Për të rifilluar përsëri udhëtimet tuaja në botën e mrekullueshme të kuzhinës së shkëlqyer, peizazheve dhe kulturës mbresëlënëse nuk ka vend më të mirë se Italia.
Duke qenë se fluturimet, akomodimi dhe bagazhet janë të përfshira në paketat turistike, gjithçka që ju duhet të mendoni është se nga do ta nisni udhëtimin tuaj. Ja disa frymëzime për ju.
Napoli
Vila shumëngjyrëshe të ndërtuara në faqet e shkëmbinjve me pamje nga deti, aroma e ekspresit të mirë dhe madhështia e malit Vezuv që qëndron me krenari mbi qytet – Napoli është i bukur në çdo nivel.
Ky qytet që ndodhet në bregdetin italian është destinacioni i përsosur për disa pushime në fundjavë. Udhëtarët do të kenë shumë për të bërë gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër atje. Shijoni mënyrën e qetë të jetesës italiane me një shëtitje në mëngjes nëpër rrugët me kalldrëm, duke fotografuar kishat e bukura ose duke parë vendasit që bëjnë gati dyqanet e tyre të kafesë.
Adhuruesit e historisë mund të duan të shkojnë thellë nën tokë në labirintin e lashtë të rrugicave nëntokësore të qytetit, të njohur ndryshe si Catacomba di San Gennaro. Shumë breza të peshkopëve prehen në këtë botë surreale dhe magjepsëse poshtë rrugëve të qytetit.
Sigurisht, nëse dëshironi të mos futeni nën tokë por të jeni në rrezet e diellit, mrekullitë e Pompeit dhe Herculaneumit të lashtë janë shumë pranë dhe mund t’i vizitoni pas një udhëtimi të shkurtër me varkë ose me autobus.
Piza
Italia është një vend i qetë. Ky është një fakt. Por, nëse dëshironi një atmosferë të qetë dhe kulturë kafeneje, Piza, shtëpia e kullës së famshme të pjerrët, është vendi ideal për ju.
E vendosur në brigjet e lumit Arno, Piza e bukur ka shumë për t’u ofruar atyre që kanë nevojë për një ndryshim nga e përditshmja. Duke filluar me parqet e harlisura dhe restorantet e shumta buzë lumit, e deri te një mori muzesh, galerish dhe kopshtesh fantastike (si Kopshti Botanik i Pizës), do ta gjeni veten të përhumbur lehtësisht në këtë atmosferë, sapo të dilni nga dhoma juaj e hotelit. Nuk ka nevojë për shumë planifikim.
Firence
Firence është një nga qytetet më madhështore të Italisë. Atyre që u pëlqen të bëjnë shopping do të kenë mundësi të shikojnë butikët e shumta të stilistëve, në kërkim të tredeve më të fundit të modës.
Galeria Uffizi është për të gjithë ata që dinë të shijojnë artin e bukur. Nëse preferoni diçka larg turmave të njerëzve, mund të eksploroni industrinë e prodhimit të letrave të pikturuara në formë mermeri; madje mund të shihni artizanë që pikturojnë letrën me dorë në dyqanet e tyre.
Firence është sigurisht e famshme për Davidin e Mikelanxhelos dhe Perseun e Cellinit. Kopshtet Boboli të periudhës së Rilindjes janë një vend i mrekullueshëm për të marrë disa rreze dielli ose për të shijuar kafe të ftohtë përballë një pamjeje mahnitëse, ndërsa më tej jashtë qytetit, kopshti i trëndafilave, Giardino delle Rose, ofron pamje të mrekullueshme të këtij qyteti të bukur.
Nga këtu mund të shihni edhe kupolën e famshme të Cúpula de Santa María del Fiore, e cila bëhet edhe më e bukur kur jeni të rrethuar nga aroma e trëndafilave.
Roma
Sipas legjendës së lashtë, binjakët Romuli dhe Remi themeluan Romën rreth vitit 750 para Krishtit dhe që atëherë, ky qytet është mbushur plot me histori, shenjat e së cilës mund t’i shihni kudo që shkoni.
Nga Forumi Romak, ku ende qëndrojnë rrënojat e tempujve dhe të ndërtesave qeveritare të perandorisë më të madhe në botë, deri te Shatërvani i Trevit që i përket shekullit të 18-të dhe Shkallët Baroke Spanjolle, ky vend është ideali për të gjithë adhuruesit e historisë.
Ndërsa jeni në këtë qytet, mund të shkoni për të vizituar edhe Vatikanin, vendin më të vogël në botë që është shtëpia e Bazilikës së Shën Pjetrit. Artistët, fotografët dhe historianët do ta kenë shumë të lehtë të kalojnë një ditë të përhumbur në këtë muze, me gjithë shkëlqimin e tij. Nuk duhet të harrojmë se ky shtet i vogël është gjithashtu shtëpia e një prej vendeve më të famshme në botë: Kisha Sistine.
Mos u ndjeni shumë keq nëse nuk arrini t’i vizitoni dot të gjitha këto atraksione gjatë qëndrimit tuaj tuaj të shkurtër në Romë; të paktën do të keni një justifikim për t’u kthyer përsëri.
Venecia
Qyteti i preferuar lundrues i të gjithëve, Venecia, është një nga vendet ideale për t’u vizituar në Itali.
Një nga mënyrat më të mira për t’u njohur shpejt me Venecian është ta vizitoni atë në një gondola – varkat tradicionale që përdoren për të lundruar në kanalet ujore që përshkojnë qytetin. Uluni dhe relaksohuni ndërkohë që ju lundroni me butësi nëpër kanalet e pafundme ujore pranë rrugëve rezidenciale, nën urat e dekoruara dhe nëpër sheshet e zhurmshme, teksa filloni të futeni në mënyrën veneciane të jetesës.
Pasi të përfundoni lundrimin tuaj, shkoni te Tregu Rialto dhe provoni disa ushqime shumë të shijshme, si për shembull cichetti, ushqime të vogla të cilat mund të bëhen në çdo formë, nga sanduiçe e deri te pjatat e vogla me perime të freskëta në skarë dhe mish të pjekur. Nuk duhet të lini pa vizituar shtëpitë shumëngjyrëshe të peshkatarëve në Burano, Koleksionin Peggy Guggenheim dhe Pallatin e Dukës. / Daily Mail