Gushti mbaroi, por kjo nuk do të thotë se mund të hiqni dorë nga pushimet, sepse edhe shtatori është një muaj fantastik, veçanërisht për ata që duan qetësi. Ballkani mund të jetë një zgjidhje e mirë. Edhe Shqipëria shihet nga të huajt si një destinacion që ofron pushime komode dhe me çmime konkurruese. Por, nëse dëshironi luksin dhe shkëlqimin, as në këtë rast nuk mungojnë edhe ofertat.
Shumë destinacione të mrekullueshme me çmime të favorshme mund të kthehen për ju në ofertën e kësaj vere. Kryeqytete, qytete arti, ishuj, plazhe që vizitohen pa ndonjë kosto të lartë dhe duke mos hequr dorë nga komoditeti. Portalet që kanë oferta të minutës apo sekondës së fundit janë të shumta. Ka faqe ku mund të krahasoni edhe çmimet e biletave për fluturimet. Mjaftojnë pak klikime dhe mund të gjeni bileta për çdo buxhet. Por, “gjahun” e ofertave mund ta vazhdoni gjatë gjithë vitit dhe të shihni sesi variojnë dhe kur mund të kapësh më të mirën. Google jep në këtë rast kontributin e saj dhe kthehet në një këshillues të mirë. Por, nëse doni t’u besoni më ekspertëve, të shmangni mashtrimet, atëherë zgjidhni të konsultoheni me lastminute.com ose Tripadvisor, e cila ka edhe recensione nga ata që kanë pasur përvoja turistike në destinacione që ju dëshironi të vizitoni.
Një përvojë e mirë turistike, natyrisht nuk mund të quhet e tillë pa një akomodim cilësor, që mund të jetë një hotel, një resort, një pension, një dhomë ose mund të jetë një çadër dhe një dyshek me ajër, kjo është në dëshirën (dhe në buxhetin) tuaj.
Gjithsesi, mos harroni se jo gjithmonë ekonomikja korrespondon me cilësinë. Edhe në portalet më profesionale duhet të dini të zgjidhni mirë, të lexoni opinionet, në mënyrë që të shmangni surprizat e pakëndshme.
Ballkani, një histori që tërheq
Gadishulli i Ballkanit ofron padyshim një guidë shumë të veçantë dhe të shumëllojshme turistike. Turistët e huaj e shohin me kuriozitet për shkak të kulturave, historive, traditave dhe zakoneve që ndërthuren në vendet që e përbëjnë atë. E Ballkani mund të zbulohet edhe pa shumë para në xhep.
Budva, Mal i Zi
Ka të bëjë gjithçka me diellin, rërën dhe James Bondin në resortin e Petrovac, i cili mund të kujtohet nga shumëkush në filmin “Casino Royale”. Nëse dëshironi që të shijoni jetën në ishull, atëherë merrni me qira një varkë në port, por nëse doni të kërceni natën, atëherë ngjituni në kodër me një taksi dhe shkoni në festë.
Shpella e Titos, Drvar, Bosnjë
Pas pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti Drvar u kthye në një bazë të lëvizjes së partizanëve. Diktatori kontroversial Tito ngriti “strehën” e tij jashtë qytetit, në një shpellë nga ku u koordinua edhe ndihma kundër gjermanëve e aleatëve. Kjo shpellë gjendet një kilometër larg në veri të qytetit Drvar.
Kisha St Blaise, Vodnjan, Kroaci
Ku mund të shihni një pjesë të veçantë të kryqit të Jezusit dhe të shihni të shkruar gjuhën e Shën Marisë së Egjiptit? Shën Blaise në fshatin Istrian në Vodnjan të Kroacisë është vendi i duhur. Në të do të gjeni eshtrat e gjashtë shenjtorëve dhe 380 relike të mbyllura në kuti xhami. Është një mister sesi kanë mbetur të pashkatërruara këto skelete.
Buzet, Kroaci
Arkitektura mesjetare në Buzet, pjesë e Gadishullit të Istrias është një kujtesë e ditëve të sundimit të perandorisë veneciane. Vizitojeni në shtator dhe do të mund të merrni pjesë në panairin tradicional “Subotina Po starinski”, që organizohet për të festuar ditëlindjen e Virgjëreshës Mari.
Fshati Njegusi, Mal i Zi
Njeguši është një fshat malor në jug të Malit të Zi i njohur për kuzhinën tradicionale: prsut (sallam i tharë), lepinja (bukë) dhe njeguski sir (djathë) që mund të shoqërohen me vaj ulliri.
Stari Bar, Mal i Zi
Stari Bar, i njohur ndryshe si qyteti i vjetër i Barit, është si një muze në qiellin e hapur. Në nëntor ju mund të shikoni festivalin e Maslinijada, një festë dedikuar ullinjve, gjatë së cilës banorët vishen me kostume tradicionale dhe vallëzojnë.
Vrulja Kovi, Kroaci
Dëshiron një plazh të gjithin për vete? Ishulli Vrulja ka një plazh 6 kilometra të gjatë dhe është i mbushur me guva, që e bëjnë perfekt për të pasur një pushim privat. Ato mund të arrihen fare mirë me një varkë, por duhet të tregoni kujdes nga gjarpërinjtë e ujit.
Syri i Kaltër, Shqipëri
Kur të gjendeni pranë tij do ta kuptoni pse quhet kështu. Është një fenomen gjeologjik i mahnitshëm i thellë 50 metra. Bluja e thellë qendrore, rrethohet nga versione më të hapura. Uji është disi i ftohë nëse doni të laheni, shkon deri në 10 gradë. Aty do të gjeni edhe restorante ku mund të provoni ushqim të freskët dhe të shijshëm.
Kështjella e Rozafës, Shkodër, Shqipëri
Nëse ju pëlqen misteri, atëherë do të dashuroheni me këtë kështjellë. Legjenda flet për sakrifikimin e njërës prej grave të tre vëllezërve. Në afërsi të saj do të mund të gjeni vende ku të shijoni bukurinë e natyrës, malet, peshkun e freskët ose mishin.
Topola, Serbi
Në zemër të Serbisë, në rajonin Sumadija, shtrihet qyteti i Topolas. Revolucionari Karagjorgje i shekullit të 19, i cili udhëhoqi një kryengritje kundër Perandorisë Osmane, është themeluesi i Serbisë moderne dhe rezidenca e tij është tashmë një muze. Varri Karagjorgjes gjendet në kishën e Shën Gjergjit, së bashku me mauzoleun madhështor të familjes mbretërore serbe. Sumadija është e njohur gjithashtu për verën. Çdo tetor në fshatin Vinca organizohet festa e verës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.