Qendrat tregtare kanë rritur peshën e tyre në tregtinë me pakicë. Në kontrast me tendencat e mëparshme të shopping-ut, ku dyqanet në rrugët pranë banesave si dhe në rrugë dominonin tregun, sot shumë konsumatorë shqiptarë blejnë në hapësira tregtare, ku vetëm në Tiranë numërohen 13 të tilla.
Fakti konfirmohet nga të dhënat e fundit të INSTAT-it mbi tregtinë me pakicë, ku vihet re rritje e shitjeve në qendra tregtare prej 24% në tremujorin e fundit të vitit 2011 dhe një tendencë rënëse në njësitë e paspecializuara prej 2.5%.
Ndikimin më të madh në rritjen e peshës për qendrat tregtare duket se e ka dhënë hapja e qendrës më të re, “Tirana East Gate” në muajin nëntor, kur vihet re edhe rritja më e madhe, prej 19.5%. Peshë ka pasur edhe hapja e hipermarketit francez “Carrefour” në Shqipëri, i cili ka edhe sipërfaqen më të madhe tregtare në vend, 10 mijë metra katrorë.
Ndikim të madh vlerësohet të ketë pasur numri i lartë i vizitorëve në javët e para të hapjes së TEG, një fenomen tashmë i njohur në Shqipëri, sa herë që hapet një qendër e re tregtare.
Vetë drejtuesit e qendrave tregtare në vend bënë të ditur se konsumatori po orientohet gjithnjë e më shumë drejt qendrave për shkak të cilësisë e shërbimit, çmimeve më konkurruese, ofrimit të një game artikujsh dhe shërbimesh të ndryshme në të njëjtën vendndodhje, argëtimit.
Por rritja e peshës së zinxhirëve ushqimorë me pakicë, si dhe qendrave tregtare po dëmton bizneset e vogla në vend, që zënë rreth 95% të totalit të ndërmarrjeve në vend dhe luajnë rol të rëndësishëm në punësimin në rang vendi.
Fakt është që hapja e qendrave tregtare është një trend mbarëbotëror. Konsumatori po shkon gjithnjë e më shumë drejt tyre duke iu larguar dyqaneve të rrugës.
Administratorët e qendrave po arrijnë të rrisin peshën në treg edhe si pasojë e orientimit drejt konsumatorit me të ardhura të mesme dhe të ulëta, duke afruar më shumë klientë drejt tyre.
Nga ana tjetër, operatorët e qendrave tregtare mendojnë se fakti që në Tiranë nuk ka një rrugë të mirëfilltë pedonale me dyqane, siç është në të gjithë vendet europiane dhe në rajon, e nxit më shumë tregun e qendrave tregtare.
Tregu i retail-it në Shqipëri është i ri, pasi qendrat e para tregtare nisën të hapeshin pas 2005 dhe deri në 2010 ka pasur vazhdimisht hyrje të reja në treg. Tregu i retail-it në Tiranë ka aktualisht 13 qendra tradicionale tregtare, nga të cilat 67% janë të përqendruara në zonat periferike, 17% brenda në qytet, 12% brenda qendrave të biznesit dhe 4% në qendër të kryeqytetit. Zonat periferike janë më të preferuarat nga zhvilluesit e rinj të tregut, falë mundësisë për hapësira të mëdha tregtare, por edhe parkimeve të bollshme. Qendrat aktuale janë “Tirana East Gate”, “City Park”, QTU, “Casa Italia”, ETC, “Twin Towers”, “Kristal”, “Condor” dhe “Olympia”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.