Stoku total i qendrave tregtare në Tiranë ka mbetur i pandryshuar në 2016-n në raport me vitin e mëparshëm, me një total prej 178,800 m2 të GLA (sipërfaqja bruto për t’u dhënë me qira), sipas të dhënave nga Colliers International. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) është pozicionuar si një qendër tregtare e zonës dhe deri tani ka kënaqur nevojat e pjesës perëndimore të qytetit. Ashtu si në vitet e kaluara, pjesa më e madhe e negociatave për qiratë bëhen mbi baza të posaçme dhe ka pasur një rritje të fuqisë së negocimit nga ana e ofertuesve për vendet e preferuara.
Gjatë vitit 2016 ka pasur hyrje të reja në treg nga markat e mëposhtme ndërkombëtare: Calzedonia, Tezenis, S. Oliver dhe Timberland. Ata kanë zgjedhur të hapin dyqanet e tyre të para te TEG, duke mbështetur pozicionimin e qendrave tregtare në segmentin e shitjes me pakicë.
Përveç kësaj, shumë zinxhirë të pranishëm në vend të shitjes me pakicë (tekstile, elektronike dhe supermarketet) kanë zgjeruar praninë e tyre në Tiranë dhe qytete të tjera kryesore, si në qendrat tregtare dhe rrugët kryesore. Ky vit shënoi përsëri një sukses në rritje të qendrave tregtare kundrejt rrugëve kryesore.
Qiraja mesatare e qendrave tregtare në Tiranë, aktualisht luhatet në rreth €20/m2/muaj. Ndërsa qiratë në vendet e preferuara kanë qenë stabël në rreth €50/m2/muaj dhe tregu ka qenë i orientuar nga ofertuesit, veçanërisht për hapësirat parësore të tregtimit me pakicë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për qendrat tregtare që kanë marka të mira dhe që mund t’i ofrojnë tregtuesit me pakicë një numër të lartë konsumatorësh.
Qiratë e rrugëve kryesore kanë shënuar një rritje të diferencës mes nivelit më të lartë dhe atij më të ulët, ku më e ulëta është regjistruar në 7 euro/m2/muaj dhe më e larta në 40. Kjo shpjegohet me vjetërsinë e ndërtesës dhe kushtet në rrugët kryesore.
Tregu i rrugëve kryesore është ende shumë i pamaturuar dhe i paqëndrueshëm, çka do të thotë që mund të gjesh një dyqan të nivelit të ulët dhe të nivelit të lartë ngjitur me njëri-tjetrin në rrugët kryesore të Tiranës.
Toptani Shopping Center është një projekt drejt përfundimit. Sipas njoftimit të fundit për shtyp, qendra pritet të hapet në mars 2017. Shumë marka të njohura kanë siguruar tashmë një prani në qendrën tregtare që pritet të jetë një mundësi biznesi për investitorët dhe kompanitë e interesuara në tregtinë me pakicë, zyrat dhe ambientet argëtuese. Me një sipërfaqe totale prej 60,000 metra katror të shpërndarë në 8 kate dhe vende parkimi për 600 makina, Colliers pohon se kjo qendër do të ofrojë një eksperiencë blerjesh dhe argëtimi njëkohësisht.
Sipas Colliers, vendosja e taksës për blerjet online mbi 22 euro, që nga gushti 2016 ka ndikuar pozitivisht të tregtuesit me pakicë. Colliers parashikon se ndikimi pozitiv në kahun e kërkesës do të jetë më i dukshëm në gjysmën e parë të 2017-s, teksa konsumatorët janë tashmë të detyruar të blejnë në tregun e brendshëm në mënyrë që të shmangin tarifat doganore dhe procedurat e zgjatura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.