesore se pse punonjësit mund përballen me mbingarkesë – dhe të marrin në konsideratë largimin nga puna – është sepse, pavarësisht punës së tyre të vështirë – ata nuk shohin që të rriten profesionalisht.
Si pikënisje, flisni për këtë gjë me punonjësit tuaj. Gjatë këtyre takimeve, pyetini punonjësit se si është puna e tyre, cilat janë projektet që u pëlqejnë më shumë të angazhohen dhe nëse ka ndonjë gjë që mund të bëni për t’i mbështetur ata në rritjen profesionale.

Përtej këtyre takimeve, këshillojini punonjësit se çfarë hapash mund të bëjnë për t’u rritur profesionalisht. Takojini rregullisht punonjësit për të parë se si janë duke i ndjekur këto objektiva dhe se çfarë mund të bëjnë për t’u përmirësuar.

Koha që do të shpenzoni për të takuar punonjësit dhe mbështetja në rritjen profesionale, do t’i bëjë ata të ndihen të vlerësuar. Punonjësit do të kenë më pak gjasa të përballen me mbingarkesë dhe do të jenë më të motivuar për të arritur hap pas hapi suksesin.

Në një treg konkurrues punësimi, ju nuk mund t’ia lejoni vetes të humbni punonjësit më të mirë për punë të ngjashme në kompani të tjera, vetëm sepse përballen me mbingarkesë. Duke marrë masa për të shmangur mbingarkesën, ju mund të rrisni besnikërinë e punonjësve dhe për pasojë produktivitetin e kompanisë suaj.

*Adam Robinson bashkëthemelues dhe CEO i Hireology
Burimi: INC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of