Pyetja frymëzuese që Richard Branson i bën vetes para vendimeve të vështira

09/06/2021 3:51 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të rëndësishme në jetë, me kë të martohesh, ku të jetosh, nëse do të fillosh një biznes apo të ndryshosh karrierë, shumë faktorë mund t’ju vijnë në ndihmë dhe t’ju drejtojnë për të marrë vendimin e duhur.

Jeff Bezos, për shembull, përdori “teknikën e minimizimit të keqardhjes” kur vendosi të heqë dorë nga puna e rehatshme dhe të themelojë Amazon.
Ajo konsiston në përfytyrimin e vetes në shtratin e vdekjes duke i bërë pyetjen se zgjedhja e cilës alternativë do të na bënte që të pendoheshim më pak. Përballë kësaj zgjedhje të vështirë, filozofi Ruth Chang sugjeron ta pyesni veten jo “Çfarë duhet të bëj?” por “Kush dua të bëhem?”
Richard Branson, kohët e fundit, i shtoi listës një teknikë tjetër të dobishme.
Çfarë do të mendonin fëmijët tuaj?

Këshilla nga themeluesi i kompanisë Virgin erdhi në vazhdën e një postimi të gjatë në LinkedIn për të gjitha mënyrat se si familja e tij ndikon duke e frymëzuar në punën që bën. E gjithë kjo është shumë prekëse si situatë, por ku qëndron lidhja e saj me marrjen e vendimeve të vështira? Branson shpjegon se, ai nuk flet vetëm për zgjedhje të vështira me familjarët, ai gjithashtu i trajton ata sipas mënyrës së të tij, por mbështetur në teknikën e minimizimit të keqardhjes të Bezos.

Ndërsa themeluesi i Amazon mendon se për cilin veprim ai do të pendohej më pak (dhe për të cilin do të ishte më krenar), Branson shikon më tej dhe përqendrohet jo vetëm te ndjenjat e tij, por edhe në ato të brezave të ardhshëm.
“Kur marr vendime të rëndësishme mbi biznesin që drejtoj, fëmijët e mi janë të parët që më vijnë në mendje – shkruan Branson. – Gjithmonë pyes veten: ‘A është kjo diçka për të cilën do të jenë krenarë fëmijët dhe nipërit e mi?’ dhe ‘A do ta ndikojë vendimi në fjalë në përmirësimin sado pak të së ardhmes së brezit të ri’?”

Ai shton, se “jam i sigurt që të gjithë prindërit do të pajtoheshin se kjo është mënyra më e mirë për të marrë vendime dhe për të gjetur frymëzim për të bërë gjënë e duhur.”

Një gjë e tillë ndoshta nuk ju ndihmon të zgjidhni midis dy furnitorëve (vetëm nëse njëri prej tyre prodhon produkte në fabrika që ndotin mjedisin dhe tjetri funksionon në përputhje me rregullat mjedisore) por kur jeni në një udhëkryq, si p.sh. në cilin treg të qëndroni, cilin model biznesi të ndiqni, me cilët bashkëpunëtorë duhet të punoni, përfytyrimi i fytyrave të fëmijëve tuaj do t’ju vijë vërtet në ndihmë për të menduar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.

Ndaj, herën tjetër që do të përballeni me një vendim të vështirë, përpiquni të përfytyroni duke u shpjeguar fëmijëve tuaj zgjedhjen që ju desh të bënit midis dy alternativave. Nëse një alternativë ju bën të ndiheni krenar dhe tjetra jo, atëherë ndoshta e keni përgjigjen e duhur. / *Jessica Stillman, INC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of