Pavarësisht rënies ekonomike të këtij viti dhe ritmit të ulët parashikuar për vitin tjetër, financimi nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor, jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por përkundrazi është rritur, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë gjatë një takimi konsultues me qeverinë vendore për buxhetin e vitit 2021.
“Referuar Produktit të Brendshëm Bruto për vitin 2021, transferta e pakushtëzuar do të ishte 1.4 miliardë lekë më e vogël se këtë vit.
Në fakt ajo jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por ka një rritje të lehtë mesatarisht 1.3%, krahasuar me vitin 2020, ose krahasuar me vitin 2013 është mbi 90% më e lartë. Është për t’u veçuar fakti se për herë të parë bashkitë do të marrin 800 milionë lekë më shumë nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale”.
Në vititn 2021 buxheti vendor pritet të rritet në 3.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
“Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, dhe rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që:
– të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike dhe
– njëkohësisht pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013, në 3.3% të PBB-së në vitin 2021.
Për vitin 2021, shpenzimet e buxhetit vendor janë parashikuar në masën 56,3 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3% më shumë se në vitin 2020”.
Covid-19, ashtu si edhe në vendet e tjera ka pasur dhe parashikohet të ketë efekte negative në rënien e ekonomisë dhe për pasojë dhe në uljen e të ardhurave buxhetore.
“Me qëllim ruajtjen e stabilitetit të shpenzimeve vendore dhe për mbështetjen për përballimin e shpenzimeve të Covid-19, niveli i transfertës së pakushtëzuar për vitin 2021 do të jetë me një rritje të lehtë krahasuar me atë të vitit 2020.
Kjo transfertë është rreth 52% më e lartë se ajo e vitit 2013 dhe rreth 50% më e lartë se e vitit 2015, si viti bazë para reformës administrativo-territoriale”.
Ministrja kërkoi angazhim të përbashkët sa i përket përmirësimit të menaxhimit financiar të njësive vendore.
“Në të njëjtën linjë, dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj qëndrimin tonë sa i takon pagimit të detyrimeve të prapambetura dhe shmangies së krijimit të detyrimeve të reja, apo qasjes së kujdesshme drejt politikave vendore fiskale. Këto të fundit duhet të jenë mbi të gjitha në mbështetje të sipërmarrjes shqiptare dhe investitorëve të huaj. Duhet të angazhohemi bashkërisht për një përmirësim të menaxhimit financiar të njësive vendore”, tha Ministrja Denaj.
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 25.4 miliardë lekë ose 10% më të larta se sa i pritshmi i vitit 2020 dhe pothuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015.
Në buxhetin e vitit 2021, për herë të parë njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.