Projekte të ndryshme që mund të zbatohen nga privatët pasi kanë marrë miratimin nga autoritetet mund të parashikojnë ndërhyrjen në fondet pyjore ekzistuese por kjo me kushtin që të parët të krijojnë një fond të ri.
Në një vendim të veçantë të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit saktësohen edhe kostot e përllogaritura për pyllëzim kompesues në rastet e ndryshimit të destinacionit te fondit pyjor.
“Kostot e pyllëzimit kompensues, llogariten nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, në momentin e paraqitjes së kërkesës nga subjekti për fillimin e procedurës të heqjes nga fondi pyjor. Kostot e përllogaritura i bashkëngjiten raportit teknik-ekonomik të hartuar dhe miratuar nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki dhe i përcillen ministrinë përgjegjëse për pyjet, për vijimin e procedurës për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes, ku do të ushtrohet aktiviteti i lejuar dhe/ose i miratuar. Modelet përkatëse të projekteve të pyllëzimit dhe kostove respektive detajohen në udhëzimin të Ministrit” thuhet në vendimin e nxjerrë për konsultim.
I njëjti sanksionon se pagesa e kostove të përllogaritura të pyllëzimit kryhet në llogarinë bankare të bashkisë, e cila ka në juridiksionin e saj sipërfaqen pyjore të cënuar dhe pagesa kryhet nga subjekti përfitues, kur ai nuk merr përsipër kryerjen e pyllëzimit kompensues. Në këtë rast pyllëzimi kompensues realizohet nga bashkia dhe/ose subjekti që ka në administrim sipërfaqen.
“Subjekti kryen pagesën jo më vonë se 10 ditë, nga dita e marrjes dijeni të aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor dhe/ose ndryshimit të kategorisë së përdorimit, nga autoriteti përgjegjës shtetëror. Bashkia pasi konfirmon pagesën e kryer në llogari të saj, pajis subjektin me një dokument që vërteton shlyerjen e detyrimit për koston e pyllëzimit kompensues si dhe realizimin e pyllëzimit kompensues nga vetë bashkia. Një kopje e këtij dokumenti i përcillet për dijeni, strukturave përgjegjëse për pyjet në ministrinë përgjegjëse për pyjet” thuhet në dokument.
Sipas vendimit Bashkia dhe/ose subjekti që administron sipërfaqen, brenda 2 (dy) viteve nga data e derdhjes së pagesës në llogarinë e saj, realizon procesin e pyllëzimit sipas projektit të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
Në rast se subjekti merr përsipër të realizojë vetë procesin e pyllëzimit kompensues, 30 ditë pas aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor dhe/ose ndryshimit të kategorisë së përdorimit subjekti lidh marrëveshje me bashkinë dhe/ose subjektin që ka në administrim sipërfaqen, nëpërmjet të cilës angazhohet për realizimin e detyrimit të pyllëzimit kompensues. Pyllëzimi kompensues realizohet nga subjekti për një periudhë jo më vonë se tre vite, nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas përfundimit të pyllëzimit, sipas projektit të pyllëzimit dhe kërkesave të marrëveshjes, objekti i pyllëzuar i dorëzohet bashkisë dhe/ose subjektit që administron sipërfaqen./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.