Editorial MONITOR / Teksa mbyllej dita e parë e sulmit rus ndaj Ukrainës, një grup qytetarësh shqiptarë vendosën të protestonin përpara Ambasadës së Rusisë në Tiranë. Veprimi ishte simbolik, mbase i panevojshëm për disa. Gjasat që Shqipëria të ndikojë në këtë ngjarje janë zero. Në të kundërt, lufta e saponisur ka gjasa të ndikojë edhe mbi Shqipërinë.
Mbase protesta e së enjtes ishte shenja e parë që, edhe qytetarët shqiptarë e kuptojnë se kjo luftë po e ndryshon botën që njohim, dhe efektet e saj do të ndihen, për shumë e shumë kohë më pas, edhe në vendin e rajonin tonë.
Ndikimi më i madh afatshkurtër do të jetë ai ekonomik. Rusia është ekonomia e 11-të më e madhe e botës. Është një nga eksportueset kryesore të gazit dhe naftës, por edhe të një sërë lëndëve minerale, si hekur, çelik dhe alumin. Së bashku me Ukrainën, janë dy nga eksportueset kryesore të grurit dhe drithërave të tjera.
Lufta dhe dëmet e shkaktuara prej saj do të bllokojnë disa nga rrugët kryesore të transportit. Bllokimet e tjera do shkaktohen nga sanksionet ndaj Rusisë, të cilat po zgjerohen nga dita në ditë.
Ekonomia botërore dhe shqiptare po përballeshin me rritje të çmimeve për shumë prej produkteve të sipërpërmendura. Vështirësitë e furnizimit me hidrokarbure dhe drithëra vetëm sa do të rrisin presionin mbi çmimet.
Kjo do shkaktojë vështirësi kudo, por më shumë në vende të varfra, apo në zhvillim si Shqipëria. Teksa në vendet e zhvilluara, konsumi i ushqimit zë rreth 10% të shpenzimeve mesatare mujore, kjo shifër arrin në thuajse 40% në Shqipëri. Për shtresat në nevojë, aq shumë të prekura nga rritja e çmimeve deri më sot, kjo vlerë është edhe më e lartë.
Efektet afatgjata, mbase edhe më të rëndësishme për Shqipërinë, janë gjeopolitike. Lufta në Ukrainë është e ndryshme nga thuajse çdo luftë tjetër e zhvilluar në botë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë këtyre 8 dekadave, bota ka parë plot konflikte të brendshme. Janë zhvilluar shumë përplasje dhe aneksime për zona kufitare mes shtetesh rivale.
Po që nga Lufta e Dytë Botërore, njerëzimi nuk kishte parë një prej fuqive kryesore ushtarake në botë të tentonte të pushtonte, në mënyrë totale, një vend fqinj e të ndryshonte kaq dhunshëm kufijtë. Aq më pak mendohej se kjo mund të ndodhte në Europë, disa qindra kilometra nga kryeqytetet e disa prej vendeve më të zhvilluara dhe të fuqishme të botës.
Një nga supozimet bazë të rendit politik dhe ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore, ishte pikërisht se vendet e fuqishme nuk do silleshin më në këtë mënyrë. Mund të kishte presione ndaj vendeve më të vogla, mund të kishte përfshirje në proceset e brendshme politike, por jo luftë totale.
Sot ky supozim ka rënë poshtë, ashtu siç ka rënë poshtë besimi se Perëndimi është në gjendje të parandalojë ngjarje të tilla. E gjitha kjo do të ketë të paktën dy ndikime të mëdha në sjelljen e shteteve dhe agjentëve ekonomikë.
Së pari, shtetet kudo në botë do të fillojnë të shpenzojnë më shumë për ushtritë përkatëse. Tashmë që lufta nuk duket më iluzion utopik, nevoja për të përmirësuar aftësitë vetëmbrojtëse do të jetë kritike për një shtet. Por ky proces do të zvogëlojë shpenzimet mbi shërbime të tjera jetike si rrugë, spitale apo shkolla.
Nga ana tjetër, do krijojë një botë ku gara për armatime rrezikon të sjellë tensione të reja mes shtetesh rivale. Akoma më tej, për t’u armatosur do të mund të përdoret nga liderët autoritarë për të mbrojtur pushtetin personal e për të frikësuar popullsinë dhe rivalët e tyre.
Së dyti, tregtia botërore, që kishte lulëzuar pas Luftës së Dytë Botërore e kishte shpërthyer pas rrëzimit të komunizmit, do vihet në pikëpyetje. Nëse vendet e vogla mund të pushtohen lehtësisht, nëse rrugët e transportit mund të bllokohen nga këto konflikte, a është e leverdishme të investosh në fabrika dhe zyra në vende të tjera? Kjo është pyetja që çdo kompani dhe investitor do të jetë duke menduar këto ditë.
Rrënimi i tregtisë dhe investimeve të huaja do të kishte pasoja të rënda ekonomike kryesisht për vendet në zhvillim. Është pikërisht tregtia dhe njohuria që ajo sjell, burimi kryesor i mirëqenies për shumë prej vendeve si Shqipëria. Pa këto burime, e vogël dhe e izoluar, ekonomia jonë do të rikthehej shumë shpejt në nivelet ku gjendej para viteve ’90.
Vendi ynë është thuajse komplet i papërgatitur për këto sfida. Shpenzimet ushtarake janë në nivele qesharake, qoftë në total e qoftë në raport me PBB. Investimet e huaja, prej vitesh në rënie, tani do të ndihen edhe më të pasigurta. Sot, më shumë se kurrë, drejtuesit tanë do të duhet të mendonin gjatë për orientimin e vendit. A janë në gjendje ta bëjnë?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.