Pushteti lokal “shpëton” qendrorin, rriten ndjeshëm të ardhurat nga taksa e pasurisë

14/05/2019 10:11 AM 0 komente

Tatimet dhe doganat arkëtuan në buxhet rreth 149 miliardë lekë në katër muajt e parë të vitit, me një rritje prej 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në raport me muajt e mëparshëm, prilli ka qenë më i mbarë dhe janë arkëtuar rreth 40 miliardë lekë, niveli më i lartë deri tani i 2019-s (në janar psh u mblodhën vetëm 34 miliardë lekë). Kjo ka bërë që mosrealizimi i planit të jetë më pak se 1% për katër mujorin e parë.

Të ardhurat tatimore arritën në 140.4 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5% me bazë vjetore, me një mosrealizim të lehtë plani.

Performancën më të keqe e kanë pasur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, që u rritën me vetëm 1.8%, me një mosrealizim plani në 3.1 miliardë lekë. Ky mosrealizim ka ardhur si rrjedhojë e performancës së dobët të TVSH-së, një prej taksave kryesore në buxhet, të ardhurat nga e cila shënuan rënie edhe në raport me faktin e katërmujorit të një viti më parë (-2.3% më pak).

Financat kanë pohuar se kjo performancë e dobët e TVSH-së, lidhet me rënien e aktivitetit të punimeve në projektin e gazsjellësit TAP. Bashkë me projektin nuk funksionon më as zinxhiri i kompanive që kishin të lidhur furnizimin e mallrave dhe shërbimeve me projektin TAP. Sipas ministrisë së Financave kjo ka krijuar dobësi në arkëtimin e të ardhurave nga TVSH-ja.

Performancë të dobët kishin dhe taksat nacionale, ndërsa zëri më ecurinë më pozitive ishte tatim fitimi, me rritje 17% dhe tejkalim plani prej gati 1.7 miliardë lekë, duke amortizuar disi mosrealizimin e panit nga TVSH dhe taksat nacionale.

Mosrealizimi i planit nga tatimet e doganat është kompensuar pothuajse tërësisht nga performance e mirë e pushtetit lokal. Të ardhurat nga taksa e pasurisë, pas një ecurie të dobët në tre muajt e parë të vitit, kërcyen në prill. Pushteti lokal ka mbledhur vetëm në prill gati 1.5 miliardë lekë, nga 847 milionë lekë që janë mbledhur në tre muajt e parë së bashku, me një tejkalim plani për 4 mujorin prej 1 miliardë lekë. Këtë vit pritej të fillonte dhe mbledhja e taksës së pasurisë në bazë të formulës së re bazuar në vlerën e pronës.

Tejkalim plani prej 1.5 miliardë lekë kishin dhe të ardhurat nga taksat lokale, me rritje prej 40% në raport me faktin e të njëjtës periudhë të një viti më parë. Bashkitë po u “gëzohen” më shumë të ardhurave si rrjedhojë e taksës së infrastrukturës që po marrin nga rritja e lejeve të ndërtimit, sidomos në kryeqytet.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore ishin rreth 33 miliardë lekë, në përputhje me planin.

Të ardhurat jo tatimore ishin 7.7 miliardë lekë, me një tejkalim të lehtë plani (shih tabelën për info të detajuar për planin dhe faktin).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of